Familja / Trashëgimia
Trashëgimia

Cfarë është trashëgimia?

Trashëgimia është kalimi i pasurisë së personit të vdekur, trashëgimtarëve të tij. Ajo ndahet në trashëgimi me ligj ose me testament. Trashëgimia me ligj zbatohet kur trashëgimlënësi nuk ka bërë testament, ose kur e ka bërë testamentin vetëm për një pjesë të pasurisë së tij, ose kur testament është tërësisht ose pjesërisht I pavlefshëm.

Kur lind e drejta për të kërkuar trashëgiminë?

E drejta për të kërkuar trashëgiminë lind kur trashëgimlënësi vdes, ose kur është shpallur I vdekur sipas nje vendimi gjyqësor. Ku lind e drejta për të kërkuar trashëgiminë?E drejta për të kërkuar trashëgiminë lind në vendin ku trashëgimlënësi ka patur vendbanimin e fundit. Nëse vendbanimi I fundit I trashëgimlënësit nuk dihet atëherë trashëgimia mund të kërkohet të hapet në vendin ku ndodhet e gjithë pasuria e trashëgimlënësit ose një pjesë e saj.

Kush ka zotësi për të trashëguar?

Zotësi për të trashëguar ka personi që në kohën kur I ka lindur e drejta për trashëgimi(kur trashëgimlënësi ka vdekur ose është shpallur I vdekur) është I gjallë, ose është zënë para vdekjes së trashëgimlënësit dhe është lindur I gjallë. Prezumohet se ka qenë zënë në kohën që I ka lindur e drejta për trashëgim, ai që ka lindur brenda 300 ditëve nga vdekja e trashëgimlënësit.

Kush përjashtohet nga trashëgimi si i padenjë?

Përjashtohet nga trashëgimi si I padenjë: Ai që me dashje ka vrarë ose ka tentuar të vrasë trashëgimlënësin, bashkëshorten, fëmijët dhe prindërit e tij; Ai që ka bërë ndaj trashëgimlënësit kallëzim ose dëshmi të rreme, për kryerjen e një vepre penale për të cilën parashikohet dënim me heqje lirie mbi 10 vjet, kur kallëzimi ose dëshmia janë deklaruar të rremë në një gjykim penal; Ai që me mashtrim, kërcënim e dhunë ka shtyrë trashëgimlënësin që të bëjë, të ndryshojë ose të shfuqizojë testamentin ose ka përpiluar vetë një testament të rremë ose e ka përdorur atë për interesa të tij apo të tjerëve; Ai që është sjellë ndaj trashëgimlënësit në mënyrë poshtëruese dhe e ka keqtrajtuar atë. Nëse prindi ose I paralinduri është përjashtuar si I padenjë, kjo nuk sjell përjashtimin e fëmijëve ose të paslindurve të tij, në rastin kur trashëgojnë vetë apo kur vijnë në trashëgim me zëvendësim.

A mund të falet padenjësia?

Personi I shpallur si I padenjë mund të falet nga trashëgimlënësi me kushtin që falja të bëhet me akt notarial ose me testament, ose kur falja, ndonëse nuk është bërë shprehimisht, trashëgimlënësi ka shënuar në testament se e ka njohur padenjësinë e megjithatë e cakton atë si trashëgimtar.

Si mund të hiqet dorë nga trashëgimia?

Nga trashëgimia mund të hiqet dorë duke bërë një deklaratë me shkrim e cila regjistrohet te noteri që ndodhet në njësinë vendore ku trashëgimtarëve u ka lindur e drejta për të kerkuar trashëgiminë. Ajo mund të bëhet dhe me një deklaratë noteriale të redaktuar nga noteri.

Kur mund të hiqet dorë nga trashëgimia?

Trashëgimtarët mund të heqin dorë nga trashëgimia, brenda 3 muajve nga momenti që I ka lindur e drejta për të kërkuar trashëgiminë, dhe në rastin kur trashëgimtari është jashtë shtetit ky afat bëhet jo më vonë se 6 muaj. Nëse trashëgimtari që në kohën që I lind e drejta për të kërkuar trashëgiminë ende nuk ka lindur, ai mund të heqë dorë nga trashëgimia që në ditën e lindjes. Trashëgimtari që gjatë këtij afati 3 mujor është sjellë si trashëgimtar me veprimet e tij me pasurinë ai nuk mund të heqë më dorë nga trashëgimia. Në rast se trashëgimtari ka fshehur ose hequr sende nga trashëgimi e humbasin të drejtën e heqjes dorë edhe sikur ta kenë bërë këtë me deklaratë. Nëse trashëgimtari ka deklaruar heqjen dorë nga trashëgimi rregullisht nuk mund ta shfuqizojë këtë deklaratë.

Si rregullohet trashëgimia?

Trashëgimia rregullohet sipas dispozitave të Kodit Civil duke filluar nga neni 316 deri në nenin 418. Ajo ndahet në trashëgiminë me ligj dhe trashëgiminë me testament.

Kur mund të ngrihet padia për kërkimin e trashëgimit?

Padia për kërkimin e trashëgimit mund të ngrihet në cdo kohë pasi ajo nuk shteron, përvec rasteve kur për sende të vecanta ka efekt parashkrimi fitues(shih nenin 168 të Kodit Civil).

Si bëhet pjesëtimi i trashëgimit?

Pjesëtimi i trashëgimit mund të kërkohet në cdo kohë nga cdo bashkëtrashëgimtar. Ky pjesëtim bëhët me marrëveshje midis trashëgimtarëve, e cila miratohet me akt notarial. Në rast se trashëgimtarët nuk bien dakord për ndarjen e trashëgimisë, atëherë noteri e bënë këtë ndarje duke u treguar I paanshëm. Nëse përsëri nuk bihet dakord atëhërë palët duhet t’i drejtohen gjykatës e cila do të bëjë më pas ndarjen e trashëgimisë.

Si mund të përfitojmë nga trashëgimia?

Nga trashëgimia mund të përfitojmë duke kërkuar hapjen e trashëgimisë para noterit të njësisë vendore kur trashëgimlënësi ka patur vendbanimin e fundit, dhe nëse ky nuk dihet atëhere aty ku ndodhet gjithe pasuria e tij ose pjesa më e madhe e saj. Noteri më pas do të kontrollojë nëse trashëgimlënësi ka depozituar ose jo një testament në një zyrë noteriale. Nëse trashëgimlënësi ka depozituar testament do të hapet dhe lexohet shprehja e tij e vullnetit se si do të ndahet pasuria e tij. Nëse trashëgimlënësi nuk ka depozituar testament atëherë do të funksionojë ndarja e pasurisë së tij sipas trashëgimisë me ligj, noteri është përgjegjës për të bërë këtë ndarje sipas dispozitave të ligjit ndërmjet trashëgimtarëve.

Kush janë trashëgimtarët ligjorë?

Trashëgimtarët ligjorë janë fëmijët, fëmijët e fëmijëve, bashkëshorti/bashkëshortja, prindërit, vëllezërit e motrat dhe fëmijët e vëllezërve e të motrave të vdekura para trashëgimlënësit, gjyshi e gjyshja dhe të paralindurit e tjerë, personat e paaftë për punë në ngarkim të trashëgimlënësit, të afërmit e tjerë deri në shkallën e gjashtë, si dhe shteti.

Cila është rradha e trashëgimisë sipas ligjit?

Sipas ligjit në rradhë të parë thiren në trashëgim fëmijët dhe bashkëshorti/bashkëshortja të cilët trashëgojnë secili në pjësë të barabarta.

Nëse një nga fëmijët e trashëgimlënësit ka vdekur para tij, apo është bërë I padenjë për të trashëguar, apo ka hequr dorë nga zëvendësimi, ose është përjashtuar nga trashëgimi, në vend të tij do të hyjnë me zëvendësim fëmijët e tij. Kjo pjesë e atij që nuk trashëgon ndahet në mënyrë të barabartë me të paslindurit e tij. Nëse përvec bashkëshortit nuk ka trashëgimtarë të tjerë të rradhës së parë do të thiren në trashëgim edhe ata të rradhës së dytë, dhe nëse nuk ka trashëgimtarë të rradhës së dytë do të thiren ata të rradhës së tretë. Në këto rastë bashkëshorti merr ½ e trashëgimit. Nëse nuk ka trashëgimtarë të rradheve të mësipërme, trashëgimi I mbetet bashkëshortit që jeton. Në rradhë të dytë thiren në trashëgim prindërit e trashëgimlënësit dhe personat e paaftë për punë, të cilët të paktën një vit para vdekjes së trashëgimlënsit, bashkëjetonin me atë si anëtarë të familjes dhe në ngarkim të tij. Në rradhë të tretë në trashëgimthiren personat e paaftë për punë që thiren edhe në rradhën e dytë, dhe kur nuk ka të tillë thiren gjyshi e gjyshja, vëllezërit e motrat, si dhe fëmijët e vëllezërve e të motrave të paravdekura, këta trashëgojnë në pjesë të barabarta. Kur trashëgimlënësi nuk ka lënë të paslindur, as prindër ose të paralindur të tjerë, as vëllezër ose motra, apo të paslindur të këtyre, pasuria e trashëgimlënësit u kalon të afërmve më të afërt të tij, pa bërë dallim ndërmjet vijës atërore dhe asaj amësore, por gjithsesi jo më tej se shkalla e gjashtë. Kur trashëgimlënësi nuk ka lënë trashëgimtarë deri në shkallën e gjashtë, thirret në trashëgim shteti.

A kanë të drejtën e trashëgimit fëmijët e lindur jashtë martese ose fëmijët e birësuar?

Fëmijët e lindur jashtë martese, kur atësia ose mëmësia është njohur rregullisht, si dhe fëmijët e birësuar barazohen me fëmijët e lindur nga martesa. I birësuari nuk trashëgon në familjen e origjinës së tij dhe as kjo nuk e trashëgon atë.

Nëpërmjat cfarë formash ushtrohet e drejta e trashëgimisë?

E drejta e trashëgimisë ushtrohet me anën e testamentit.

Cfarë është testamenti? Cilat janë llojet e testamentit?

Testamenti është veprimi juridik i njëanshëm i kryer nga vetë trashëgimlënësi, me anë të cilit ai shpreh vullnetin e tij se kush do të disponojë pasurinë e tij pas vdekjes së tij. Testamentet ndahen në: ollograf ose me akt notarial. Testament ollograf shkruhet tërësisht me dorën e testatorit duke vënë datën(ditën,muajin,vitin) dhe nënshkrimin e vetë në fund të cdo disponimi. Testament me akt notarial redaktohet nga noteri dhe nënshkruhet nga trashëgimlënësi në prani të noterit. Ekzistojnë edhe disa lloje testamentesh të posacme: Në vendet ku nuk ka noter, testament mund të vërtetohet nga kryetari i bashkisë ose i komunës. Testament I një personi që ndodhet në shërbim ushtarak, mund të vërtetohet nga komandanti i njësisë ushtarake në të cilën ai bën pjesë dhe kur është shtruar në spital për mjekim nga drejtori i spitalit. Testament I një personi që ndodhet në një anije shqiptare në lundrim ose që ka qëndruar në një liman të huaj, mund të vërtetohet nga kapiteni i anijes.

Kush ka zotësi për të bërë testament?

Testament mund të bëjë cdo person që ka mbushur moshën 18 vjec, si dhe gruaja nën këtë moshë kur është e martuar. I mituri nga 14 deri në 18 vjec mund të bëjë testament vetëm për pasurinë që ka fituar me punën e tij.

Kujt ka të drejtë ti lër me testament pasurinë testatori?

Trashëgimlënësi që nuk lë të paslindur ose të paralindur, ose vëllezër apo motra, ka të drejtë të disponojë me testament pasurinë e vet, në favor të cdo personi fizik apo juridik.

A mund të përjashtojmë nga trashëgimia?

Testatori mund të përjashtojë nga trashëgimia trashëgimtarët duke e thënë këtë shprehimisht në testament, ose edhe pa I përmendur ata fare në testament. Trashëgimlënësi nuk mund të përjashtojë nga trashëgimia ligjore fëmijët e tij të mitur ose trashëgimtarë të tjerë të mitur që trashëgojnë me zëvendësim, si dhe trashëgimtarët e tij të tjerë të paaftë për punë nëse thiren në trashëgim, dhe as të cënojë me testament në cdo mënyrë oftë, pjesën që u takon këtyre trashëgimtarëve në bazë të trashëgimisë ligjore, përvec kur këta janë bërë të padenjë për të trashëguar.

A mund të revokohet testament?

Testamenti mund të revokohet me anë të një deklarate të bërë nga trashëgimlënësi te noteri. Gjithashtu nëse testatori depoziton një testament të ri të një date të mëvonshme, ky I fundit do të shfuqizojë atë të një date të mëparshme tërësisht ose pjesërisht vetëm për pjesët që nuk pajtohet me testamentin e ri.

Kur quhet I pavlefshëm testament?

Testamenti është I pavlefshëm kur: Bëhet nga një person që nuk mund të bëjë testament Nuk është bërë në formën e kërkuar nga ligji Kur disponohet me testament në dobi të personave që nuk mund të disponojnë Kur trashëgimlënësi, I përjashton nga trashëgimia ligjore trashëgimtarët e tij të mitur ose të paaftë për punë osë cënon pjesën e tyre ligjore Kur disponimi me testament është bërë në kundërshtim ose në mashtrim të ligjit Kur disponimi me testament është bërë më ndikimin e mashtrimit, kanosjes ose dhunës, ose për shkak të një lajthimi, pa të cilën trashëgimlënësi nuk do kishte bërë këtë disponim

Kur dhe nga kush mund të ngrihet padia për pavlefshmërinë e testament?

Padia për shpalljen e pavlefshëm të testamentit mund të ngrihet nga trashëgimtari dhe nga cdo tjetër person I interesuar brenda 3 vjetëve nga momenti kur ka lindur e drejta për të kërkuar trashëgiminë.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: