Familja / Martesa
Martesa

Çfarë është martesa?

Martesa është bashkëjetesa ligjore, e cila mbështetet në barazinë morale dhe juridike të bashkëshortëve, në ndjenjën e dashurisë, respektit dhe mirëkuptimit reciprok, si baza të unitetit në familje.

Cilat janë kushtet për lidhjen e martesës?

Martesa lidhet me pëlqim të lirë, përpara nëpunësit të gjendjes civile, mes një burri dhe një gruaje që ka mbushur moshën 18 vjeç. Përjashtimi: Gjykata për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën përpara arritjes së kësaj moshe. Kërkesa për autorizimin e lidhjes së martesës, bëhet nga vetë i mituri. Konstatohet se “shkaqet me rëndësi”, më të ndeshura në praktikën gjyqësore, në bazë të të cilave, i mituri pretendon lidhjen e martesës përpara moshës së lejuar nga ligji janë: shtatzënia, lindja e një fëmije, bashkëjetesa. I mituri që kërkon autorizimin e lidhjes së martesës duhet të provojë ekzistencën e një shkaku me rëndësi që përligj lidhjen e martesës, ashtu dhe ekzistencën e një pjekurie fizike e psikike, të domosdoshme për të kuptuar rëndësinë e martesës dhe për të përmbushur detyrimet që rrjedhin prej saj.

Cilat janë pengesat ligjore për lidhjen e martesës?

Konsiderohen pengesa ligjore për lidhjen e martesës, ekzistenca e rrethanave të mëposhtme, të cilat pengojnë lidhjen e martesës. Martesa e lidhur në këto kushte, konsiderohet e pavlefshme. Pengesat ligjore për lidhjen e martesës janë:

  • Ekzistenca e një martese të mëparshme, e cila nuk është shpallur e pavlefshme ose nuk është zgjidhur.
  • Lidhja gjinore, sipas të cilës nuk mund të lidhin martesë midis tyre të paralindurit dhe të paslindurit (ati me të bijën, nëna me djalin, gjyshi me mbesën, gjyshja me nipin), vëllai dhe motra, ungji dhe mbesa, emta dhe nipi, si dhe fëmijët e vëllezërve dhe të motrave. Gjykata, për shkaqe me rëndësi, mund të lejojë martesën midis fëmijëve të vëllezërve dhe të motrave.
  • Lidhja e krushqisë, sipas së cilës nuk mund të lidhin martesë midis tyre vjehrri dhe nusja, vjehrra dhe dhëndri, njerku dhe thjeshtra, njerka dhe thjeshtri, pavarësisht se martesa që ka krijuar këtë lidhje është shpallur e pavlefshme, ka pushuar ose është zgjidhur.
  • Ekzistenca e një sëmundje të rëndë psikike ose zhvillim mendor të metë, që e bën personin të paaftë të kuptojë qëllimin e martesës.
  • Ekzistenca e një marrëdhënie kujdestarie midis kujdestarit dhe personit që ndodhet në kujdesin e tij gjatë kohës që vazhdon kujdestaria.
  • Lidhja familjare që bazohet në marrëdhënien e birësimit, ku dallohet martesa midis birësuesit e të birësuarit dhe pasardhësve të tyre, të birësuarit dhe bashkëshortit të birësuesit, midis birësuesit e bashkëshortit të të birësuarit, midis të birësuarve, si dhe midis të birësuarit dhe fëmijëve të birësuesit.

Cilat janë veprimet që duhen kryer për lidhjen e martesës?

Përpara lidhjes së martesës, bashkëshortët e ardhshëm ose personi i caktuar nga ata me prokurë të posaçme bëjnë kërkesën për shpalljen e martesës në bashkinë ose komunën ku ata kanë vendbanimin ose vendqëndrimin. Shpallja afishohet në vendet e caktuara nga bashkia apo komuna nga nëpunesi i gjendjes civile, ku tregohet:

• identiteti i bashkëshortëve të ardhshëm;

• profesioni;

• vendbanimi dhe vendqëndrimi, si dhe

• vendi ku do të lidhet martesa.

Martesa nuk mund të lidhet pa kaluar 10 ditë nga e nesërmja e shpalljes. Personi që kërkon shpalljen, duhet ti paraqesë nëpunësit civil, certifikatat e lindjes të të dy bashkëshortëve të ardhshëm, si dhe çdo dokument tjetër që provon se nuk ekzistojnë pengesa për lidhjen e martesës. Me kalimin e afatit 10 ditor, nëpunësi i gjendjes civile, cakton ditën e lidhjes së martesës. Në ditën e caktuar për lidhjen e martesës, nëpunësi i gjendjes civile, pasi bindet për identitetin e bashkëshortëve të ardhshëm, në bazë të akteve dhe të thënieve të dëshmitarëve, si dhe të vetë bashkëshortëve të ardhshëm, në prani të dy dëshmitarëve, u lexon bashkëshortëve të ardhshëm nenet e Kodit të Familjes që përmbajnë të drejtat dhe detyrimet e bashkëshortëve, merr nga secili bashkëshort deklarimin se ata duan të lidhin martesë dhe, pasi merr pëlqimin e tyre, i shpall në emër të ligjit të martuar. Akti i martesës hartohet menjëherë, nënshkruhet nga bashkëshortët, dëshmitarët dhenëpunësi i gjendjes civile dhe regjistrohet në regjistrin e martesave. Martesa që nukështë lidhur publikisht dhe përpara nëpunësit të gjendjes civile është e pavlefshme. Akti i martesës është procesverbali i mbajtur nga nëpunësi i zyrës së gjendjes civile në bashki/njësi bashkiake/komunë, ku pasqyrohet vullneti i përbashkët i bashkëshortëve të ardhshëm, i shprehur në prani të nëpunësit të gjendjes civile, sipas përcaktimeve të Kodit të Familjes. Fakti juridik i martesës lind dhe vërtetohet me këtë dokument që hartohet në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi e që pasqyron vullnetin e personave, në prani të nëpunësit të gjendjes civile dhe të dy dëshmitarëve.

Në aktin e martesës pasqyrohen treguesit e mëposhtëm:

• zyra e gjendjes civile, ku kryhet akti i martesës;

• numri dhe data e mbajtjes së aktit të martesës;

• numri dhe data e shpalljes së martesës;

• numri dhe data e vendimit të gjykatës;

• vendi i lidhjes së martesës dhe ora;

• identiteti, numri i identitetit të secilit prej bashkëshortëve të ardhshëm;

• vendbanimi /vendqëndrimi para martesës;

• vendbanimi pas martesës;

• mbiemri që do të mbajë pas lidhjes së martesës secili nga bashkëshortët;

• njohja e atësisë ose amësisë së fëmijëve të bashkëshortëve, të lindur para martesës;

• regjimi pasuror martesor i bashkëshortëve;

• numri identitetit, emri, mbiemri dhe vendbanimi i dëshmitarëve;

• numri i identitetit, emri, mbiemri i përkthyesit;

• emri, mbiemri dhe nënshkrimi i nëpunësit të gjendjes civile. Akti i martesës pasqyrohet në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Nëpunësi i gjendjes civile, që mban aktin e martesës, bën përditësimin e të dhënave për bashkëshortët e ardhshëm, në faqen përkatëse.

Kur është e pavlefshme martesa?

Martesa e lidhur nga personi që nuk ka mbushur moshën e parashikuar në Kod është e pavlefshme pervec rastit kur personi ka arritur moshën e kërkuar, ose kur gruaja ka lindur fëmijë ose ka mbetur shtatzënë. Martesa e lidhur gjatë vazhdimit të një martese të mëparshme të njërit prej bashkëshortëve është e pavlefshme. Gjithashtu është e pavlefshme martesa që nuk është lidhur publikisht dhe përpara nëpunësit të gjendjes civile. Martesa e lidhur eshte e pavlefshme: (i) kur nje person është martuar dhe martesa e mëparshme nuk është shpallur e pavlefshme ose nuk është zgjidhur

(ii) martesa midis të paralindurit dhe të paslindurit, vëllai dhe motra, ungji dhe mbesa, emta dhe nipi, si dhe fëmijët e vëllezërve dhe të motrave

(iii) martesa midis vjehrrit dhe nuses, vjehrres dhe dhëndrit, njerkut dhe thjeshtres , njerkes dhe thjeshtrit,

(iiii) martesa midis kujdestarit dhe personit që ndodhet në kujdesin e tij gjatë kohës që vazhdon kujdestaria

(iv) midis birësuesit e të birësuarit dhe pasardhësve të tyre, të birësuarit dhe bashkëshortit të birësuesit, midis birësuesit e bashkëshortit të të birësuarit, midis të birësuarve, si dhe midis të birësuarit dhe fëmijëve të birësuesit.

Kush mund të kërkojë pavlefshmërinë:

Të drejtën e padisë për pavlefshmërinë e martesës të lidhur me një person që vuan nga një sëmundje e rëndë psikike ose ka zhvillim mendor të metë, pas shërimit të bashkëshortit të sëmurë, e ka secili nga bashkëshortët. Kur bashkëshortit i është hequr zotësia për të vepruar, padia për pavlefshmërinë e martesës mund të ngrihet nga kujdestari i tij.

Cilat janë të drejtat dhe detyrimet që lindin nga martesa?

  • Marrja e masave kundër dhunës Bashkëshorti ndaj të cilit ushtrohet dhunë, ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës me kërkesë për vendosjen si masë urgjente largimin e bashkëshortit, që ushtron dhunë, nga banesa bashkëshortore.

  • Kryerja e veprimeve juridike pa pëlqimin e bashkëshortit tjetër Secili nga bashkëshortët mund të kryejë vetë, pa pëlqimin e bashkëshortit tjetër, veprimet juridike që kanë të bëjnë me mbajtjen e familjes ose me edukimin e fëmijëve. Për detyrimet e marra përsipër nga njëri bashkëshort, detyrohet solidarisht edhe bashkëshorti tjetër. Në qoftë se njëri nga bashkëshortët nuk është në gjendje të shprehë vullnetin e tij, bashkëshorti tjetër mund ta përfaqësojë në të gjitha veprimet juridike ose në veprime juridike të caktuara që lidhen me regjimin pasuror martesor. Bashkëshortët nuk mund të disponojnë banesën bashkëshortore dhe pajisjet e saj pa pëlqimin e tjetrit, cilido qoftë regjimi pasuror martesor. Secili nga bashkëshortët ka të drejtën e administrimit dhe të tjetërsimit lirisht të sendeve të tij vetjake, pa qenë nevoja e pëlqimit të bashkëshortit tjetër. Në qoftë se njëri nga bashkëshortët nuk plotëson në mënyrë të dukshme detyrimet e tij dhe vë në rrezik interesat e familjes, gjykata, me kërkesën e bashkëshortit tjetër, mund të përcaktojë të gjitha masat urgjente që lidhen me ta.

  • Ruajtja e besnikërisë bashkëshortore

    Ruajta e besnikërisë bashkëshortore është detyrim i ndërsjellë i cilitdo bashkëshort. Ky detyrim i ndërsjellë i bashkëshortëve për ruajtjen e besnikërisë nis që nga çasti i lidhjes së martesës dhe është i vlefshëm gjatë gjithë kohëzgjatjes së martesës, deri në mbarimin ose shpalljen e pavlefshmërisë së saj. Legjislacioni ynë, në rast shkelje të besnikërisë bashkëshortore nga njëri bashkëshort, i jep të drejtën të ngrejë padi për zgjidhjen e martesës, vetëm bashkëshortit tjetër.

  • Ndihma e ndërsjellë mes bashkëshorteve

    Ndihma morale (dhe materiale) përbëhet nga një tërësi detyrimesh dhe është një tipar themelor i familjes. Nga martesa lind detyrimi për ndihmë morale dhe materiale, për bashkëpunim në interes të familjes dhe të bashkëjetesës. Ndihma e ndërsjellë midis çiftit bashkëshortor përfshin përkujdesjen në rast sëmundje, gjate çdo periudhe të paaftësisë së përkohshme ose në rast invaliditeti, gjatë kohës kur bashkëshortja është shtatzënë ose është me leje pas lindjes së fëmijës, përkujdesjen e përbashkët për edukimin dhe rritjen e fëmijëve, pjesëmarrjen në kryerjen e punëve të shtëpisë, etj. Mospërmbushja e shpeshtë e ndonjërit prej detyrimeve të mësipërme mund të përbëjë shkak për zgjidhjen e martesës. E drejta për ndihmë morale dhe materiale ndërpritet kundrejt bashkëshortit, që është larguar pa shkak nga vendbanimi familjar dhe refuzon të kthehet. Në rast të mospërmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga martesa, gjykata, sipas rrethanave, mund të urdhërojë sekuestrimin e të mirave të bashkëshortit të larguar, në masën e duhur.

  • Kujdesi i përbashkët për fëmijët

    Detyrimi i kujdesit për fëmijët është një detyrim moral dhe përveç kësaj prindërit janë të detyruar edhe ligjërisht të kujdesen për fëmijët e tyre. Martesa vendos mbi të dy bashkëshortët detyrimin për të mbajtur, arsimuar dhe edukuar fëmijët, duke pasur parasysh aftësitë, prirjet natyrore dhe dëshirat e fëmijëve, detyrim i cili vazhdon edhe pas zgjidhjes së martesës. Cilido qoftë regjimi pasuror i prindërve, ligjor ose kontraktual, bashkëshortët kanë detyrimin që të kujdesen për fëmijët e tyre duke u mbështetur gjithmonë në parimin e prezumimit të barazisë së bashkëshortëve.

  • E drejta e çdo bashkëshorti për të ushtruar lirisht profesionin e vet

    Çdo bashkëshort ka të drejtë të ushtrojë lirisht një profesion. Ai ka të drejtë të administrojë të ardhurat e punës së tij dhe të vendosë prioritetet për përdorimin e tyre. Secili bashkëshort mund të zgjedhë të ushtrojë profesionin e vet pa qenë e nevojshme të marrë më parë miratimin e bashkëshortit tjetër. Askush nuk mund të detyrojë bashkëshortin tjetër të bëjë një punë që nuk dëshiron ta bëjë. Ky rregullim synon të sigurojë edhe në këtë rast barazinë midis burrit dhe gruas.

  • Kontributet e përbashkëta në jetën martesore dhe familjen

    Në familjen e krijuar me lidhjen e martesës secili bashkëshort duhet të kontribuojë me punë (dhe mjete monetare). Kontributi nuk është gjithnjë i barabartë, por ai vlerësohet në bazë të aftësive, mundësive dhe kushteve të secilit bashkëshort. Në këtë kontekst vlerësohet dhe kontributi i bashkëshortit që kryen punët e shtëpisë dhe rrit fëmijët, edhe pse nuk është i punësuar.

  • Bashkëpunimi në interes të familjes dhe bashkëjetesës

    Bashkëpunimi i bashkëshortëve, si për të përmbushur nevojat dhe funksionet e familjes, dhe për vetë ekzistencën e saj ka një rëndësi të veçantë. Por gjithashtu është i domosdoshëm edhe roli aktiv i të dy bashkëshortëve. Për të bashkëpunuar duhet të merret në konsideratë edhe vullneti i bashkëshortit tjetër për përcaktimin e mënyrave dhe mjeteve që do të përdorin për përmbushjen e nevojave, për vendosjen e prioriteteve, etj. Këto nevoja plotësohen më mirë nëse midis bashkëshortëve ekziston harmonia dhe vullneti i përbashkët.

  • E drejta e mbiemrit

    Bashkëshortët, kur lidhin martesën, kanë të drejtë të zgjedhin për të mbajtur si mbiemër të përbashkët njërin nga mbiemrat e tyre ose të mbajnë secili mbiemrin e vet. Mbiemri regjistrohet në regjistrin e martesave. Fëmija merr mbiemrin e përbashkët të prindërve. Kur prindërit kanë mbiemra të ndryshëm, të gjithë fëmijët mbajnë një mbiemër, atë që do të vendosin prindërit me marrëveshje. Kur marrëveshja nuk arrihet, fëmijët mbajnë mbiemrin e të atit.

  • Vendbanimi

    Bashkëshortët kanë detyrimin e jetesës së përbashkët. Vendbanimi i familjes është vendi që bashkëshortët zgjedhin me marrëveshje. Në rast mosmarrëveshjeje, secili nga bashkëshortët mund t’i drejtohet gjykatës, e cila, pasi dëgjon mendimet e të dy bashkëshortëve dhe, nëse është rasti, edhe mendimin e fëmijës që ka mbushur moshën katërmbëdhjetë vjeç, mundohet të arrijë një zgjidhje me mirëkuptim. Kur kjo nuk është e mundur, gjykata vendos zgjidhjen që e quan më të përshtatshme për kërkesat e familjes.

Si rregullohet marrëdhënia pasurore midis bashkëshortëve?

Marrëdhënia pasurore midis bashkëshortëve rregullohet me ligj në formën e bashkësisë ligjore. Por, marrëdhënia pasurore midis bashkëshortëve mund të rregullohet gjithashtu me anë të një marrëveshjeje të veçantë noteriale (kontrata martesore), ku bashkëshortët rregullojnë marrëdhënien pasurore sipas dëshirës, për aq kohë sa nuk bie në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Familjes dhe legjislacionin përkatës.

Kontrata martesore

Kontrata martesore bëhet me akt noterial përpara lidhjes së martesës, në prani dhe me pëlqimin e njëkohshëm të dy bashkëshortëve të ardhshëm në mënyrë që të përjashtohen nga bashkësia ligjore në momentin e lidhjes së martesës. Në qoftë se në aktin e martesës tregohet se bashkëshortët nuk kanë lidhur kontratë, ata do të konsiderohen kundrejt të tretëve si të martuar nën regjimin pasuror martesor të bashkësisë ligjore, që parashikon Kodi i Familjes. Bashkëshortët, për detyrimet e tyre para martesës, përgjigjen mbi pasurinë në bashkësi deri në kufirin e vlerës së pasurisë së tyre, e cila, në bazë të kontratës së lidhur, sipas Kodit te Familjes, është pjesë përbërëse e bashkësisë. Bashkëshortët, në kontratën e martesës, mund të bien dakord të caktojnë pjesë jo të barabarta për pasurinë në bashkësi dhe në kete rast ata ose trashëgimtarët e tyre i përballojnë detyrimet në raport me pasurinë që kanë në bashkësi ose që kanë përfituar nga bashkësia. Kur bashkëshortët kanë përcaktuar në kontratën e martesës regjimin e pasurive të ndara, secili prej tyre ruan të drejtën e administrimit, përdorimit dhe disponimit të lirë mbi pasurinë e tij.

Bashkësia ligjore

Bashkësia ligjore nënkupton rregullimin e marrëdhënieve pasurore midis bashkëshortëve sipas parashikimeve të Kodit të Familjes. Pra, ajo zbatohet kur bashkëshortët nuk kanë lidhur kontratë para martesore për të rregulluar ndryshe marrëdhëniet e tyre pasurore.

Nga se përbëhet bashkësia ligjore?

Bashkësia ligjore përbëhet nga:

  • pasuria e fituar nga të dy bashkëshortët, së bashku ose veç e veç, gjatë martesës;
  • të ardhurat nga veprimtaria e veçantë e çdo bashkëshorti gjatë martesës, nëse nuk janë konsumuar deri në mbarimin e bashkëpronësisë;
  • të ardhurat e përfituara nga pasuria e çdo bashkëshorti, që janë marrë dhe nuk janë konsumuar deri në mbarimin e bashkëpronësisë;
  • veprimtaria tregtare e krijuar gjatë martesës. Në rast se veprimtaria tregtare para lidhjes së martesës i përkiste vetëm njërit prej bashkëshortëve, por gjatë martesës drejtohet nga të dy bashkëshortët, të dyve, bashkërisht, i përkasin vetëm fitimet dhe shtimi i prodhimit.

Çfarë nuk bën pjesë në bashkësinë ligjore?

Nuk bën pjesë në bashkësinë ligjore, pasuria vetjake e bashkëshortit, si më poshtë:

  • pasuria, e cila para lidhjes së martesës ishte në bashkëpronësi të bashkëshortit me persona të tjerë ose kundrejt së cilës ai ishte titullar i një të drejte përdorimi mbi një send;
  • pasuria e fituar gjatë martesës me anë të dhurimit apo të trashëgimisë, kur në aktin e dhurimit ose në testament nuk përcaktohet se ato janë dhënë në favor të bashkësisë;
  • pasuritë e përdorimit ngushtësisht vetjak të secilit bashkëshort dhe pasuritë e fituara si aksesorë të pasurisë vetjake. Konsiderohen si të tilla: veshjet, literatura në gjuhë të huaj që e njeh njëri nga bashkëshortët, instrumentet muzikorë, koleksionet e ndryshme, objektet për ushtrimin e aktiviteteve sportive, etj.;
  • mjetet e nevojshme të punës për ushtrimin e profesionit të njërit prej bashkëshortëve, përveç atyre që janë caktuar për administrimin e një veprimtarie tregtare;
  • pasuria e fituar nga shpërblimi i dëmit vetjak, me përjashtim të të ardhurave që rrjedhin nga pensioni i fituar për shkak të humbjes së pjesshme ose të plotë të aftësisë për punë;
  • pasuria e fituar nga tjetërsimi i pasurive vetjake të sipërpërmendura, si p.sh. shitja;
  • pasuria vetjake e shkëmbyer, kur kjo deklarohet shprehimisht në aktin e shkëmbimit.

