Familja / Birësimi
Birësimi

Çfarë është birësimi i një fëmije?

Birësim është procedura administrative dhe gjyqësore, nëpërmjet së cilës fëmijës së mitur, që i është privuar ose jo mjedisi familjar, i sigurohet një familje alternative, me të drejta dhe detyrime të njëjta me prindërit biologjikë.

Marrëdhënia juridike e birësimit krijohet në këto raste:

  • Birësimi i të miturve shqiptarë, me vendbanim në Shqipëri, nga shtetas shqiptarë, brenda ose jashtë Shqipërisë;
  • Birësimi i të miturve shqiptarë, me vendbanim në Shqipëri, nga shtetas të huaj, brenda ose jashtë Shqipërisë;
  • Birësimi i të miturve të huaj, me vendbanim në Shqipëri, nga shtetas shqiptarë ose të huaj, brenda ose jashtë Shqipërisë;
  • Birësimi i të miturve shqiptarë ose të huaj, me vendbanim jashtë Shqipërisë, nga shtetas shqiptarë ose të huaj me vendbanim në Shqipëri.

Cilat janë kushtet që duhet të plotësohen për birësimin e një fëmije?

Birësimi bëhet gjithmonë në interes të fëmijës. Ky interes duhet të ekzistojë që nga momenti i birësimit e në vazhdim, edhe pas këtij momenti.

Kushtet që duhet të plotësohen për birësimin e një fëmije janë:

  1. Pëlqimi i dhënë nga këto persona:

    • personi që do të birësojë;
    • bashkëshorti i atij që do të birësojë;
    • prindërit biologjik të të miturit (kur është e mundur);
    • i mituri që do të birësohet kur ka mbushur moshën 12 vjeç.

    Në rastet kur fëmija është i braktisur dhe për këtë shkak nuk ekziston mundësia që prindi të japë pëlqimin, ligji e rregullon këtë situatë nëpërmjet deklarimit të braktisjes së fëmijës së mitur. Kështu gjykata e rrethit mund të deklarojë të braktisur të miturin e strehuar në një institucion të përkujdesjes (shtëpi fëmije apo shtëpi foshnje), ose pranë një personi që e ka marrë për përkujdesje.

    Vendimi i deklarimit të braktisjes do të jepet kur rezulton që nëna dhe babai i të miturit nuk janë interesuar për fëmijën gjatë një viti përpara paraqitjes së kërkesës për deklarimin e braktisjes. Kur i mituri është strehuar në një institucion të përkujdesjes ndaj fëmijëve që nga lindja e tij, deklarimi i braktisjes mund të bëhet pasi të kenë kaluar 3 muaj nga data e lindjes së tij. Pas deklarimit të braktisjes, fëmija mund të birësohet. Kërkesa për deklarimin e braktisjes bëhet nga drejtuesi i institucionit ku ndodhet i mituri ose nga personi që e ka marrë për përkujdesje. Gjykata kur deklaron braktisjen e të miturit rregullon edhe mënyrën e sistemimit të të miturit.

  2. Birësuesi mund të jetë çdo person të cilit nuk i është hequr nga gjykata përgjegjësia prindërore, nuk ka zhvillim të metë mendor dhe nuk vuan nga ndonjë sëmundje psikike apo e llojit tjetër që mund të rrezikojë jetën apo shëndetin e të birësuarit, ka garanci si person, se do të kryejë në rregull detyrën e birësuesit në lidhje me mirërritjen, edukimin dhe arsimimin e atij që do të birësohet.
  3. Diferenca e moshës ndërmjet të birësuarit dhe birësuesit duhet të jetë të paktën 18 vjet. Nëse birësohet fëmija i bashkëshortit, diferenca e moshës duhet të jetë jo më pak se 15 vjet.
  4. I birësuari duhet të jetë i mitur, nën 18 vjeç.

Kur nuk mund të birësohet një fëmijë?

  • Nuk mund të birësohet një person nga i paralinduri, ose nga vëllezërit dhe motrat. Pra, prindi biologjik, gjyshi, gjyshja, stërgjyshi apo stërgjyshja, nuk mund të birësojë përkatësisht fëmijën e tij, nipin, mbesën, stërnipin apo stërmbesën. Kjo pengesë ligjore do të zbatohet pavarësisht nëse lidhja gjinore rrjedh nga martesa apo jashtë martese. Në rastin e një fëmije të lindur jashtë martese prindi biologjik nuk mund ta birësojë fëmijën, por mund të kërkojë njohjen e atësisë ose amësisë. Në një rast të tillë, as gjyshi dhe gjyshja nuk mund ta birësojnë fëmijën por mund te kërkojnë të marrin kujdestarinë.
  • Nuk lejohet birësimi i të miturit nga kujdestari i tij, pa u parë më parë nga gjykata administrimi i pasurisë së të miturit.

I mituri nuk mund të birësohet nga shumë persona, përveç rastit kur ata janë bashkëshortë.

Cila është procedura që ndiqet për birësimin e një fëmije?

Një fëmijë mund të birësohet nëse kjo gjë vendoset nga gjykata, pasi është marrë pëlqimi paraprak nga “Komiteti Shqiptar i Birësimit”.

