Cilat janë institucionet që garantojnë mbrojtjen nga diskriminimi?
Institucioni që garanton mbrojtjen nga diskriminimi është Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Komisioneri është person juridik publik dhe i pavarur në ushtrimin e detyrës dhe i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjit. Ka si detyrë të shqyrtojë ankesa që vijnë nga persona ose grupet e personave që pretendojnë se janë diskriminuar, të kryejë hetime administrative pas marrjes së informacionit për shkelje të ligjit, apo dhe të vendosë sanksione administrative sipa ligjit. Në rrugë gjyqësore është gjykata ajo që garanton mbrojtjen nga diskriminimi.
Kur i drejtohemi Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi:
-Një person apo grup personash që pretendojnë se janë diskriminuar, ose nje organizatë me interesa legjitime që pretendon diskriminim në emër të një personi apo grupi personash, mund të paraqesë ankesë së bashku me provat që disponon para komisionerit, me shkrim ose, në raste perjashtuese, me gojë, në mënyrë që të mbahet procesverbal.
-Formulari i ankesës duhet të përmbajë: emrin e ankuesit si dhe kontaktet e tij subjekti që pretendohet se ka kryer diskriminimin shkakun për të cilin pretendohet diskriminimi shpjegimin e diskriminimit të pretenduar masat që kërkohen të merren nga Komisioneri.
Ankesa nuk pranohet nëse paraqitet me vonë se tre vjet nga ndodhja e diskriminimit ose më vonë se dy vjet nga marrja dijeni për sjelljen diskriminuese. Ankuesi nuk ngarkohet me ndonjë tarifë per shqyrtimin e ankesës. Komisioneri jep vendim brenda 90 ditëve nga dita e marrjes së ankesës ose nëse është zhvilluar seancë dëgjimore publike, brenda 90 ditëve nga dita e seancës.
Kur i drejtohemi gjykatës:
Çdo person ose grup personash që pretendojnë se janë diskriminuar mund të paraqesin kërkesëpadi përpara gjykatës kompetente për dëmshpërblim sipas ligjit ose mund të kryejnë kallëzim përpara organeve kompetente për ndjekje penale. Gjithashtu mund të paraqesin kërkesëpadi një organizatë me interes të ligjshëm ose komisioneri në emër të një personi ose grup personash, me kusht që të jenë pajisur me prokurë të posaçme ose me deklarim përpara gjykatës të personave të dëmtuar.
Padia duhet të paraqitet para gjykatës kompetente jo më vonë se 5 vjet nga dita që ka ndodhur sjellja diskriminuese e pretenduar dhe jo më vonë se 3 vjet nga dita që i dëmtuari merr dijeni për këtë sjellje.
Paraqitja e ankimit përpara komisionerit nuk është kusht për të paraqitur një kërkesëpadi në gjykatë dhe as nuk përbën pengesë për personin e dëmtuar t’i drejtohet gjykatës apo organeve të ndjekjes penale.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.