Ankimi administrativ / Ankimi ne gjykatë
Ankimi ne gjykatë

Kur t’i drejtohemi gjykatës administrative?

Çdo person i interesuar, i cili pretendon se i është shkelur, mohuar apo cenuar një e drejtë e ligjshme nga një organ i administratës publike, krahas ushtrimit të së drejtës së ankimit administrativ, mund të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të tij edhe me anë të një mjeti tjetër ligjor, që është padia e cila ngrihet përpara gjykatës. Si rregull, padia paraqitet pasi është ndjekur më parë rruga administrative. Për të ushtruar të drejtën e padisë, personi duhet të përpilojë vetë ose me ndihmën e një profesionisti, një kërkesë formale, e cila quhet kërkesëpadi. Duhet pasur parasysh fakti që, kërkesëpadia duhet të ketë disa elementë, që janë parashikuar në ligjin “Për organizmin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe Kodin e Procedurës Civile, mosrespektimi i të cilave sjell mospranimin e saj nga gjykata.

Si ngrihet një padi në gjykatën administrative?

Si rregull, padia në gjykatë ndaj aktit ose veprimit administrativ mund të ngrihet vetëm pasi të jetë ndjekur më parë ankimi administrativ.

Përjashtohen nga ky rregull rastet kur:

  • ligji nuk parashikon organ më të lartë për paraqitjen e ankimit administrativ, ose kur organi më i lartë administrativ nuk është krijuar;
  • ligji parashikon shprehimisht të drejtën për t’u ankuar ndaj veprimit administrativ drejtpërdrejt në gjykatë;
  • organi më i lartë në shqyrtimin e një ankimi administrativ ka cenuar, me vendimin e tij, të drejtat apo interesat personalë të ligjshëm të një personi, i cili nuk ka qenë palë në procedurën administrative.

Cilat janë afatet për ngritjen e padisë në gjykatën administrative?

Padia kundër aktit, veprimit, apo mosveprimit administrativ paraqitet në gjykatë brenda 45 ditëve. Ky afat fillon nga:

  • data e njoftimit, të aktit administrativ të organit epror, që ka shqyrtuar ankimin administrativ;
  • data e njoftimit, të aktit administrativ, në rastet kur ky akt ankimohet drejtpërdrejt në gjykatë;
  • data e botimit të aktit administrativ, në rastet kur ligji parashikon detyrimin për botimin e aktit;
  • data e marrjes dijeni për ndërhyrjen e paligjshme të organit publik mbi të drejtat dhe interesat ligjorë të subjektit, me çdo lloj veprimi që nuk plotëson kushtet dhe formën e aktit administrativ;
  • data e mbarimit të afatit ligjor brenda të cilit duhet të ishte nxjerrë akti administrativ;
  • data e mbarimit të afatit ligjor për shqyrtimin e ankimit administrativ, në rastet e mosveprimit të organit më të lartë administrativ.

Në rastet kur akti administrativ nuk përcakton qartë të drejtën e palës për të kundërshtuar aktin administrativ në gjykatë, nëpërmjet padisë, dhe afatin brenda të cilit mund të ngrihet padia, ligji për gjykatat administrative parashikon që afati i ngritjes së padisë është një vit. Në rastin e mosparaqitjes së padisë brenda 1 viti, për arsye se udhëzimet në aktin administrativ nuk japin informacion të saktë për të drejtën e padisë, padia paraqitet edhe pas 1 viti, por në çdo rast, jo më vonë se 30 ditë nga data kur paditësi ka marrë dijeni për ekzistencën e së drejtës së padisë dhe vetëm kur paditësi jep shpjegime të besueshme për ekzistencën e këtyre rrethanave.

Afatet e mësipërme janë të pandryshueshme dhe shkelja e tyre shkakton humbjen e së drejtës së padisë.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: