A ka rregulla të posaçme për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit?
Për një administrim sa më të mirë të pjesëve në bashkëpronësi të ndërtesave të banimit, janë vendosur me ligj të posaçëm disa rregulla. Ato kanë të bëjnë me të drejtat dhe detyrimet e secilit prej bashkëpronarëve të pjesëve në bashkëpronësi, si dhe me masat ndëshkuese në rast se ata nuk i përmbushin këto detyrime.
Çfarë do të konsiderojmë “kuotë të pjesëmarrjes në bashkëpronësi”?
“Kuotë të pjesëmarrjes në bashkëpronësi” është pjesa e pronësisë së pandashme në pronën e përbashkët e cila shërben për të llogaritur pjesën takuese të secilit prej pronarëve të banesave në shpenzimet e përbashkëta që lidhen me pjesët në bashkëpronësi të ndërtesave të banimit, si dhe me peshën që ka secili prej tyre në votimet e përbashkëta. Kjo kuotë/pjesë përcaktohet duke u bazuar në pjesën që zë sipërfaqja e secilës banesë në raport me sipërfaqen e të gjithë ndërtesës së banimit.
Cilat janë objektet në bashkëpronësi në një ndërtesë banimi?
Objektet që janë në bashkëpronësi në një ndërtesë banimi përcaktohen shprehimisht në aktin e pronësisë mbi banesën të secilit bashkëpronar, si p.sh. shkallët, tarraca, oxhaqet, parkimet, bodrumi, ashensori, instalimet e ujit, instalimet elektrike, instalimet e telefonisë, etj. Pronarët e banesave nuk mund të kërkojnë ndarjen e këtyre objekteve në bashkëpronësi.
Çfarë është akti i bashkëpronësisë dhe si regjistrohet ai?
Akti i bashkëpronësisë përmban të dhënat dhe karakteristikat e objekteve në bashkëpronësi në një ndërtesë banimi. Ky akt regjistrohet fillimisht nga institucioni apo personi/personat që ka/kanë investuar për ndërtimin e pronës (krijuesi), në zyrën përkatëse të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në momentin që secila nga banesat kalon në pronësi të një pronari të caktuar, bëhet edhe ndryshimi përkatës në regjistrin e pasurive të paluajtshme.
Kush duhet të kontrollojë zbatimin e rregullave mbi bashkëpronësinë në ndërtesat e banimit?
Zbatimi i rregullave mbi bashkëpronësinë në ndërtesat e banimit kontrollohet nga inspektorati vendor (inspektorati ndërtimor dhe urbanistik i bashkisë/komunës). Pas çdo kontrolli (si p.sh. për mbrojtjen kundër zjarrit, ruajtjen e higjienës apo kontrollin e ashensorëve), inspektori përkatës shprehet me një akt, të cilin e shpall në një vend të dukshëm në godinën e inspektuar dhe njëkohësisht ia njofton kryesisë dhe administratorit apo shoqërisë administruese përkatëse, për gjendjen e përgjithshme të ndërtesës, si dhe për masat që duhet të merren në rast se ka nevojë për të tilla.
Asambleja e Bashkëpronarëve merr vendim brenda afatit të përcaktuar në akt dhe autorizon administratorin/shoqërinë administruese për ndreqjen e të metave, duke siguruar financimin e nevojshëm nga bashkëpronarët.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.