Familja / Dhuna në familje
Dhuna në familje

Çfarë është dhuna në familje?

Ligji e përcakton dhunën në familje në formën e çdo veprimi apo mosveprimi të një personi ndaj një personi tjetër, që është apo ka qenë në marrëdhënie familjare, e që sjell si pasojë cenim të integritetit fizik, moral, psikologjik, seksual, social, ekonomik.

Cilat janë format e dhunës në familje?

Ka disa forma të ndryshme dhune në familje, dhe një person mund të jetë subjekt i më shumë se një forme. Ato janë:

Abuzimi fizik. Përfshin përdorimin e forcës fizike në mënyrë të atillë që lëndon dikë ose e vë atë person në rrezik lëndimi, duke përfshirë: rrahje, goditje, shkundje, shtyrje, mbytje, kafshime, djegie, shkelmime, ose sulme me armë. Forma të tjera të abuzimit fizik mund të përfshijnë izolim ose çdo përdorim tjetër të rrezikshëm apo të dëmshëm force ose shtrëngimi.

Abuzimi dhe shfrytëzimi seksual. Të detyrosh dikë që të marrë pjesë në veprimtari seksuale të padëshiruar, të pasigurtë ose degraduese, ose përdorimi i taktikave poshtëruese ose të tjera për të ulur, kontrolluar ose kufizuar seksualitetin e personave ose zgjedhjet e riprodhimit.

Abuzimi emocional. Nënvlerësimi në mënyrë të rregullt dhe të vazhdueshme i vlerave dhe cilësive njerëzore të viktimës, kriticizmi dhe poshtërimi i veprimeve të kryera prej saj.

Abuzimi psikologjik. Trëmbja, kërcënimi dhe krijimi i një situate frikësuese për viktimën, nëpërmjet veprimeve që e ndalojnë të kryejë takime pa leje apo moslejimi i daljes jashtë vendbanimit pa lejen e personit që ushtron këtë abuzim.

Abuzimi ekonomik ose financiar. Mosdhënia e parave që janë të domosdoshme për të siguruar ushqim apo trajtim mjekësor, shfrytëzimi i një personi për përfitim financiar, mohimi i aksesit për burime financiare, ose pengimi i një partneri që të punojë.

Cilat janë subjektet që mbrohen nga ligji për dhunën në familje?

Ligji mbron një person mbi të cilin është ushtruar dhunë, e cila ndodh midis tij dhe personave që janë ose kanë qenë në lidhje familjare me të. Mbron gjithashtu pjestarët e tjerë të familjes së këtij personi ose të afërmit e tjerë të tij, kur ata vetë bëhen viktima të dhunës në familje. Sipas ligjit, anëtarë të familjes janë:

  • bashkëshortët apo partneret bashkëjetues ose ish-bashkëshortët apo ish-partnerët bashkëjetues;
  • vëllezërit, motrat, përfshirë prindërit birësues dhe fëmijët e birësuar;
  • fëmijët dhe bashkëshortët e këtyre personave;
  • prindërit dhe fëmijët e birësuar të bashkëshortëve ose partnerëve bashkëjetues;
  • vëllezërit dhe motrat e bashkëshortëve nëse këta kanë jetuar bashkë gjatë 3 muajve të fundit;
  • fëmijët e bashkëshortëve ose partnerëve bashkëjetues.

Cilat janë masat mbrojtëse për viktimat e dhunës në familje?

Viktima, çdo person i person i afërm ose perfaqësues i institucioneve përgjegjëse që konstaton raste të ushtrimit të dhunës në familje mund t’i drejtohet me anë të një kërkese postës së policisë më të afërt (të zonës ku banon ose ndodhet), njësisë përkatëse vendore (bashkisë), qendrës shëndetësore të zonës ku banon apo ndodhet ose me kërkesë-padi gjykatës së rrethit të vendbanimit, vendndodhjes së saj ose të dhunuesit/es, për të marrë masat e nevojshme.

Për hartimin e kërkesë-padisë, përgatitjen e akteve dhe paraqitjen e tyre në gjykatë kërkuesi (viktima, përfaqësuesi i tij) asistohet nga një avokat falas duke u shkarkuar dhe nga taksat e gjykatës. Me daljen e urdhrit të mbrojtjes, shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës që ka ushtruar dhunë në familje.

