Informimi publik / E drejta për informim
E drejta për informim
Ku ka të drejtë të marrë informacion çdo person?
Çdo person gëzon të drejtën për të marrë informacion, nga:
- Organet e administratës shtetërore, si:
- organet ligjvënëse (Parlamenti);
- organet ekzekutive (Këshilli i Ministrave, ministritë, kryeministri);
- organet gjyqësore (gjykatat dhe prokuroritë e çdo niveli);
- organet e qeverisjes vendore (bashkitë);
- organet e Forcave të Armatosura;
- dhe çdo organ i krijuar me ligj apo në Kushtetutë.
- Personat që ushtrojnë funksione shtetërore, përfaqësues apo nëpunës të organeve të administratës shtetërore;
- Të ndjekë mbledhjet, forumet, diskutimet dhe debatet e organeve të zgjedhura kolektive.
Cilat janë rregullat për marrjen e informacionit nga individët?
- Çdo person ka të drejtë të njihet me informacionin publik, pa u detyruar të shpjegojë arsyet apo motivet.
- Informacioni mund të merret nëpërmjet dokumentit origjinal, kur është e mundur, ose duke marrë një kopje të origjinalit, në formën apo në formatin që mundëson akses të plotë në përmbajtjen e dokumentit.
- Një informacion i dhënë më parë, nuk mund t’i refuzohet asnjë personi tjetër që e kërkon atë, përveç rastit kur informacioni përmban të dhëna personale për subjektin.
- Është detyrim i autoritetit publik të informojë kërkuesin nëse e zotëron ose jo informacionin e kërkuar.
Cilat informacione duhet të bëhen publike pa kërkesën e individëve?
Çdo individ ka të drejtë të gjejë informacion, në formate të kuptueshme dhe të aksesueshme lehtësisht në faqet e internetit të autoriteteve publike, për kategoritë e mëposhtme të informacionit:
- Përshkrim të strukturës organizative, të funksioneve dhe të detyrave të autoriteteve publike.
- Tekste të plota të konventave të ratifikuara, ligjet, aktet nënligjore, kode të sjelljes, çdo dokument politikash, manual apo dokumenteve të tjera.
- Informacion se si mund të bëjnë kërkesë për informim, adresat postare dhe elektronike për dërgimin e ankesës dhe procedurat e ankimit të vendimit përkatës.
- Adresat e zyrave të autoriteteve publike, oraret zyrtare të punës dhe kontaktet e koordinatorit për të drejtën e informimit. Koordinatori për të drejtën e informimit është një prej nëpunësve civil të institucionit që: i mundëson kërkuesit të drejtën për t’u njohur me informacione publike; krijon, mban dhe publikon regjistrat e kërkesave; plotëson kërkesat për informim; dërgon kërkesat në një autoritet tjetër kompetent, verifikon rastet e dhënies së informacionit dhe kryen njoftimet paraprake.
- Të dhënat për kualifikimet dhe procedurat e zgjedhjes, kompetencat dhe detyrat e funksionarëve të lartë të autoritetit publik.
- Mekanizmat që monitorojnë dhe kontrollojnë autoritetin publik, raportet e tyre.
- Të dhëna për buxhetin dhe planin e shpenzimeve për vitin financiar në vijim dhe për vitet e kaluara, raporte vjetore për zbatimin e buxhetit.
- Informacione për procedurat e prokurimit apo procedurat konkurruese të koncesioneve (partneritetit publik privat).
- Shërbimet që autoriteti publik i jep publikut, standardet për cilësinë e shërbimit.
- Çdo mekanizëm dhe procedurë për bërjen e kërkesave dhe ankesave, dhe mundësinë për dhënien e mendimeve që mund të ndikojnë në hartimin e ligjeve apo politikave publike, nga personat e interesuar.
- Regjistrin e kërkesave dhe të përgjigjeve.
- Përshkrim të kategorive dhe formave të ndihmës shoqërore, subvencioneve të dhëna nga autoritetet publike dhe procedurat për ti përfituar ato.
- Informacioni që kërkohet shpesh dhe çdo informacion tjetër që gjykohet i dobishëm nga autoriteti publik.
Kur mund të kufizohet e drejta për informim?
E drejta për informim mund të kufizohet, nëse ky kufizim është i domosdoshëm, proporcional dhe mbron interesa të rëndësishëm, si:
- Të drejtën për një jetë private, respektimi i jetës private, jetës familjare, banesës dhe korrespondencës;
- Sekretin tregtar, të dhëna apo dokumente të cilësuara si informacione të brendshme për shoqërinë tregtare;
- Të drejtën e autorit(e drejta e krijuesit të një vepre për ta riprodhuar atë apo për të lejuar një person tjetër për ta riprodhuar veprën);
- Patentat(kemi parasysh mbrojtjen e shpikjeve të reja që përmbajnë një hap shpikës në krahasim më arritjet e mëparshme, nga kopjimi, shitja apo shpërndarja).
Kjo e drejtë kufizohet me ligj, në rastet kur dhënia e informacionit mund të paraqesë rrezik për një dëm të rëndë që ka lidhje me:
- Sigurinë kombëtare;
- Parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave penale;
- Mbarëvajtjen e hetimeve administrative, në kuadër të një procedimi disiplinor;
- Mbarëvajtjen e procedurave të inspektimit dhe auditimit (kontrolleve) të autoriteteve publike;
- Formulimin e politikave monetare dhe fiskale të shtetit;
- Barazinë e palëve në një proces gjyqësor (cenohet barazia mes palëve) dhe mbarëvajtjen e një procesi gjyqësor;
- Këshillimin dhe diskutimin proporcional brenda ose midis autoriteteve publike për zhvillimin e politikave publike;
- Mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërkombëtare ose ndërqeveritare (cenohen raportet diplomatike me shtetet dhe qeveritë e huaja).
Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.