Kur mbaron bashkësia ligjore?

Bashkësia ligjore mbaron me:

  • vdekjen e njërit prej bashkëshortëve, shpalljen të zhdukur ose të vdekur të njërit prej tyre, shpalljen e pavlefshme të martesës ose zgjidhjen e martesës;
  • ndryshimin e mënyrës së rregullimit të marrëdhënies pasurore midis bashkëshortëve, p.sh. kur ata vendosin të kalojnë nga rregullimi i marrëdhënies pasurore me anë të bashkësisë ligjore, në rregullimin e marrëdhënies pasurore me anë të kontratës martesore;
  • pjesëtimin e pasurive midis bashkëshortëve.

Si bëhet pjesëtimi i pasurisë së bashkësisë ligjore?

Pjesëtimi i pasurisë në bashkësi mund të kërkohet në gjykatë në rast administrimi të keq të saj nga njëri prej bashkëshortëve, kur mënyra e administrimit të pasurisë prej tij vë në rrezik interesat e bashkëshortit tjetër ose të familjes, ose kur njëri nga bashkëshortët nuk kontribuon për nevojat e familjes, në proporcion me gjendjen e tij dhe me aftësinë për punë dhe kur ka ndodhur një pjesëtim faktik i pasurisë në bashkësi.

Ndarja e pasurisë nëpërmjet pjesëtimit mund të kërkohet nga njëri prej bashkëshortëve ose nga përfaqësuesi i tij ligjor. Vendimi i gjykatës për ndarjen ka fuqi që nga data kur është paraqitur kërkesa dhe i vendos bashkëshortët nën regjimin e pasurive martesore të ndara.

Kërkesa dhe vendimi i ndarjes së pasurisë duhet të depozitohen pranë zyrës së gjendjes civile dhe, nëse është rasti, edhe në regjistrin tregtar. Vendimi shënohet në regjistrin e gjendjes civile, si dhe në origjinalin e kontratës së martesës.

Gjykimi për pjesëtimin e sendeve në bashkëpronësi, në fazën e parë të tij, ka për qëllim të hetojë e të përcaktojë të drejtën e bashkëpronësisë së bashkëshortëve, pjesët takuese të tyre, si dhe sendet që do të pjesëtohen. Në fazën e dytë bëhet ndarja faktike e sendeve në bashkëpronësi sipas pjesës takuese të secilit bashkëshort, që në këtë rast është 50% për secilin prej tyre, pasi prezumohet se kontributi i tyre në bashkësinë ligjore ka qenë i barabartë.

Në fillim të procedurës së pjesëtimit të pasurisë në bashkësi, bashkëshortët ose trashëgimtarët e tyre kanë të drejtë të marrin pasurinë e luajtshme vetjake, që u përkiste para bashkësisë ose që ata e kanë fituar gjatë bashkësisë në formë trashëgimie ose dhurimi. Në mungesë të provave të kundërta prezumohet se pasuria e luajtshme bën pjesë në bashkësi. Pjesëtimi i pasurisë nuk mund të bëhet gjatë vazhdimit të bashkësisë, edhe në rast të një marrëveshjeje të bashkëshortëve. Pjesëtimi i pasurisë në bashkësinë ligjore bëhet duke u nisur nga barazia e aktivit dhe pasivit të saj. Pasi të jenë zbritur nga bashkësia detyrimet që ajo ka ndaj bashkëshortëve ose të tretëve, pasuria që mbetet ndahet në pjesë të barabarta midis bashkëshortëve.

Kur mbaron martesa?

Martesa mbaron me:

  • vdekjen e njërit nga bashkëshortët;
  • shpalljen e vdekjes së njërit bashkëshort; ose
  • zgjidhjen e martesës midis bashkëshortëve.

