Familja / Dhuna në familje
Dhuna në familje

Si mund të më mbrojë ligji nga dhuna në familje?

Sipas ligjit kundër dhunës në familje, gjykatat mund të vendosin masa mbrojtëse për viktimat përmes një procedure të thjeshtë siç është lëshimi i urdhërave të mbrojtjes. Pala e interesuar mund t’i kërkojë gjykatës lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, pa kërkuar paraprakisht nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Në rastin kur gjykata ka lëshuar një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, pala e interesuar mund të kërkojë lëshimin e një urdhri mbrojtës përkatës qe shërben për të rikonfirmuar vazhdimësinë e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, si dhe siguron masat mbrojtëse të përcaktuara.

Çfarë është dhuna në familje?

Ligji e përcakton dhunën në familje në formën e çdo veprimi apo mosveprimi të një personi ndaj një personi tjetër, që është apo ka qenë në marrëdhënie familjare, e që sjell si pasojë cenim të integritetit fizik, moral, psikologjik, seksual, social, ekonomik.

Cilat janë format e dhunës në familje?

Ka disa forma të ndryshme dhune në familje, dhe një person mund të jetë subjekt i më shumë se një forme. Ato janë:

Abuzimi fizik. Përfshin përdorimin e forcës fizike në mënyrë të atillë që lëndon dikë ose e vë atë person në rrezik lëndimi, duke përfshirë: rrahje, goditje, shkundje, shtyrje, mbytje, kafshime, djegie, shkelmime, ose sulme me armë. Forma të tjera të abuzimit fizik mund të përfshijnë izolim ose çdo përdorim tjetër të rrezikshëm apo të dëmshëm force ose shtrëngimi.

Abuzimi dhe shfrytëzimi seksual. Të detyrosh dikë që të marrë pjesë në veprimtari seksuale të padëshiruar, të pasigurtë ose degraduese, ose përdorimi i taktikave poshtëruese ose të tjera për të ulur, kontrolluar ose kufizuar seksualitetin e personave ose zgjedhjet e riprodhimit.

Abuzimi emocional. Nënvlerësimi në mënyrë të rregullt dhe të vazhdueshme i vlerave dhe cilësive njerëzore të viktimës, kriticizmi dhe poshtërimi i veprimeve të kryera prej saj.

Abuzimi psikologjik. Trëmbja, kërcënimi dhe krijimi i një situate frikësuese për viktimën, nëpërmjet veprimeve që e ndalojnë të kryejë takime pa leje apo moslejimi i daljes jashtë vendbanimit pa lejen e personit që ushtron këtë abuzim.

Abuzimi ekonomik ose financiar. Mosdhënia e parave që janë të domosdoshme për të siguruar ushqim apo trajtim mjekësor, shfrytëzimi i një personi për përfitim financiar, mohimi i aksesit për burime financiare, ose pengimi i një partneri që të punojë.

Cilat janë subjektet që mbrohen nga ligji për dhunën në familje?

Ligji mbron një person mbi të cilin është ushtruar dhunë, e cila ndodh midis tij dhe personave që janë ose kanë qenë në lidhje familjare me të. Mbron gjithashtu pjestarët e tjerë të familjes së këtij personi ose të afërmit e tjerë të tij, kur ata vetë bëhen viktima të dhunës në familje. Sipas ligjit, anëtarë të familjes janë:

  • bashkëshortët apo partneret bashkëjetues ose ish-bashkëshortët apo ish-partnerët bashkëjetues;
  • vëllezërit, motrat, përfshirë prindërit birësues dhe fëmijët e birësuar;
  • fëmijët dhe bashkëshortët e këtyre personave;
  • prindërit dhe fëmijët e birësuar të bashkëshortëve ose partnerëve bashkëjetues;
  • vëllezërit dhe motrat e bashkëshortëve nëse këta kanë jetuar bashkë gjatë 3 muajve të fundit;
  • fëmijët e bashkëshortëve ose partnerëve bashkëjetues.
  • bashkëshorti/ja ose bashkëjetuesi/ja apo ish-bashkëshorti/ja apo ish-partneri/ja bashkëjetues si dhe femijet e tyre
  • vëllezërit, motrat,si dhe femijet dhe bashkeshortet e ketyre personave
  • kujdestari dhe personi që ndodhet në kujdesin e tij gjatë kohës që vazhdon kujdestaria,
  • personat, të cilët janë ose kanë qenë në marrëdhënie intime, jo domosdoshmërisht të shoqëruar me bashkëjetesë, gëzojnë të njëjtën mbrojtje;
  • gjinia në vijë të drejtë, përfshirë edhe prindërit, edhe fëmijët e birësuar të bashkëshortit /es ose bashkëjetuesit/es;

Ligji për dhunën në familje mbron:

  • Shtetasit Shqiptarë me vendbanim ose vendqëndrim në territorin e Shqipërisë
  • Shtetasit e huaj që kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare
  • Personat pa shtetësi që kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare
  • Të huajt me qëndrim të rregullt për motive të ndryshme.

Cilat janë masat mbrojtëse për viktimat e dhunës në familje?

Viktima, çdo person i person i afërm ose perfaqësues i institucioneve përgjegjëse që konstaton raste të ushtrimit të dhunës në familje mund t’i drejtohet me anë të një kërkese postës së policisë më të afërt (të zonës ku banon ose ndodhet), njësisë përkatëse vendore (bashkisë), qendrës shëndetësore të zonës ku banon apo ndodhet ose me kërkesë-padi gjykatës së rrethit të vendbanimit, vendndodhjes së saj ose të dhunuesit/es, për të marrë masat e nevojshme.

Për hartimin e kërkesë-padisë, përgatitjen e akteve dhe paraqitjen e tyre në gjykatë kërkuesi (viktima, përfaqësuesi i tij) asistohet nga një avokat falas duke u shkarkuar dhe nga taksat e gjykatës. Me daljen e urdhrit të mbrojtjes, shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës që ka ushtruar dhunë në familje.

Kur seksioni familjar i gjykatës së juridiksionit civil merr në shqyrtim një kërkesë-padi të tillë ajo mund të vendosë njërën ose disa nga masat e mëposhtme mbrojtëse që kanë për synim mbrojtjen e viktimës së dhunës në familje:

  • duke urdhëruar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër të dhunës në familje ndaj paditësit/es (viktimës) apo pjesëtarëve të tjerë të familjes së viktimës;
  • duke urdhëruar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të mos cenojë, ngacmojë, kontaktojë apo të komunikojë drejtpërdrejt ose tërthorazi me viktimën apo pjesëtarë të familjes së viktimës;
  • duke larguar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) nga banesa për një afat kohor të caktuar me urdhër të gjykatës dhe të mos e lejojë të rihyjë në banesë pa autorizimin e gjykatës;
  • duke ndaluar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që t’i afrohet përtej një distance të caktuar viktimës apo pjesëtarëve të familjes së viktimës;
  • duke ndaluar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që t’i afrohet shtëpisë, vendit të punës, banesës së familjes së origjinës apo banesës së çiftit të ardhshëm ose të personave të tjerë dhe për më tepër shkollës së fëmijëve, ose vendeve të cilat frekuentohen më tepër nga viktima, me përjashtim të rasteve kur frekuentimi bëhet për arsye pune;
  • duke vendosur menjëherë viktimën/at dhe të miturit në strehime të përkohshme, duke mbajtur parasysh në çdo rast interesin më të lartë, atë të të miturit;
  • duke kufizuar ose duke ndaluar të paditurin/ën (dhunuesin/en) të takohet me fëmijën e viktimës, sipas kushteve të cilat mund të jenë të përshtatshme;
  • duke i ndaluar të paditurit/ës (dhunuesit/es) hyrjen ose qëndrimin në banesën e përkohshme apo të përhershme të viktimës, ose në ndonjë pjesë të saj, pavarësisht nga të drejtat e pronësisë apo të posedimit të dhunuesit;
  • duke urdhëruar një person të autorizuar nga gjykata (punonjës i rendit ose përmbarues gjyqësor) që të shoqërojë viktimën ose të paditurin/ën (dhunuesin/en) deri në banesën e viktimës dhe të mbikëqyrë largimin e pasurisë personale;
  • duke urdhëruar organet zbatuese të ligjit që të konfiskojnë çdo armë që i përket dhunuesit gjatë kontrollit të kryer apo të urdhërojë dhunuesin për të dorëzuar çdo armë që i përket atij;
  • duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të lejojë viktimën të posedojë banesën të cilën e përdorin së bashku viktima dhe dhunuesi/ja ose ndonjë pjesë të saj;
  • duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të paguajë qeranë e banesës së përhershme apo të përkohshme të viktimës, si dhe detyrimin ushqimor për viktimën, fëmijët apo pjesëtarë të tjerë të familjes që ka në ngarkim;
  • duke i kaluar viktimës të drejtën e kujdestarisë së përkohshme mbi fëmijët dhe duke i hequr përkohësisht përgjegjësinë prindërore të paditurit/ës (dhunuesit/es);
  • duke vendosur dhe duke urdhëruar sipas rastit (në kompetencë të gjykatës) ndërhyrjen e shërbimeve sociale, publike apo private të vendbanimit ose pranë organizatave që kanë si qëllim mbështetjen dhe pritjen e personave të dhunuar në familje;
  • duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të bëjë një pagesë periodike në favor të personave bashkëjetues, të cilët, për efekt të masës së mësipërme, mbeten të privuar nga mjetet e jetesës. Për të siguruar pagesën, gjykata mund të vendosë që shuma të derdhet nga punëdhënësi në favor të përfituesit. Një vendim i tillë përbën titull ekzekutiv;
  • duke përfshirë viktimën e dhunës në familje në programe rehabilitimi;
  • duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en) të marrë pjesë në programe rehabilitimi;
  • nëse i/e padituri/a (dhunuesi/ja) urdhërohet të shkojë në një program rehabilitimi, përgjegjësve të programit u kërkohet të raportojnë çdo javë në gjykatë nëse dhunuesi e ndjek apo merr pjesë në të.

