Çfarë është bashkëjetesa?
Bashkëjetesa është bashkimi faktik midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetesë e përbashkët, që paraqet qëndrueshmëri dhe vazhdueshmëri.
Cilat janë veçoritë e bashkëjetesës?
Bashkëjetesa është jetesa e përbashkët në çift ku partnerët sillen si bashkëshortë. Kjo marrëdhënie ka karakter të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm, që nënkupton jetesën e përbashkët dhe interesa të përbashkëta, ndihmë morale e materiale mes personave që bashkëjetojnë dhe fëmijëve që lindin nga bashkëjetesa. Personat që bashkëjetojnë nuk kanë dhe as ushtrojnë cilësinë ligjore të bashkëshortëve as në lidhje me të drejtat dhe detyrimet reciproke e as atyre kundrejt të tretëve. Cilësinë e bashkëjetuesve do ta kenë edhe ata persona të cilët mund të kene lidhur martesë sipas ceremonisë fetare por pa lidhur martesë sipas formës së parashikuar nga Kodi i Familjes.Të njëjtin status do të kenë edhe dy persona martesa e të cilëve është shpallur e pavlefshme, me përjashtim të efekteve që sjell martesa e pavlefshme kur njëri nga bashkëshortët nuk e ka ditur shkakun e pavlefshmerisë së martesës.
Çfarë të drejtash dhe kufizimesh sjell bashkëjetesa?
Ligjvënësi ka lejuar vetëm mundësinë që këta persona të parashikojnë me marrëveshje mes tyre:
- Pasojat që lindin në drejtim të fëmijëve; dhe
- Pasurinë e fituar gjatë bashkëjetesës.
Bashkëjetuesit janë të privuar nga një sërë të drejtash krahasuar me bashkëshortët, ku ndër më kryesoret janë: • E drejta për kontribut material në favor të bashkëjetesës; • Detyrimi për ushqim në favor të partnerit që nuk është i aftë të fitojë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar nevojat e jetesës; • Përcaktimi i pronësisë së sendeve të fituara gjatë bashkëjetesës, përveç se kur ky përcaktim rregullohet me marrëveshje (kontratë) mes bashkëjetuesve; • Lehtësira fiskale
Në rastin e mbarimit të bashkëjetesës si pasojë e ndarjes apo vdekjes së njërit prej partnerëve, ata janë të privuar nga:
- Njohja e të drejtave reciproke të trashëgimisë;
- Pjesëtimi në mënyrë të barabartë i sendeve të fituara bashkërisht, kur kjo nuk është parashikuar në marrëveshjen (kontratë) e lidhur midis tyre;
- Përgjegjësia ndaj detyrimeve të përbashkëta;
- Fitimi i pensionit pas vdekjes së njërit prej tyre.
Çfarë karakteristikash ka një marrëveshje e lidhur midis personave që bashkëjetojnë?
Ajo është një marrëveshje (kontratë) formale për vlefshmërinë e së cilës kërkohet respektimi i formës së aktit noterial përkatës. Me anë të kësaj marrëveshjeje palët mund të rregullojnë marrëdhëniet e tyre pasurore, sikurse është kontributi material që secili prej tyre mund të japë në interes të familjes dhe bashkëjetesës, apo dhe detyrime të tjera që do të përmbushen gjatë bashkëjetesës apo pas përfundimit të saj.
Si do të rregullohen marrëdhëniet pasurore midis personave bashkëjetues në mungesë të një marrëveshjeje?
Në mungesë të një marrëveshjeje, marrëdhëniet pasurore ndërmjet personave bashkëjetues do të rregullohen sipas dispozitave të përgjithshme të së drejtës civile, dhe jo në kuadër të parashikimeve të Kodit të Familjes, siç rregullohet marrëdhënia pasurore mes bashkëshortëve.
Nëse gjatë periudhës së bashkëjetesës bashkëjetuesit kanë fituar sende mbi pronësine e të cilëve pretendojnë të dy, gjykata do të zbatojë rregullat e bashkëpronësisë në pjesë (sendi do të konsiderohet i përbashket nëse të dy do të provojnë se kanë kontribuar efektivisht).
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.