Ku bëhet deklarimi dhe regjistrimi i lindjes së fëmijëve?
Lindja e fëmijës deklarohet para nëpunësit të gjendjes civile nga prindërit, pjesëtarët madhorë të familjes, përfaqësuesit ligjorë ose kujdestarët, dhe, në pamundësi ose në mungesë të tyre, nga personat, që kanë të drejtë të vërtetojnë lindjen, si p.sh. personeli mjekësor që vërteton lindjen. Deklarimi mund të bëhet edhe nga përfaqësues të nënës, me prokurë të posaçme. Regjistrimi i lindjes së fëmijës bëhet në zyrën e gjendjes civile të vendbanimit të prindërve ose në vendin ku ka ndodhur lindja.
Për fëmijët e lindur jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga shtetas shqiptarë, me banim të përhershëm në Shqipëri, regjistrimi i lindjes së fëmijës bëhet në përfaqësitë diplomatike ose konsullore shqiptare, në vendin ku ka lindur. Kur kjo është e pamundur, regjistrimi bëhet edhe në shërbimin e gjendjes civile të atij vendi.
Sa është shpërblimi që përfiton nëna kur kryen regjistrimin e lindjes?
Kur regjistrimi i lindjeve kryhet brenda 60 ditëve, për lindjen brenda vendit, dhe brenda 90 ditëve, për lindjen jashtë vendit, nëna përfiton shpërblim në masën 5 000 (pesë mijë) lekë.
Çfarë është akti i lindjes?
Akti i lindjes vërteton ligjërisht lindjen e shtetasit. Akti i lindjes është procesverbali, që mbahet për çdo të lindur, i nënshkruar nga nëpunësi i gjendjes civile dhe deklaruesi.
Çfarë përmban akti i lindjes?
Akti i lindjes përmban:
- numrin rendor, datën e mbajtjes dhe zyrën e gjendjes civile;
- datën e plotë dhe orën e lindjes;
- vendin e lindjes;
- emrin dhe mbiemrin e caktuar;
- numrin e identitetit të fëmijës;
- gjininë;
- shtetësinë;
- faktin nëse ka lindur normal, binjak apo siamez;
- numrin e identitetit dhe identitetin e nënës;
- numrin e identitetit dhe identitetin e babait;
- identitetin, numrin e identitetit dhe cilësinë e deklaruesit;
- numrin e identitetit, emrin dhe mbiemrin e përkthyesit, kur nevojitet një i tillë.
Çfarë mund të ndryshohet në aktin e lindjes dhe kush mund ta bëjë këtë ndryshim?
Përmbajtja e aktit të lindjes, e pasqyruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile mund të ndryshohet për emrin, mbiemrin dhe shtetësinë e përkohshme:
- me kërkesë të shtetasit përkatës brenda 1 viti nga plotësimi i moshës madhore;
- nga nëpunësi i gjendjes civile kur bën plotësimin apo korrigjimin e aktit në rastet e parashikuara nga ligji;
- me vendim gjykate.
Kur konsiderohet i pavlefshëm akti i lindjes?
Akti i lindjes është absolutisht i pavlefshëm (nuk sjell pasoja juridike) kur nuk është mbajtur nga nëpunësi i shërbimit të gjendjes civile, ose kur nuk është nënshkruar qoftë edhe nga njëri prej personave të parashikuar nga ligji, pra nëpunësi i gjendjes civile dhe deklaruesi. Në raste të tjera, akti i lindjes është relativisht i pavlefshëm (sjell pasoja juridike për sa kohë nuk shpallet nga gjykata si absolutisht i pavlefshëm).
Si vërtetohet përmbajtja e aktit të lindjes?
Lindja si fakt, koha, vendi, gjinia dhe amësia vërtetohen me certifikatën e asistencës së lindjes, me raport mjekësor ose procesverbal, të hartuar në kohën e lindjes, i cili vërtetohet nga personeli mjekësor i pranishëm ose në mungesë të tyre nga persona të tjerë të autorizuar nga ligji. Këto dokumente shërbejnë për plotësimin e aktit të lindjes. Në mungesë të dokumentacionit të përmendur më lart, vërtetimi i faktit të lindjes mund të provohet edhe nëpërmjet gjykatës.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.