Cila është procedura që ndiqet pranë “Komitetit Shqiptar të Birësimit” për birësimin e një fëmije?

Çdo person i cili është i interesuar të birësojë duhet t’i drejtohet me kërkesë Komitetit Shqiptar të Birësimit. Ky organ mbledh, vlerëson kërkesat për birësim të bërë nga shtetas të huaj dhe vendas, jep informacionet e nevojshme lidhur me plotësimin e dokumentacioneve, bashkëpunon me autoritetet publike dhe private të vendit dhe të huaja për të siguruar mbrojtjen e të miturve.

Në kërkesën për birësim personi duhet të parashtrojë edhe motivet për të cilat dëshiron të birësojë.

Shtetasit shqiptarë, që dëshirojnë të birësojnë fëmijë shqiptarë, i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit. Shtetasit shqiptarë, që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë, mund gjithashtu t’i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit, me kusht që vendimi gjyqësor shqiptar i birësimit të njihet në vendin ku ata jetojnë. Ata mund të birësojnë vetëm fëmijë, emrat e të cilëve janë në listat e Komitetit.

Shtetasit e huaj mund t’i drejtohen Komitetit vetëm nëpërmjet autoriteteve qendrore kompetente ose agjencive ndërmjetësuese të vendit të tyre, të njohura si të tilla nga Komiteti. Shtetasit e huaj, që jetojnë prej dy vjetësh në Republikën e Shqipërisë, mund t’i drejtohen drejtpërdrejt Komitetit, vetëm nëse legjislacioni i tyre kombëtar e lejon birësimin.

KOMITETI SHQIPTAR I BIRËSIMIT

MINISTRIA E DREJTËSISË

TIRANË

Web: http://kshb.gov.al/

Adresa: Rruga “ Mine Peza” , Pallati 87/3, Shkalla 2,Tiranë.

Tel/Fax: 0355226465/003557478

E-mail: genci.terpo@kshb.gov.al

Çfarë dokumentesh duhet të paraqesë aplikanti birësues pranë “Komitetit Shqiptar të Birësimit”?

Aplikanti birësues paraqet në Komitet dokumentacionin e mëposhtëm:

  • Kërkesën me motivimin e birësimit;
  • Të dhënat personale për marrëdhëniet ndërpersonale të anëtarëve të familjes, informacione për pjesëtarët e familjes dhe qëndrimin e tyre ndaj birësimit;
  • Të dhënat për gjendjen civile, si certifikatën e lindjes, certifikatën e martesës, certifikatën e zgjidhjes së martesës ose të vdekjes së bashkëshortit, sipas rastit;
  • Vërtetimin e gjendjes gjyqësore;
  • Të dhëna për fëmijërinë dhe mënyrën e rritjes;
  • Raportin mjekësor dhe historinë mjekësore të familjes;
  • Vërtetime të punësimit, të të ardhurave dhe të pasurisë së paluajtshme;
  • Vërtetimin e pronësisë së banesës dhe të dhëna për kushtet e banimit;
  • Vërtetimin për gjendjen ekonomike dhe sociale;
  • Vërtetimin, nga organet e njësisë së qeverisjes vendore të vendbanimit, për sjelljen dhe figurën morale;
  • Deklaratën e gatishmërisë së familjarëve dhe të miqve në mbështetje të aplikantit birësues.

Cila është procedura që ndiqet në gjykatë për birësimin e një fëmije?

I gjithë procesi i birësimit duhet te realizohet përpara gjykatës. Gjykata gjatë procesit gjyqësor, duhet të hetojë dhe të kontrollojë në mënyrë të detajuar pëlqimin e të gjitha palëve, vendimin e Komitetit, dhe pasi i ka shqyrtuar dhe vlerësuar të gjithë provat të vendosë birësimin e të miturit.

Cilat janë efektet e birësimit të një fëmije?

Birësimi i prodhon efektet e tij nga data që vendimi merr formë të prerë. Birësimi është i parevokueshëm, pra është një veprim i cili nuk mund të zhbëhet. Gjykata i dërgon vendimin e formës së prerë për regjistrim zyrës së gjendjes civile, ku ka regjistrin themeltar birësuesi, qoftë ai i huaj apo shqiptar.

Me birësimin, ndërmjet birësuesit dhe gjinisë së tij, nga njëra anë, dhe të birësuarit dhe të paslindurve të tij, nga ana tjetër, lindin të drejta dhe detyra të njëjta me ato që kanë ndërmjet tyre personat që janë gjini.

I birësuari merr mbiemrin e birësuesit dhe në rast të birësimit nga të dy bashkëshortët, mbiemrin e përbashkët të tyre. Në qoftë se ata kanë mbiemra të ndryshëm vendosin me marrëveshje se cilin mbiemër do të mbajë i birësuari. Në rast mosmarrëveshjeje në lidhje me mbiemrin, fëmija merr mbiemrin e të atit. Me kërkesë të birësuesit ose të birësuesve, gjykata mund të ndryshojë emrin e të birësuarit. I birësuari merr për emër nëne dhe ati atë të birësuesit ose birësuesve të tij.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: