Ankimi administrativ / Ankimi administrativ
Ankimi administrativ

Si mund të veprohet në rast të shkeljes së të drejtave nga veprimi apo mosveprimi i organeve publike?

Në raste te tilla mund të veprohet si më poshtë:

  • kryhet një ankim administrativ, i cili përfshin:
    • Ankimin administrativ ndaj aktit administrativ ose mosveprimit të organit publik për nxjerrjen e aktit brenda afatit të parashikuar; ose
    • Kundërshtimin administrativ ndaj një veprimi tjetër të organit publik;
  • kërkohet rishikimi i rastit.

Për të njëjtën çështje, pala nuk mund të ushtrojë për së dyti mjete ligjore administrative.

Ankimi administrativ kundër një akti administrativ

Akti administrativ mund të jetë individual ose kolektiv. Akti administrativ është individual kur një organ publik, në ushtrimin e funksionit të tij publik shpreh vullnetin e tij ndaj një ose më shumë subjekteve të përcaktuara, duke krijuar, ndryshuar ose shuar një marrëdhënie juridike konkrete. Shprehja e vullnetit mund të kryhet në formë të shkruar në letër ose elektronike, verbale, ose çdo formë tjetër të përshtatshme, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe nga ligji.

Akti administrativ kolektiv, i drejtohet një grupi subjektesh, anëtarët e të cilit janë të përcaktuar individualisht ose mund të përcaktohen individualisht mbi bazën e karakteristikave të përgjithshme.

Pra, akt administrativ, quhet çdo urdhër, vendim, apo veprim që merret nga autoritetet administrative për rregullimin e një rasti të veçantë ose rasteve të përgjithshme në sferën e të drejtës publike.

Çfarë forme dhe përmbajtjeje duhet të ketë ankimi administrativ?

Ankimi duhet të paraqitet me shkrim dhe duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme:

  • subjektin që ka paraqitur ankimin;
  • organin që do të shqyrtojë ankimin;
  • aktin administrativ që kundërshtohet ose aktin administrativ që kërkohet të lëshohet, i cili nuk është nxjerrë;
  • objektin dhe shkaqet për të cilat bëhet ankimi.

Emërtimi i dokumentit nuk është i rëndësishëm. Çdo kërkesë drejtuar organit publik vlerësohet si ankim administrativ, edhe nëse nuk mban këtë emër, për aq kohë sa qëllimi i ankimit shprehet qartë në të.

Cilat janë kushtet për pranimin e ankimit administrativ kundër një akti administrativ?

Ankimi kundër aktit administrativ apo mosnxjerrjes së tij është i pranueshëm nëse plotëson të gjitha këto kushte:

  • nuk është përjashtuar shprehimisht nga ligji;
  • ankuesi pretendon se të drejtat apo interesat e tij të ligjshme cenohen nga veprimi apo mosveprimi i organit publik dhe ky ankim nuk është kryer më parë për të njëjtën çështje;
  • është paraqitur brenda afatit;
  • plotëson çfarëdo kushti tjetër të parashikuar shprehimisht në ligj.

Brenda cilit afat duhet të paraqitet ankimi administrativ?

Ankimi administrativ duhet të paraqitet brenda 30 ditëve nga data kur ankuesi ka marrë njoftim për nxjerrjen ose refuzimin e nxjerrjes së aktit administrativ.

Në rastin e mosveprimit të organit administrativ, me përjashtim të rasteve kur është i zbatueshëm miratimi në heshtje, ankimi paraqitet jo më pare se 7 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data kur ka përfunduar afati brenda të cilit organi administrativ duhet të vepronte.

Kujt organi mund t’i drejtohet ankimi?

Për aq kohë sa nuk parashikohet ndryshe nga ligji, ankimi kundër një akti administrativ mund t’i drejtohet:

  • organit publik që ka nxjerrë ose ka kompetencë të nxjerrë aktin;
  • organit publik epror të organit që ka nxjerrë ose ka kompetencë të nxjerrë aktin; ose
  • një organi tjetër publik të përcaktuar shprehimisht me ligj.

Cila është procedura e shqyrtimit të ankimit?

Kur organi publik kompetent vlerëson se ankimi është i pranueshëm dhe plotësisht i bazuar, ai, me një akt të ri administrativ, anulon, shfuqizon ose ndryshon aktin administrativ, ose nxjerr aktin e refuzuar, siç është kërkuar nga ankuesi.

Kur organi publik kompetent vlerëson se ankimi nuk është i pranueshëm dhe plotësisht i bazuar, e përcjell atë për shqyrtim dhe vendimmarrje tek organi epror, së bashku me të gjitha dokumentet përkatëse të dosjes dhe një raport me shkrim mbi qëndrimin e tij.

Organi epror refuzon ankimin nëse ai rezulton të jetë i papranueshëm apo i pabazuar. Refuzimi lëshohet nëpërmjet një vendimi të organit epror, i cili në vetvete përbën një akt administrativ.

Nëse organi epror vlerëson se ankimi është i pranueshëm dhe i bazuar, ai vendos përfundimisht me anë të një vendimi duke anuluar, shfuqizuar apo ndryshuar, plotësisht apo pjesërisht, aktin administrativ, ose duke nxjerrë aktin e kërkuar nga ankuesi.

Nëse nuk është parashikuar shprehimisht ndryshe nga ligji, vendimi i organit epror mund të jetë vetëm në favor të palës ankuese.

Ankimi për mosveprimin administrativ shqyrtohet drejtpërdrejt nga organi epror.

Brenda cilit afat duhet të njoftohet akti që vendos mbi ankimin?

Përveçse kur parashikohet ndryshe nga ligji, vendimi nxirret dhe i njoftohet ankuesit brenda 30 ditëve nga paraqitja e ankimit. Ky afat mund të zgjatet kur është e nevojshme kryerja e hetimeve administrative shtesë.

Nëse ankuesi, person fizik apo juridik, vdes apo mbaron, gjatë zhvillimit të procedurës administrative, organi publik deklaron të përfunduar procedurën administrative, pa marrë një vendim përfundimtar për çështjen.

Cilat janë efektet e ankimit administrativ kundër një akti administrativ?

Përveçse kur parashikohet ndryshe nga ligji, ankimi administrativ pezullon zbatimin e aktit administrativ.

Si përjashtim, zbatimi i aktit nuk pezullohet kur:

  • akti administrativ synon mbledhjen e taksave, tatimeve dhe të ardhurave të tjera buxhetore;
  • akti administrativ ka të bëjë me masa policore;
  • organi publik, i cili shqyrton ankimin, vlerëson se zbatimi i menjëhershëm është në interes të rendit publik, shëndetit publik dhe të interesave të tjerë publikë.

Kundër mos pezullimit të aktit administrativ mund të bëhet ankim në gjykatën administrative, brenda 5 ditëve nga data e njoftimit të vendimit për mos pezullim..

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: