Çfarë është kujdestaria?
Kujdestaria është vendosja e një të mituri ose një personit të cilit i është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar nën kontrollin dhe kujdesin e një personi ose organeve përkatëse shtetërore. Qëllimi i kujdestarisë është mbrojtja e personalitetit, pasurisë, të drejtave dhe interesave të të miturve dhe personave të tjerë, që nuk janë në gjendje të kujdesen për veten.
Çfarë cilësish duhet të zotërojë kujdestari?
Nisur nga rëndësia e marrëdhënies së kujdestarisë, subjekti i cili mund të caktohet kujdestar duhet të konsiderohet i aftë të kryejë përgjegjësinë e ngarkuar, në mungesë të një sërë kriteresh, ekzistenca e të cilave e përjashton atë nga kryerja e kësaj detyre.
Kështu, nuk mund të caktohet kujdestar personi që:
- është vetë në kujdestari;
- ka konflikt interesash me të miturin;
- nuk ka administrimin e lirë të pasurisë së tij;
- është përjashtuar nga kujdestaria për shkak të deklarimit me shkrim të prindit që ka ushtruar i fundit përgjegjësinë prindërore;
- ka humbur ose i është hequr përgjegjësia prindërore, ose i është hequr detyra e kujdestarit në një rast tjetër;
- është i dënuar me burgim për një vepër penale dhe është gjatë kohës së vuajtjes së dënimit, si dhe kur është dënuar për krime ndaj të miturve;
- ka mbushur moshën 65 vjeç;
- për shkak të gjendjes së tij shëndetësore nuk mund ta ushtrojë me lehtësi kujdestarinë;
- ushtron përgjegjësinë prindërore në më shumë se tre fëmijë;
- është i ngarkuar me më shumë se dy kujdestari;
- nuk jep pëlqimin për të qenë kujdestar.
Edhe pse pengesat ligjore të sipërpërmendura janë pengesa absolute për caktimin e një personi si kujdestar, kjo nuk do të thotë se çdo person që nuk i ka këto cilësi mund të caktohet pa hezitim kujdestar i një fëmije apo një personi pa zotësi të plotë ose të kufizuar për të vepruar.
Personat që nuk i kanë pengesat e sipërcituara janë vetëm kandidatë potencialë për të qenë kujdestar. Gjykata është e detyruar të hetojë e verifikojë mirë rast pas rasti cilësitë e tyre si edhe përshtatshmërinë e çdo kandidati me personin që do të vihet në kujdestari.
Si përballohet financiarisht detyra e kujdestarit?
Detyra e kujdestarit, si rregull është pa pagesë. Gjykata, duke pasur parasysh madhësinë e pasurisë dhe vështirësitë e administrimit ose shërbimit për të miturin, mund t’i caktojë kujdestarit një kompensim të arsyeshëm nga pasuria e të miturit.
Kur duhet të vendosen të miturit në kujdestari?
Vendosja e të miturve në kujdestari parashikohet në ato raste kur:
- prindërit e tyre janë në pamundësi për të ushtruar përgjegjësinë prindërore;
- për shkak se të dy prindërit kanë vdekur ose nuk njihen;
- prindërit janë shpallur si të pagjetur;
- prindërve iu është hequr përgjegjësia prindërore ose iu është hequr zotësia për të vepruar;
- si dhe për çdo shkak tjetër të pranuar nga gjykata.
Kush ka të drejtë të kërkojë vendosjen e kujdestarisë mbi të miturin?
Të drejtën për paraqitjen e kërkesës në gjykatë për vendosjen e kujdestarisë mbi të miturin e kanë:
- të afërmit e fëmijës së mitur;
- cilido që merr njoftim për mbetjen e fëmijës pa prindër ose për lindjen e një fëmije me prindër të panjohur;
- vetë i mituri që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç;
- prokurori;
- noteri, i cili në çeljen e një testamenti vihet në dijeni për caktimin e një kujdestari.
Çfarë duhet të vendosë gjykata në lidhje me kujdestarinë e të miturit?
Gjykata vendos si kujdestar personin e caktuar nga prindi, që ka ushtruar i fundit përgjegjësinë prindërore, me testament ose deklaratë noteriale. Kujdestari i caktuar në këtë mënyrë, nuk është i detyruar të pranojë kujdestarinë.
Gjykata i jep prioritet zgjedhjes së kujdestarit midis paraardhësve (gjyshi, gjyshja, etj), personave të afërt të të miturit, një familjeje kujdestare dhe, si alternativë të fundit, institucionit publik ose privat. Para se gjyqtari të caktojë kujdestarin, duhet të dëgjojë personin e zgjedhur si të tillë dhe të marrë mendimin e të miturit nëse ai ka mbushur moshën dhjetë vjeç.
Caktimi i kujdestarit nga gjykata bëhet duke parë cilësitë e personit kujdestar, të familjes kujdestare të zgjedhur ose të institucionit të përkujdesjes, si dhe pasi ka dëgjuar mendimin e një psikologu, që duhet të jetë i pranishëm gjatë gjykimit.
Në regjistrin e kujdestarisë, që ndodhet pranë gjykatës, regjistrohen vendosja dhe mbarimi i kujdestarisë, përjashtimi ose shkarkimi nga detyra i kujdestarit ose kujdestarit të posaçëm, rezultatet e inventarëve të llogarive të të miturit nën kujdestari dhe të gjitha masat që sjellin ndryshime në statusin vetjak ose pasuror të të miturit.
Si veprohet me të miturit të cilët nuk kanë të afërm të njohur ose të aftë për të ushtruar detyrën e kujdestarit?
Të miturit të cilët nuk kanë të afërm të njohur ose të aftë për të ushtruar detyrën e kujdestarit, gjykata mund t’i dërgojë në një institucion publik ose privat të licencuar për përkujdesjen e fëmijëve.