Kur seksioni familjar i gjykatës së juridiksionit civil merr në shqyrtim një kërkesë-padi të tillë ajo mund të vendosë njërën ose disa nga masat e mëposhtme mbrojtëse që kanë për synim mbrojtjen e viktimës së dhunës në familje:

  • duke urdhëruar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër të dhunës në familje ndaj paditësit/es (viktimës) apo pjesëtarëve të tjerë të familjes së viktimës;
  • duke urdhëruar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të mos cenojë, ngacmojë, kontaktojë apo të komunikojë drejtpërdrejt ose tërthorazi me viktimën apo pjesëtarë të familjes së viktimës;
  • duke larguar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) nga banesa për një afat kohor të caktuar me urdhër të gjykatës dhe të mos e lejojë të rihyjë në banesë pa autorizimin e gjykatës;
  • duke ndaluar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që t’i afrohet përtej një distance të caktuar viktimës apo pjesëtarëve të familjes së viktimës;
  • duke ndaluar menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) që t’i afrohet shtëpisë, vendit të punës, banesës së familjes së origjinës apo banesës së çiftit të ardhshëm ose të personave të tjerë dhe për më tepër shkollës së fëmijëve, ose vendeve të cilat frekuentohen më tepër nga viktima, me përjashtim të rasteve kur frekuentimi bëhet për arsye pune;
  • duke vendosur menjëherë viktimën/at dhe të miturit në strehime të përkohshme, duke mbajtur parasysh në çdo rast interesin më të lartë, atë të të miturit;
  • duke kufizuar ose duke ndaluar të paditurin/ën (dhunuesin/en) të takohet me fëmijën e viktimës, sipas kushteve të cilat mund të jenë të përshtatshme;
  • duke i ndaluar të paditurit/ës (dhunuesit/es) hyrjen ose qëndrimin në banesën e përkohshme apo të përhershme të viktimës, ose në ndonjë pjesë të saj, pavarësisht nga të drejtat e pronësisë apo të posedimit të dhunuesit;
  • duke urdhëruar një person të autorizuar nga gjykata (punonjës i rendit ose përmbarues gjyqësor) që të shoqërojë viktimën ose të paditurin/ën (dhunuesin/en) deri në banesën e viktimës dhe të mbikëqyrë largimin e pasurisë personale;
  • duke urdhëruar organet zbatuese të ligjit që të konfiskojnë çdo armë që i përket dhunuesit gjatë kontrollit të kryer apo të urdhërojë dhunuesin për të dorëzuar çdo armë që i përket atij;
  • duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të lejojë viktimën të posedojë banesën të cilën e përdorin së bashku viktima dhe dhunuesi/ja ose ndonjë pjesë të saj;
  • duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të paguajë qeranë e banesës së përhershme apo të përkohshme të viktimës, si dhe detyrimin ushqimor për viktimën, fëmijët apo pjesëtarë të tjerë të familjes që ka në ngarkim;
  • duke i kaluar viktimës të drejtën e kujdestarisë së përkohshme mbi fëmijët dhe duke i hequr përkohësisht përgjegjësinë prindërore të paditurit/ës (dhunuesit/es);
  • duke vendosur dhe duke urdhëruar sipas rastit (në kompetencë të gjykatës) ndërhyrjen e shërbimeve sociale, publike apo private të vendbanimit ose pranë organizatave që kanë si qëllim mbështetjen dhe pritjen e personave të dhunuar në familje;
  • duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të bëjë një pagesë periodike në favor të personave bashkëjetues, të cilët, për efekt të masës së mësipërme, mbeten të privuar nga mjetet e jetesës. Për të siguruar pagesën, gjykata mund të vendosë që shuma të derdhet nga punëdhënësi në favor të përfituesit. Një vendim i tillë përbën titull ekzekutiv;
  • duke përfshirë viktimën e dhunës në familje në programe rehabilitimi;
  • duke urdhëruar të paditurin/ën (dhunuesin/en) të marrë pjesë në programe rehabilitimi;
  • nëse i/e padituri/a (dhunuesi/ja) urdhërohet të shkojë në një program rehabilitimi, përgjegjësve të programit u kërkohet të raportojnë çdo javë në gjykatë nëse dhunuesi e ndjek apo merr pjesë në të.

Në varësi të nevojës për marrjen e masave mbrojtëse për viktimën e dhunës në familjë, gjykata vendos për lëshimin e urdhrit të mënjëhershëm të mbrojtjes dhe urdhrit të mbrojtjes.

Kush mund të paraqesë kërkesë për lëshimin e një urdhër mbrojtjeje?

Kërkesa për urdhër mbrojtjeje mund të paraqitet nga:

  • Vetë viktima;
  • Përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës;
  • Policia/Prokurori.

Nëse viktima është i mitur, kërkesën për urdhër mbrojtjeje në emrin e tij mund ta paraqesin:

  • prindi ose kujdestari i tij;
  • përfaqësuesi ligjor ose avokati i tij;
  • të afërmit e tij;
  • përfaqësues të zyrës së shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës, ku ka banimin e përhershëm apo të përkohshëm viktima, kur ata kanë dijeni mbi dhunën e shkaktuar;
  • qendrat dhe shërbimet për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje të njohura/licencuara nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta;
  • policia apo prokuroria;
  • personat ligjërisht përgjegjës për të miturin.

Kërkesa për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje mund të paraqitet nga:

  • viktima;
  • përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës;
  • policia/prokurori;
  • një pjesëtar i familjes së viktimës;
  • përfaqësues të zyrës së shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës, ku viktima ka banim të përhershëm apo të përkohshëm, të cilët kanë dijeni mbi incidentet e dhunës në familje që kanë ndodhur;
  • qendra dhe shërbime për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje të përmendura më lart.

Ku duhet të drejtohet viktima për të kërkuar një urdhër mbrojtjeje?

Për të kërkuar një urdhër mbrojtje të menjëhershëm ose një urdhër mbrojtje mund të drejtohet me kërkese-padi në Gjykatën e Juridiksionit Civil (seksioni familjar) të rrethit ku banon viktima ose dhunuesi.

Si lëshohet një urdhër mbrojtjeje?

Urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes lëshohet me vendim të gjykatës brenda 48 orëve nga paraqitja e kërkesës në rastet kur:

  • ekzistojnë bazat për të besuar se i/e padituri/a (dhunuesi/ja) ka kryer ose ka kërcënuar se do të kryejë ndonjë vepër të dhunës në familje; ose
  • i/e padituri/a (dhunuesi/ja) paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm për sigurinë, shëndetin ose mirëqenien e viktimës dhe të anëtarëve të tjerë të familjes së viktimës; ose
  • lëshimi i urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes me vendim gjykate është i nevojshëm për të mbrojtur sigurinë, shëndetin, mirëqenien e viktimës apo të anëtarëve të tjerë të familjes së viktimës, që mbrohen me anë të urdhrit të mbrojtjes.

Vendimi gjyqësor për lëshimin e Urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes përmban një ose më shumë prej masave mbrojtëse të parashikuara me ligj. Vendimi gjyqësor për lëshimin e Urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes u njoftohet palëve dhe ekzekutohet menjëherë nga zyra e shërbimit përmbarimor gjyqësor.

Urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes është një urdhër i përkohshëm, deri në lëshimin e një urdhri mbrojtjeje, i cili mund të zgjasë disa orë, ose disa ditë por në një maksimum prej jo më shumë se 20 ditësh.

Nëse lëshohet një urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, gjykata duhet të caktojë një seancë dëgjimore brenda 20 ditësh nga lëshimi dhe të vendosë nëse do ta zëvendësojë urdhrin e menjëhershëm me një urdhër mbrojtjeje të zakonshëm ose jo. Të paditurit (dhunuesit) do t’i kërkohet të jetë i pranishëm në seancë, por nëse ai ose ajo nuk paraqitet, seanca do të vazhdojë normalisht për sa kohë i/e padituri/ra është njoftuar. Mosfunksionimi i sistemit postar, nuk përbën arsye për të shtyrë seancën dëgjimore.

Urdhri i mbrojtjes: Vendimi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes jepet nga gjykata brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesë-padisë. Vendimi i gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes përcakton një sërë masash mbrojtëse nga ato të përmendura më lart, për viktimën/viktimat e dhunës në familje. Gjykata lëshon urdhrin e mbrojtjes nëse gjen prova të mjaftueshme për të besuar se dhunuesi mund të kryejë një veprim dhune në familje ose kur lëshimi i urdhrit të mbrojtjes është i domosdoshëm për të mbrojtur sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e viktimës ose anëtarëve të familjes.

Kohëzgjatja e zbatimit të masave mbrojtëse që përmban vendimi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes mund të jetë deri në 12 muaj me të drejtë shtyrjeje. Ekzekutimi i vendimit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes bëhet mënjëherë pasi vendimi merr formë të prerë.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: