Çfarë nënkupton konsultimi publik?
Konsultimi publik nënkupton marrjen e mendimeve dhe përfshijen e publikut për përmbajtjen dhe përmisimin e një akti ligjor, që është në hartim e sipër, (projekati), nga momenti i publikimit të projektaktit për mendim deri në miratimin përfundimtar të tij.
Kur dhe si zbatohet konsultimi publik?
Organet publike janë të detyruara të marrin masat e domosdoshme që të krijojnë mundësi për pjesëmarrjen e publikut dhe palëve të interesuara në procesin e konsultimit publik. Për të realizuar këtë veprohet si më poshtë: a) publikimi i projektaktit në regjistrin elektronik të konsultimit publik (www.konsultimipublik.gov.al) së bashku me të dhëna të lidhura me konsultimin e projektakteve; b) publikimi i planeve vjetore të organeve publike që lidhen me procesin e vendimarrjes (programi i transparencës); c) dhënien e informacionit në lidhje me procesin e njoftimit dhe të konsultimit publik në të gjitha fazat. Dhënia e informacionit në të gjitha fazat e konsultimit publik fillon nga publikimi i projektaktit, marrja e komenteve dhe rekomandimeve nga publiku, organizimi i debateve publike dhe së fundmi, miratimi i aktit përfundimtar. Pas publikimit të njoftimit në regjistrin elektronik organi publik mund të organizojë edhe konsultime dhe takime publike me palët e interesuara, takime të cilat dokumentohen me procesverbal, si dokument zyrtar. Çdo projektakt publikohet në regjistrin elektronik për njoftimin dhe konsultimin publik.
Kush mund të përfshihet në konsultimin publik?
Palët e interesuara në procesin e njoftimit e të konsultimit publik janë: a) organet publike; b) shtetasit e Republikës së Shqipërisë dhe grupet e interesit; c) personat fizikë të huaj me vendqëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, si dhe personat juridikë të huaj, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë. Palët e interesuara interesuara kanë të drejtë të (i) kërkojnë informacion për procesin e njoftimit e të konsultimit publik, (ii) t’u propozojnë organeve publike fillimin e procedurës për hartimin dhe miratimin e projektakteve, sipas planit vjetor të procesit të vendimmarrjes, si dhe (iii) t’u dorëzojnë organeve publike komente dhe rekomandime për projektaktet që janë në proces të njoftimit dhe të konsultimit publik.
Cilat aktet ligjore i nënshtrohen konsultimit publik?
Aktet që i nënshtrohen procedurave për njoftimin dhe konsultimin publik, sipas Ligjit nr.146/2014 “ Për njoftimin dhe konsultimin publik” janë: a) projektligjet përpara miratimit të tyre; b) projekt-dokumenta strategjikë , duke përfshirë si ato kombëtare dhe ato vendore; c) politikat me interes të lartë publik;
Por pavarësisht sa më lart aktet që nuk mund t’i nënshtrohen konsultimit publik janë ato që lidhen me:
a) çështjet e sigurisë kombëtare, për aq sa ato përbëjnë sekret shtetëror b) marrëdhëniet ndërkombëtare dhe marrë-veshjet dypalëshe dhe shumëpalëshe; c) aktet administrative individuale dhe aktet administrative me karakter normativ, përveçse kur me ligj të veçantë parashikohet ndryshe; d) aktet normative, me fuqinë e ligjit, të miratuara në Këshillin e Ministrave; e) emergjencën civile;
Në cilat forma dhe mënyra zhvillohet konsultimi publik?
Procesi për njoftimin dhe konsultimin publik për projektaktet bëhet nëpërmjet regjistrit elektronik. Por nëse organi public e konsideron të nevojshme njoftimi per konsultim, mund të kryhet edhe në një ose disa nga format e mëposhtme: a) me postë elektronike; b) me lajmërim publik, që afishohet në ambientet e organit public inicues; c) me një lajmërim në mediat audiovizive kombëtare,rajonale ose lokale; ç) me botimin në gazeta lokale ose në dy gazetat më të lexuara në nivel kombëtar.
Në raste të vecanta organi publik mund të mbledhë informacione ose opinione paraprake nga palët e interesuara , përpara se të fillojë procesin e hartimit të aktit përkatës.
Çfarë duhet të përmbajë njoftimi për konsultimin publik?