Drejtuesi i institucionit i delegon njërit prej punonjësve të tij të drejtën e ushtrimit të funksioneve të kujdestarit dhe me pas i dergon gjykatës aktin përkatës, i cili depozitohet në dosjen gjyqësore dhe pasqyrohet në regjistrin e kujdestarisë.
Çfarë kuptojmë me “familje kujdestare”?
Familja kujdestare është një familje alternative, e vendosur nga gjykata, për t’i ofruar fëmijës një mjedis familjar, kushte për mirërritje, përkujdesje fizike dhe mbështetje emocionale. Evidentimi i familjeve kujdestare është përgjegjësi e sektorit të ndihmës dhe shërbimit social pranë bashkisë ku banon i mituri, e cila realizohet me firmosjen e një deklarate gatishmërie nga familja për të marrë fëmijë në kujdestari.
Cilat janë funksionet e kujdestarit të të miturit?
Kujdestari kujdeset për të miturin, e përfaqëson atë në të gjitha veprimet juridike dhe administron pasurinë e tij në përputhje me ligjin.
Kur vendoset kujdestaria e posaçme për të miturin dhe cilat janë funksionet e saj?
“Kujdestaria e posaçme” sikundër nënkuptohet edhe nga vetë emërtimi, është një kujdestari jo e zakonshme, pa shtrirje të gjatë kohore dhe që vendoset për të garantuar interesa të veçanta të personave nën kujdestari. Për shkak të natyrës së saj të veçantë kjo kujdestari, ndryshe nga kujdestaritë e tjera, mund të vendoset nga gjykata edhe në kushtet kur i mituri apo personi pa zotësi të plotë për të vepruar është nën kujdesin e prindërve të tij. Kujdestaria e posaçme vendoset në ato raste kur ka konflikt interesash midis të miturit ose personit pa zotësi të plotë ose të kufizuar për të vepruar dhe prindërve, motrave dhe vëllezërve të tij, apo kujdestarit, ose kur këta të fundit për shkaqe nga të ndryshme pengohen a janë të paaftë të ushtrojnë funksionet e tyre të kujdestarisë.
Pra, kujdestaria e posaçme ka funksione më të kufizuara se kujdestaritë e tjera, por jo më pak të rëndësishme. Funksionet e kujdestarit të posaçëm janë të lidhura me përfaqësimin në veprime juridike të personave të vënë nën kujdestarinë e tij të posaçme. Sidoqoftë është gjykata ajo që do të caktojë funksionet konkrete të çdo kujdestari të posaçëm.
Megjithatë, ligji përmend këto funksione të kujdestarit të posaçëm:
- Përfaqëson të miturin në rastet kur interesi i tij është në konflikt me interesin e kujdestarit.
- Përfaqëson të miturin dhe mund të kryejë të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe administrimin e pasurisë në raste urgjente.
Kujdestaria e posaçme mbaron kur pushojnë shkaqet për të cilat është vendosur, me të njëjtën procedurë me të cilën ajo është vendosur.
Kujdestari i posaçëm caktohet nga gjykata mbi bazën e kërkesës së prindit, të kujdestarit, të afërmve të të miturit, të miturit që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç dhe personave të interesuar.
Mbarimi i kujdestarisë së posaçme bëhet me kërkesën e prindit, të kujdestarit, të afërmve të të miturit, të miturit që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç dhe personave të interesuar.
Kur zëvendësohet kujdestari i të miturit dhe kush mund ta kërkojë këtë gjë?
Detyra e kujdestarit nuk përfundon vetëm kur shkaqe që lidhen me personin e vënë në kujdestari. Gjatë ushtrimit të kujdestarisë gjykata mund ta zëvendësojë me një tjetër kur vëren se kujdestari shpërdoron të drejtat e tij, tregohet i pakujdesshëm në kryerjen e detyrës ose vë në rrezik interesat e të miturit, si dhe kur vetë kujdestari kërkon largimin e tij. Kërkesa për zëvendësimin e kujdestarit mund të bëhet nga personat e interesuar (p.sh. të afërmit) ose prokurori.
Kur mbaron kujdestaria e të miturit?
Kujdestaria mbaron kur fëmija:
- bëhet madhor;
- vdes;
- fiton zotësinë për të vepruar me martesë.
Kur vendosen në kujdestari personat madhorë?
Vendosja e personave madhorë në kujdestari bëhet në rastin kur atyre u është hequr apo kufizuar zotësia për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë. Gjykata, në vendimin për heqjen ose kufizimin e zotësisë për të vepruar, cakton dhe kujdestarin për personin që i hiqet ose i kufizohet zotësia për të vepruar.
Cilat rregulla zbatohen për kujdestarinë e personave madhorë?
Për kujdestarinë e personave madhorë, të cilëve u është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, zbatohen të njëjtat rregulla si për kujdestarinë e të miturve.
Cilat janë funksionet e kujdestarit të një personi madhor?
Kujdestari i personit, të cilit i është hequr zotësia për të vepruar, përfaqëson dhe administron pasurinë e tij, ashtu si prindi përfaqëson dhe administron pasurinë e të miturit që nuk ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç. Kujdestari i personit, të cilit i është kufizuar zotësia për të vepruar, jep pëlqimin dhe administron pasurinë e tij, ashtu si prindi jep pëlqimin dhe administron pasurinë e të miturit që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç.
Kujdestari i personit, të cilit i është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, detyrohet të kujdeset për personin dhe sidomos për mjekimin e tij.
Kur mbaron kujdestaria mbi personin madhor?
Kujdestaria mbi personin madhor, të cilit i është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, pushon kur kjo zotësi i është kthyer me vendim të gjykatës.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.