Nga kush duhet të administrohen ndërtesat e banimit?
Ndërtesat e banimit administrohen nga “Administratori” (person fizik) ose “Shoqëria e administrimit” (person juridik privat) që janë të regjistruar në librin përkatës në bashki apo komunë për të ushtruar veprimtarinë në fushën e administrimit të ndërtesave. Lista e tyre shpallet në vendin e njoftimeve të institucionit. Këta persona kontraktohen për administrimin e bashkëpronësisë nga kryesia e Asamblesë së Bashkëpronarëve.
Cilat janë disa nga përgjegjësitë e administratorit apo shoqërisë administruese të bashkëpronësisë?
Disa nga përgjegjësitë e administratorit apo shoqërisë administruese të bashkëpronësisë përfshijnë:
- zbatimin e vendimeve të marra nga Asambleja e Bashkëpronarëve;
- ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për mirëmbajtjen e bashkëpronësisë (si p.sh.: mirëmbajtja e ashensorëve, restaurimi apo rikonstruksioni i fasadave apo mjediseve të brendshme, etj.), përfshirë edhe kontraktimin e subjekteve të treta, kur një gjë e tillë është miratuar nga asambleja e bashkëpronarëve;
- ndërmarrjen e kontrolleve periodike, teknike dhe higjieno-shëndetësore për gjendjen e pronës e të objekteve në bashkëpronësi, si sistemi i mbrojtjes kundër zjarrit, sistemi i ngrohjes qendrore, ashensorëve, tarracave, sistemi i ndriçimit, prania e insekteve dhe e parazitëve, etj. dhe i veprimeve për të zhdukur dëmtimet e pronës apo praninë e faktorëve, që mund të përbëjnë rrezik për epidemi, sëmundje, etj.;
- mbledhjen, faturimin ose kontrollin për derdhjen në llogari bankare të tarifave mujore;
- mbajtjen e buxhetit për mirëmbajtje dhe riparime;
- kontrollin e zbatimit të rregullave të bashkëjetesës.
Çfarë funksionesh kryen kujdestari që mund të emërohet nga Asambleja?
Kujdestar mund të jetë njëri prej bashkëpronarëve ose një person i jashtëm. Ai kryen shërbime të tilla si: mbledhjen e tarifës së administrimit, njoftimin e defekteve në pjesët e përbashkëta, mbajtjen e kontakteve ndërmjet shoqërisë administruese/administratorit dhe asamblesë së bashkëpronarëve, si dhe detyra të tjera, që ia ngarkon Asambleja.
Çfarë është paketa e administrimit?
Paketa e administrimit është tërësia e shërbimeve për administrimin dhe mirëmbajtjen e pronës së përbashkët në ndërtesën e banimit dhe miratohet çdo vit nga Asambleja, si pjesë e buxhetit vjetor. Me anë të saj përcaktohen hollësisht shërbimet e domosdoshme, me çmimet përkatëse, apo përqindjen nga tarifa e administrimit, për secilin shërbim. Në të duhet të përfshihen në mënyrë të detyrueshme pagesat për:
- shërbimet e pastrimit dhe të higjienizimit të shkallëve të brendshme;
- shërbimin e mirëmbajtjes dhe të ndreqjes së ashensorëve;
- zbatimin e rregullave të detyrueshme;
- shoqërinë administruese/administratorin.
Si veprohet nëse një nga bashkëpronarët nuk e paguan tarifën e administrimit në kohën e caktuar?
Nëse një bashkëpronar nuk e paguan tarifën e administrimit në kohën e caktuar, për çdo muaj vonesë, ai paguan një kamatë të barabartë me 10 për qind të tarifës.
Nëse bashkëpronari nuk i ka paguar tarifat mujore të prapambetura as në muajin e tretë, bashkë me kamatat përkatëse, kryesia ose shoqëria e administrimit, e autorizuar nga kryesia, i drejtohet gjykatës për detyrimin e kryerjes së pagesës dhe zyrës së përmbarimit për vënien në ekzekutim të vendimit të Asamblesë së Bashkëpronarëve, për detyrimin e pagimit të tarifave të prapambetura dhe të kamatave përkatëse.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.