Çfarë duhet të përmbajë kërkesa për informacion?
Kërkesa për informacion bëhet me shkrim dhe duhet të përmbajë:
- Emrin dhe mbiemrin e kërkuesit;
- Adresën postare ose elektronike ku kërkohet të dërgohet informacioni;
- Përshkrimin e informacionit që kërkohet;
- Formati në të cilin preferohet informacioni;
- Çdo të dhënë që kërkuesi gjykon se mund të ndihmojë në identifikimin e informacioni të kërkuar.
Si mund të dërgohet kërkesa për informacion?
Kërkesa për informacion mund të dërgohet dorazi, me postë ose me postë elektronike.
Si duhet të veprojë autoriteti publik nëse kërkesa për informacion ka mangësi apo është e paqartë?
Nëse kërkesa për informacion ka mangësi apo është e paqartë, autoriteti publik njofton kërkuesin, për plotësime apo sqarime, brenda 48 orëve nga regjistrimi i kërkesës.
Si duhet të veprojë autoriteti publik nëse nuk e zotëron informacionin e kërkuar?
Nëse autoritet publik, pas shqyrtimit të kërkesës, vëren se nuk e zotëron informacionin, jo më vonë se 10 ditë nga paraqitja e kërkesës, ia dërgon atë autoritetit kompetent dhe vë në dijeni kërkuesin.
A duhet të paguajë individi për të marrë informacionin e kërkuar?
Shërbimet e administratës publike janë pa pagesë, por dhënia e një informacioni mund të bëhet kundrejt një tarife, që është kostoja e riprodhimit të informacionit (si p.sh kostoja e fotokopjimit apo e dublikimit të dokumentit), me kushtin që të jetë përcaktuar më parë dhe të jetë bërë publike nga autoriteti publik, në faqen e internetit apo në ambientet e pritjes së publikut.
Cili është afati për marrjen e informacionit nga individi?
- Jo më vonë se 10 ditë nga data e dorëzimit të kërkesës, përveç kur ligje të posaçme parashikojnë ndryshe.
- Jo më vonë se 15 ditë nga dita që autoriteti publik merr kërkesën nga autoriteti tjetër, kur autoriteti jo kompetent delegon kërkesën për informacion tek autoriteti kompetent.
- Afatet 10 dhe 15 ditore mund të zgjaten për shkaqe të rëndësishme, si dokumente voluminoze për të shqyrtuar apo nevoja për t’u konsultuar me autoritete të tjera.
Cilat janë pasojat e mosdhënies së informacionit të kërkuar?
Refuzimi nga autoriteti publik i dhënies së informacionit, mos kthimi përgjigje ndaj kërkesës për informim apo mos respektimi i procedurave për dhënien e informacionit nga autoriteti publik, nëse nuk përbën vepër penale, dënohet me gjobë.
Si duhet të veprojë individi të cilit i është shkelur e drejta për të marrë informacion?
Çdo person që çmon se i është shkelur e drejta për të marrë informacion, ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Ankimi bëhet brenda 30 ditëve, nga momenti që kërkuesit i është refuzuar dhënia e informacionit apo ka kaluar afati i parashikuar për dhënien e informacionit.
Çfarë mund të vendosë Komisioneri në lidhje me ankimin?
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vendos:
- Mospranimin e ankesës kur:
- ka kaluar afati i parashikuar;
- ankimi nuk paraqitet në formë shkresore;
- nuk tregohet emri dhe adresa e ankuesit.
- Pranimin e ankesës dhe urdhërimin e autoritetit publik për të dhënë informacionin e kërkuar, në mënyrë të plotë ose të pjesshme;
- Rrëzimin e ankesës, pjesërisht ose tërësisht;
- Afatin, brenda të cilit autoriteti publik duhet të zbatojë urdhrin.
Ku mund të ankimohet vendimi i Komisionerit?
Vendimi i Komisionerit ankimohet në Gjykatën Administrative.
Si duhet të veprojë individi nëse nga mohimi i të drejtës për informim i shkaktohet një dëm?
Çdo person që ka pësuar një dëm nga mohimi i të drejtës për informim ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit në gjykatë.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.