Me termin diskriminim do të kuptojmë çdo formë dallimi, përjashtimi, kufizimi apo preference duke mos respektuar kështu parimin e barazisë në lidhje me racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, shtetësinë, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, gjininë, identitetin gjinor, orientimin seksual, karakteristikat e seksit, jetesën me HIV/AIDS, shtatzëninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, gjendjen shëndetësore, predispozicionet gjenetike, pamjen e jashtme, aftësinë e kufizuar, përkatësinë në një grup të veçantë, ose me çdo shkak tjetër.
Kjo sjell si pasojë pamundësinë që te drejtat dhe liritë themelore të njeriut tëushtrohen në të njëjtën mënyrë me të tjerët. A ndalohet diskriminimi në shtetin tonë?
Çdo sjellje që pengon të trajtohesh në mënyrë të barabartë për shkaqet e përmendura më sipër ndalohet sipas legjislacionit shqiptar.
Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi aplikohet për:
-të gjithë personat që jetojnë dhe qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë, -për shtetasit shqiptarë që janë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijëve të Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet me organet shtetërore shqiptare, -si dhe për personat fizikë e juridikë të huaj, me banim, vendqëndrim apo seli jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet me organet shtetërore shqiptare. Në cilat fusha aplikohet mbrojtja nga diskriminimi? Ndër fushat ku ndalohet diskriminimi përmendim: punësimin, arsimin si dhe fusha e të mirave dhe shërbimeve.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.