Në njoftimin për fillimin e procesit të konsultimit publik duhët të përcaktohen disa elementë të rëndësishëm. Ato janë : a) arsyet e nevojshme për nxjerrjen e projektaktit, dhe ndikimi që do të ketë; b) afati, vendi dhe mënyra me të cilën palët e interesuara paraqesin ose dërgojnë rekomandimet e tyre; c) adresa e kontaktit të koordinatorit për njoftimin dhe konsultimin publik të organit publik për mbledhjen e rekomandimeve e të komenteve për projektaktin; d) vendi dhe data e organizimit të takimit publik në rastet kur organi publik vendos për organizimin e tij.
Cilat janë afatet për konsultimin publik?
Palët e interesuara kanë një kohë të caktuar për të dërguar pranë organit publik vendimmarrës komentet dhe rekomandimet e tyre, të cilat janë : a) brenda 20 ditëve pune nga data e njoftimit për procesin e njoftimit paraprak; b) brenda 20 ditëve punë nga data e njoftimit për procesin e njoftimit e të konsultimit publik. c) për akte të cmuara si komplekse, sipas vendimit të organit publik, afati për dërgimin e komenteve mund të zgjatet deri në 40 ditë pune nga data e njoftimit. Por mund të ndodhë që organi publik mund të zgjasë afatin e dërgimit të komenteve ose të ripërsëritë fazën e marrjes së tyre kur nuk është i kënaqur me cilësinë e komenteve ose nëse nëpërmjet komenteve janë ngritur cështje të reja që nuk kanë qenë pjese e konsultimit fillestar.
Çfarë janë takimet publike?
Organi publik mund të organizojë takime publike nisur nga interesi i lartë publik dhe rëndësisë së projektaktit. Palët e interesuara duke marrë pjesë në këto takime publike, mund të paraqesin opinionin e tyre për projektaktin që do të hartohet. Ato informohen sipas formave të njoftimit, jo më pak se 20 ditë pune përpara takimit publik, duke u vënë në dispozicion kopje e projekaktit që do të diskutohet, me qëllim që të përgatiten. Konsultimi në takime publike është i hapur dhe nësë konsiderohet e nevojshme mund të regjistrohet. Në cdo takim mbahet një procesverbal, që arkivohet pranë organit publik, dhe ato mund të bëhen publike sipas kërkesës së paraqitur, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit mbi dokumentat zyrtare.
Si shqyrtohen komentet dhe rekomandimet?
Çdo organ publik cakton një person si koordinator të njoftimit dhe konsultimit publik. Komentet dhe rekomandimet e marra gjatë procesit të konsultimit publik grumbullohen nga ky koordinator përkatës në një mënyrë transparente. Shqyrtimi i komenteve dhe rekomandimeve kryhet nga organi publik përgjegjës për hartimin e projektaktit, i cili ka për detyrë të vendosë për pranimin ose refuzimin e rekomandimeve të marra nga palët e interesuara. Nëqoftëse rekomandimet pranohen, atëherë ato i bashkëngjiten në mënyrë të përmbledhur projektaktit. Në rast refuzimi organi publik paraqet, në një nga format e njoftimit sipas këtij ligji, një përmbledhje të arsyeve për mospranimin e tyre . Numri i akteve të miratuara nga organi publik për vitin referues, numri i rekomandimeve të marra nga palët e interesuara, numri i rekomandimeve të pranuara ose të refuzuara gjatë procesit të vendimmarrjes dhe numri i takimeve publike, janë të gjitha të pasqyruara në raportet vjetore.
Cilat janë procedurat e ankesave?
Nëse palët e interesuara vlerësojne se organi publik ka cënuar të drejtën e tyre për njoftim dhe konsultim publik ose nuk janë respektuar afatet e duhura, mund të ankohen: a) pranë titullarit të organit publik përgjegjës për procesin e njoftimit dhe konsultimit publik, kur projektakti nuk është miratuar ende; b) pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të aktit Organi publik merr masa të menjëhershme për reflektimin e vërejtjeve të paraqitura në ankesën e dërguar nga pala e interesuar., kërkohen nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i kërkon ankuesit dhe organit publik, kundër të cilit është bërë ankesa, që të paraqesin parashtrime me shkrim brenda 10 ditëve. Nëqoftëse Komisioneri konkludon se ka shkelje të këtij ligji, atëherë njofton organin publik për marrjen e masave administrative ndaj personit/personave përgjegjës.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.