Si zgjidhet martesa?

Mënyrat se si mund të zgjidhet martesa janë:

  • Me pëlqim reciprok

    Kur bashkëshortët bien dakord për zgjidhjen e martesës, i paraqesin gjykatës për miratim, së bashku me kërkesën, edhe një projektmarrëveshje që rregullon pasojat e zgjidhjes së martesës. Kërkesa mund të paraqitet nga bashkëshortët. Gjykata shqyrton kërkesën, dëgjon fillimisht veçmas secilin nga bashkëshortët dhe më pas bashkërisht . Ajo vendos zgjidhjen e martesës në rast se krijon bindjen se vullneti i secilës palë është i vërtetë dhe secili prej tyre ka dhënë lirisht pëlqimin e tij për zgjidhjen e martesës. Në të njëjtin vendim, gjykata miraton dhe marrëveshjen që rregullon pasojat e zgjidhjes së martesës. Marrëveshja përmban lënien për rritje dhe edukim të fëmijëve të tyre të mitur, të ardhurat e nevojshme për rritjen dhe edukimin e tyre, kontributin e njërit bashkëshort në favor të bashkëshortit nevojtar, nëse është rasti dhe nëse është e mundur edhe rregullimin e marrëdhënieve të tyre pasurore.

  • Si pasojë e ndërprerjes së jetesës së përbashkët

    Secili nga bashkëshortët mund të kërkojë zgjidhjen e martesës për shkak të ndërprerjes së jetesës së përbashkët kur bashkëshortët jetojnë të ndarë faktikisht për më shumë se 3 vjet. Nëse është rasti, bashkëshorti që kërkon zgjidhjen e martesës duhet të përcaktojë në kërkesëpadinë e tij dhe mënyrën e zbatimit të detyrimeve të mundshme kundrejt fëmijëve të tij dhe bashkëshortit tjetër. Gjykata mund të rrëzojë padinë për zgjidhjen e martesës për shkak të ndërprerjes së jetesës së përbashkët, kur bashkëshorti tjetër provon se zgjidhja e martesës do të ketë pasoja veçanërisht të rënda morale dhe materiale për fëmijët ose bashkëshortin tjetër. Padia mund të ringrihet për të njëjtat shkaqe nëse ekzistojnë rrethana të reja. Ndërprerja e jetesës së përbashkët mund të paraqitet si shkak për zgjidhjen e martesës vetëm nga bashkëshorti që ka paraqitur kërkesëpadinë. Bashkëshorti i paditur ka të drejtë ta kundërshtojë duke paraqitur një kundërpadi. Në këtë rast, gjykata mund të rrëzojë padinë dhe të pranojë kundërpadinë, duke mos e zgjidhur martesën.

  • Me kërkesë të njërit bashkëshort

    Secili nga bashkëshortët mund të kërkojë zgjidhjen e martesës kur, për shkak të grindjeve të vazhdueshme, të keqtrajtimeve, fyerjeve të rënda, shkeljes së besnikërisë bashkëshortore, sëmundjes mendore të pashërueshme, dënimit penal të rëndë të bashkëshortit ose për çdo shkak tjetër që përbën shkelje të përsëritur të detyrimeve që rrjedhin nga martesa, jetesa e përbashkët bëhet e pamundur dhe martesa ka humbur qëllimin e saj për bashkëshortin paditës ose për të dy bashkëshortët.

Cilat janë pasojat e zgjidhjes së martesës për bashkëshortët?

Bashkëshorti që me lidhjen e martesës ka ndryshuar mbiemrin e tij, pas zgjidhjes së saj, merr mbiemrin që ka pasur më parë. Gjykata, me kërkesën e bashkëshortit dhe kur është në interes të tij ose të fëmijëve, mund të lejojë që ai të mbajë mbiemrin që ka marrë me lidhjen e martesës. Në rast se banesa familjare është në pronësi të njërit bashkëshort dhe bashkëshorti tjetër nuk ka në pronësi një banesë tjetër të përshtatshme në vendbanimin e tyre, gjykata mund të lejojë përdorimin nga ish-bashkëshorti jopronar të banesës kur:

• fëmijët i janë lënë për rritje dhe edukim këtij të fundit, derisa ata të arrijnë moshën madhore;

• zgjidhja e martesës bëhet nga ish-bashkëshorti pronar për ndërprerje prej tij të jetesës së përbashkët. Në këtë rast e drejta e përdorimit të banesës është deri në 7 vjet, por në rast se ish-bashkëshorti jopronar rimartohet, e humbet këtë të drejtë;

• kur ish-bashkëshorti jopronar ka instaluar në banesën e ish-bashkëshortit pronar një kabinet profesional me vlerë të madhe, lëvizja e të cilit do të kërkonte shpenzime të mëdha. Në këtë rast e drejta e përdorimit është deri në 3 vjet. Në këto raste gjykata përcakton afatin e përdorimit dhe masën e qirasë që detyrohet të paguajë ish-bashkëshorti jopronar në përputhje me të ardhurat e tij. Në çdo rast gjykata mund të zgjidhë kontratën e qirasë, në qoftë se kjo justifikohet nga rrethana të reja. Zgjidhja e martesës nuk prek të drejtat dhe detyrimet që kanë prindërit ndaj fëmijëve të tyre, me përjashtim të rasteve të parashikuara në Kodin e Familjes.

Gjykata mund të detyrojë njërin nga ish-bashkëshortët të derdhë për llogari të tjetrit një kontribut të destinuar për të kompensuar sa të jetë e mundur pabarazinë që mund të shkaktojë në jetën e tjetrit ndarja e pasurisë në zgjidhjen e martesës, përveç detyrimit për ushqim.

Cilat janë pasojat e zgjidhjes së martesës për fëmijët?

Para se gjykata të marrë një vendim të përkohshëm ose përfundimtar lidhur me mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore, të së drejtës së vizitës ose të besuarit të fëmijës njërit ish-bashkëshort, duhet të thërrasë një psikolog ose punonjës social. Në rast se gjykata arrin në konkluzionin se fëmija, përkohësisht, duhet t’i besohet një personi të tretë ose një familjeje kujdestare, duhet të marrë mendimin e sektorit të ndihmës dhe shërbimeve sociale pranë bashkisë së vendit ku zhvillohet gjykimi.

Gjykata vendos për mënyrën e ushtrimit të përgjegjësisë prindërore ose për t’i besuar fëmijën një të treti, mbi bazën e kërkesës së njërës prej palëve, pjesëtarëve të familjes ose prokurorit, në rast se ka shkaqe të rënda që janë të lidhura me ushtrimin abuziv të përgjegjësisë prindërore.

Prindit, që nuk i është lënë fëmija për rritje dhe edukim, ruan të drejtën të mbikëqyrë mbajtjen dhe edukimin e fëmijës e për pasojë të informohet dhe të konsultohet për zgjedhjet e rëndësishme që lidhen me jetën e tij. Ai kontribuon në raport me burimet e tij dhe ato të prindit tjetër. Ati nuk mund t’i refuzohet e drejta e vizitës dhe e banimit, sipas kushteve të përcaktuara nga gjykata, përveçse për arsye të rënda që dëmtojnë interesat e fëmijës.

Vendimi lidhur me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore mund të ndryshohet në çdo çast nga gjykata, me kërkesën e njërit prej ish-bashkëshortëve, një të afërmi ose të prokurorit. Në rast të zgjidhjes së martesës me kërkesë të përbashkët, kushtet e marrëveshjes së miratuar nga gjyqtari, lidhur me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore, mund të rishqyrtohen për shkaqe me rëndësi dhe sipas kërkesës së njërit prej ish-bashkëshortëve ose të prokurorit. Në vendimin e zgjidhjes së martesës caktohet dhe kontributi për detyrimin ushqimor për fëmijën dhe për ish-bashkëshortin.

Çdonjëri prej ish-bashkëshortëve është i detyruar t’i japë tjetrit të dhëna të sakta për pasurinë dhe të ardhurat e tij, kur ato janë të nevojshme për të caktuar detyrimin për ushqim. Me kërkesën e njërit prej ish-bashkëshortëve, punëdhënësi, organet financiare përkatëse, zyrat e tatimeve dhe çdo organ tjetër ku mund të merren prova, janë të detyruar të japin gjithë informacionin e nevojshëm për gjendjen pasurore të ish-bashkëshortit tjetër dhe për të gjitha të ardhurat e tjera të tij.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: