Kush mund të përfitojë nga programet e nxitjes për restaurimin apo rikonstruksionin e ndërtesave të dëmtuara?
Bashkia mund të hartojë një program nxitjeje për restaurimin apo rikonstruksionin e ndërtesave të dëmtuara, duke kontribuar me financime pjesore, e mbështetur dhe nga buxheti i shtetit. Përfitojnë nga ky program ato asamble bashkëpronarësh që plotësojnë të paktën njërin nga këto kritere:
- kanë paguar plotësisht taksën për pasurinë e paluajtshme;
- kërkojnë përshtatjen e hyrjeve dhe të shkallëve për personat me aftësi të kufizuara;
- kërkojnë ndërhyrje me qëllim të ruajtjes së efiçencës së energjisë;
- fasada e ndërtesës së tyre është në rrugë kryesore dhe në një gjendje tejet të dëmtuar, saqë prish imazhin e vetë qytetit/fshatit;
- në çdo rast tjetër, që zbatimi i atij projekti çmohet i vlefshëm për jetën në komunitet.
Si mund të përfitohet ndihmë financiare për ngritjen e një ndërtese të re duke shembur atë ekzistuese?
Bashkia mund të kontribuojë në financimin pjesor për ngritjen e një ndërtese të re, kur bashkëpronarët vendosin për ta shembur atë, me kusht që një pjesë nga ndërtesa e re t’i kalojnë në pronësi bashkisë, për t’ua dhënë në përdorim apo pronësi familjeve në vështirësi për strehim. Pjesa e përfitimit të bashkisë përcaktohet, për çdo rast, në bazë të vlerës së tregut të banesave dhe të vlerës së investimit që bën bashkia.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.