Cilat janë të drejtat e pronarit të banesës?
Pronari i banesës ka të drejtë:
- të kërkojë nga bashkëpronarët e tjerë që të mos e cenojnë përdorimin dhe gëzimin e objekteve të përbashkëta, si dhe të kërkojë dëmshpërblim apo ndreqje të dëmit, kur dëmi është shkaktuar nga veprimet e tyre;
- të marrë pjesë në vendimmarrje;
- të informohet nga asambleja ose administratori/shoqëria e administrimit për vendimet e marra në mungesë të tij;
- të informohet rregullisht nga administratori dhe nga asambleja për përdorimin e tarifës së administrimit;
- të informohet nga administratori/shoqëria e administrimit për mospagesën e tarifës së administrimit nga pronarët e tjerë;
- t’i parashtrojë asamblesë propozime për administrimin e ndërtesës së banimit.
Cilat janë detyrimet e pronarit të banesës?
Pronari i banesës ka këto detyrime:
- të respektojë normat e etikës dhe të bashkëjetesës;
- të mos i pengojë bashkëpronarët e tjerë në gëzimin e objekteve që janë në bashkëpronësi;
- të paguajë tarifën e administrimit edhe në rastet kur nuk banon apo e ka dhënë banesën me qira;
- të lejojë kryerjen e kontrolleve dhe të riparimeve të pronës së përbashkët brenda banesës së tij.
Cilat janë të drejtat dhe detyrimet e krijuesit të ndërtesës së banimit?
Institucioni apo personi/personat që ka/kanë investuar për ndërtimin e pronës, deri në momentin që nuk i kanë shitur të gjitha banesat, kanë të drejta dhe detyrime si çdo bashkëpronar tjetër në ndërtesën e banimit, sipas pjesës që zënë banesat e pashitura në raport me të gjitha banesat e ndërtesës. Pra, duhet të kontribuojnë në shpenzimet e përbashkëta sipas kuotës përkatëse.
Cilat janë të drejtat dhe detyrimet e qiramarrësve?
Personat, që banojnë si qiramarrës në banesën e pronarit, duhet të zbatojnë rregullat e caktuara nga asambleja për të gjithë banorët e bashkëpronësisë. Ata mund të marrin pjesë në mbledhjet e asamblesë, por pa të drejtë vote.
Cilat janë detyrimet e pronarëve të banesave që nuk përdoren?
Pronari i banesës që nuk përdoret (p.sh. banesat që shërbejnë si banesë e dytë ose banesat e personave që jetojnë jashtë vendit) është i detyruar të kontribuojë për administrimin dhe mirëmbajtjen e pronës në bashkëpronësi njëlloj si bashkëpronarët e tjerë, me përjashtim të rastit kur vendoset ndryshe nga asambleja e bashkëpronarëve.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.