Në varësi të nevojës për marrjen e masave mbrojtëse për viktimën e dhunës në familjë, gjykata vendos për lëshimin e urdhrit të mënjëhershëm të mbrojtjes dhe urdhrit të mbrojtjes.

Kush mund të paraqesë kërkesë për lëshimin e një urdhër mbrojtjeje?

Kërkesa për urdhër mbrojtjeje mund të paraqitet nga: • Vetë viktima;

• Përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës;

• Policia/Prokurori.

Nëse viktima është i mitur, kërkesën për urdhër mbrojtjeje në emrin e tij mund ta paraqesin: • prindi ose kujdestari i tij;

• përfaqësuesi ligjor ose avokati i tij;

• të afërmit e tij;

• përfaqësues të zyrës së shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës, ku ka banimin e përhershëm apo të përkohshëm viktima, kur ata kanë dijeni mbi dhunën e shkaktuar;

• qendrat dhe shërbimet për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje të njohura/licencuara nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta;

• policia apo prokuroria;

• personat ligjërisht përgjegjës për të miturin.

Kërkesa për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje mund të paraqitet nga: • viktima;

• përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës;

• policia/prokurori;

• një pjesëtar i familjes së viktimës;

• përfaqësues të zyrës së shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës, ku viktima ka banim të përhershëm apo të përkohshëm, të cilët kanë dijeni mbi incidentet e dhunës në familje që kanë ndodhur;

• qendra dhe shërbime për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje të përmendura më lart.

Në rastin kur kërkesa është paraqitur nga policia/prokuroria, tërheqja e viktimës nga procesi nuk sjell si pasojë mosgjykimin e çështjes së filluar.

Ku duhet të drejtohet viktima për të kërkuar një urdhër mbrojtjeje?

Për të kërkuar një urdhër mbrojtje të menjëhershëm ose një urdhër mbrojtje mund të drejtohet me kërkese-padi në Gjykatën e Juridiksionit Civil (seksioni familjar) të rrethit ku banon viktima ose dhunuesi.

A mund të ndryshohet / ndërpritet një urdhër mbrojtjeje?

Nëse rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht, viktima (përfaqësuesi i saj), dhunuesi ose prokurori, nëse ka marrë pjesë në proces, mund të paraqesë kërkesë për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit të mbrojtjes. Gjykata vazhdon shqyrtimin e kërkesës dhe në fund vendos: • lënien në fuqi të urdhrit të mbrojtjes;

• ndryshimin e urdhrit të mbrojtjes nëse kjo kërkohet nga rrethanat që kanë ndryshuar rrënjësisht

• ndërprerjen e tij për shkak të ndryshimit rrënjësor të rrethanave

Viktima ose përfaqësuesi i autorizuar prej saj, 15 ditë para përfundimit të efekteve të urdhrit të mbrojtjes, mund të parashtrojë kërkesën për vazhdimin e tij.Nëse nuk parashtrohet kërkesa, urdhri i mbrojtjes ndërpritet automatikisht në ditën e përfundimit të efekteve të tij.

Në rast të dhunës në familjeviktima, çdo person i afërm ose perfaqësues i institucioneve përgjegjëse mund t’i drejtohet me anë të një kërkese:

• Stacionit të policisë më të afërt (të zonës ku banon ose ndodhet), njësisë përkatëse vendore (komunë, bashki)

• qendrës shëndetësore të zonës ku banon apo ndodhet

• me kërkesë-padi gjykatës së rrethit të vendbanimit, vendndodhjes së personit ose të dhunuesit, duke u asistuar nga një avokat që ofron ndihmën juridike dytësore

• njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve (në strukturat vendore) në rastin kur të dëmtuar nga dhuna janë fëmijët.

• tek organizatat jofitimprurese për viktimat e dhunës në familje

Si mund të më mbrojë ligji nga dhuna në familje?

Sipas ligjit kundër dhunës në familje, gjykatat mund të vendosin masa mbrojtëse për viktimat përmes një procedure të thjeshtë siç është lëshimi i urdhërave të mbrojtjes. Pala e interesuar mund t’i kërkojë gjykatës lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, pa kërkuar paraprakisht nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Në rastin kur gjykata ka lëshuar një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, pala e interesuar mund të kërkojë lëshimin e një urdhri mbrojtës përkatës qe shërben për të rikonfirmuar vazhdimësinë e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, si dhe siguron masat mbrojtëse të përcaktuara.

Urdhri për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme – urdher i arsyetuar që nxirret nga titullari i strukturës përgjegjëse të Policisë së Shtetit dhe përmban masat e menjëhershme për ndalimin e dhunës, që merren nga organet përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje pranë Policisë së Shtetit, deri në marrjen e vendimit nga gjykata. Ky urdhër urdhëron largimin e menjëhershëm të dhunuesit nga banesa, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë.

Mund te caktohen edhe masat e mëposhtme:

• urdhërimi i dhunuesit që të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë veprime të mëtejshme të dhunës në familje ndaj viktimës ose pjesëtarëve të tjerë të familjessë viktimës; • urdhërimi i dhunuesit që të mos cenojë, ngacmojë, kontaktojë ose të komunikojë

• drejtpërdrejt ose tërthorazi me viktimën ose pjesëtarë të familjes së viktimës;

• ndalimi menjëherë i dhunuesit, që t’i afrohet strehës, vendit të punës, banesës së familjes së origjinës ose të banesës së personave të tjerë dhe institucioneve arsimore, ose vendeve të cilat frekuentohen më tepër nga viktima, me përjashtim të rasteve kur frekuentimi bëhet për arsye pune;

• vendosja menjëherë e viktimës në një qendër rezidenciale ose emergjence për viktimat e dhunës në familje deri në marrjen e vendimit nga gjykata;

• urdhërimi i një punonjësi të Policisë së Shtetit, që të shoqërojë viktimën në qendrën

• rezidenciale ose të emergjencës;

• dh) urdhërimin e një punonjësi të Policisë së Shtetit që të shoqërojë viktimën deri në

• vendbanimin e tij/të saj dhe të mbikëqyrë marrjen e sendeve personale;

• bllokimi i çdo arme me leje që i përket dhunuesit gjatë kontrollit të kryer apo sekuestrimi i çdo arme pa leje që i përket atij, deri në marrjen e vendimit nga gjykata.

Brenda 48 orëve nga marrja e masave, organet përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, pranë Policisë së Shtetit, paraqesin përpara gjykatës kërkesë për vlerësimin e masave paraprake të mbrojtjes së menjëhershme dhe kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Këtë të drejtë për të kërkuar vlerësimin e urdhrit për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme përpara gjykatës e ka edhe vete viktima brenda 48 orëve, nga dita e lëshimit të tij.

Urdhër mbrojtjeje - është urdhri i lëshuar me vendim gjykate, te juridiksionit të përgjithshëm te shkallës së parë, ku parashikohen masat mbrojtëse për viktimën, fëmijët dhe sipas rastit, masa për rehabilitimin e dhunuesit.

Gjykata vendos për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes brenda 15 ditëve nga dita e regjistrimit të kërkesës pasi ka dëgjuar gjatë shqyrtimit:

• viktimën ose përfaqësuesin ligjor apo avokatin e saj;

• të paditurin (dhunuesin) ose përfaqësuesin ligjor apo avokatin e tij/saj;

• prokurorin, nëse ky ka paraqitur kërkesën;

• përfaqësuesit e policisë; punonjësit e qendrave shëndetësore apo të qendrave të shërbimit dhe rehabilitimit, të cilët kanë asistuar viktimën pas ushtrimit të dhunës mbi të; dëshmitarët, të cilët gjykata i konsideron të domosdoshëm. Gjykata, si masë mbrojtëse të dhunës në familje, urdhëron menjëherë largimin e dhunuesit nga banesa për një afat kohor të caktuar, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Vendimi përfundimtar i gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes përmban:

• masën e caktuar nga gjykata;

• kohëzgjatjen e masës, e cila nuk mund të jetë më e gjatë se 12 muaj, por me të drejtë shtyrjeje;

• njoftimin se shkelja e urdhrit të mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, përbën vepër penale;

• njoftimin për të drejtën e ankimit ndaj urdhrit të mbrojtjes. Ky urdhër i lëshuar me vendim gjykate, i njoftohet menjëherë dhunuesit, i cili nuk ka qenë i pranishëm gjatë seancës gjyqësore.

Gjykata cakton një ose më shumë masa mbrojtje në urdhrin e mbrojtjes të cilat janë:

• duke urdhëruar menjëherë dhunuesin që të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër të dhunës në familje ndaj viktimës apo anëtarëve të tjerë të familjes së viktimës

• duke urdhëruar menjëherë dhunuesin që të mos cenojë, ngacmojë, kontaktojë apo të komunikojë drejtpërdrejt ose tërthorazi me viktimën apo pjesëtarë të familjes së viktimës

• duke ndaluar menjëherë të paditurin, dhunuesin që t’i afrohet përtej një distance të caktuar viktimës apo pjesëtarëve të familjes së viktimës

• duke vendosur menjëherë viktimën ose viktimat dhe të miturit në strehime të përkohshme, duke mbajtur parasysh në çdo rast interesin më të lartë, atë të të miturit

• duke kufizuar ose duke ndaluar dhunuesin të takohet me fëmijën e viktimës

• duke i ndaluar dhunuesit hyrjen ose qëndrimin në banesën e përkohshme apo të përhershme të viktimës, ose në ndonjë pjesë të saj, pavarësisht nga të drejtat e pronësisë

• duke urdhëruar një person të autorizuar nga gjykata që të shoqërojë viktimën ose të paditurin (dhunuesin) deri në banesën e viktimës dhe të mbikëqyrë largimin e pasurisë personale

• duke urdhëruar organet zbatuese të ligjit që të sekuestrojnë çdo armë që i përket dhunuesit gjatë kontrollit të kryer apo të urdhërojë dhunuesin për të dorëzuar çdo armë që i përket atij;

• duke urdhëruar dhunuesin që të lejojë viktimën të posedojë banesën të cilën e përdorin së bashku viktima dhe dhunuesi/ja, ose ndonjë pjesë të saj;

• duke urdhëruar dhunuesin që të paguajë qeranë e banesës së përhershme apo të përkohshme të viktimës, si dhe detyrimin ushqimor për viktimën, fëmijët apo pjesëtarë të tjerë të familjes që ka në ngarkim

• duke i hequr dhunuesit, përkohësisht, përgjegjësinë prindërore ose, nëse është rasti, kujdestarinë mbi të miturin

• duke përfshirë viktimën e dhunës në familje në programe rehabilitimi

Urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje - është urdhri i lëshuar përkohësisht me vendim gjykate, i vlefshëm deri në lëshimin e urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate.

Gjykata vendos në lidhje me kërkesën për mbrojtje të menjëhershme:

• të një të mituri, brenda 24 orëve pas parashtrimit të kërkesës; • të subjekteve të tjera të dhunës në marrëdhëniet familjare, brenda 48 orëve pas parashtrimit të kërkesës.

Ky urdhër lëshohet nëse konstatohet se:

• ekzistojnë bazat për të besuar se dhunuesi ka kryer ose ka kërcënuar se do të kryejë ndonjë vepër të dhunës në familje • dhunuesi paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm për sigurinë, shëndetin ose mirëqenien e viktimës dhe të anëtarëve të tjerë të familjes së viktimës • lëshimi i urdhrit të menjëhershëm është i nevojshëm për të mbrojtur sigurinë, shëndetin, mirëqenien e viktimës apo të anëtarëve të tjerë të familjes së viktimës.

Vendimi ekzekutohet menjëherë nga organet e policisë, në bashkëpunim me shërbimin përmbarimor gjyqësor dhe zyrën e shërbimeve sociale të njësisë se vetëqeverisjes vendore ku janë me banim të përhershëm ose të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë. Ky vendim nuk mund te ankimohet.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: