Sigurimi i detyrueshëm në sektorin e transportit / Sigurimi i detyrueshëm në sektorin e transportit
Sigurimi i detyrueshëm në sektorin e transportit

Cfarë kuptojmë me sigurim të detyrueshëm të mjetit në sektorin e transportit?

Sigurimi i detyrueshëm në sektorin e transportit është sigurimi i përgjegjësisë së pronarit ose përdoruesit të mjetit për dëmet shkaktuar palëve të treta gjatë përdorimit të tij. Me “mjet transporti” do të kuptojmë mjet motorik, mjet lundrues dhe avion. “Mjet motorik i pasiguruar” është mjeti për të cilin nuk është lidhur kontrata për sigurimin e përgjegjësisë, që rezulton nga përdorimi i mjetit, ose periudha e sigurimit ka përfunduar dhe kontrata e sigurimit nuk është rinovuar. “Mjet motorik i paidentifikuar” është mjeti për të cilin nuk ka qenë i mundur të bëhet as identifikimi i mjetit dhe as i siguruesit përgjegjës. “Përdorues i një mjeti transporti” është një person fizik ose juridik që përdor mjetin e transportit me miratimin e pronarit. “Drejtues i paautorizuar” është personi, i cili në rastin e aksidentit drejton mjetin pa lejen e pronarit të mjetit, nuk është punësuar prej tij për të drejtuar mjetin, nuk është anëtar i familjes së tij dhe nuk e ka marrë mjetin në dorëzim nga pronari. “Aksident” është ngjarja ku rezulton dëm nga përdorimi i mjetit të transportit.

Cfarë përfshin sigurimi i detyrueshëm në sektorin e transportit?

Sigurimi i detyrueshëm në sektorin e transportit përfshin:

a) sigurimin e përgjegjësisë së pronarit/përdoruesit të mjetit motorik për dëmet e shkaktuara palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti;

b) sigurimin e pasagjerëve nga aksidentet në transportin publik;

c) sigurimin e përgjegjësisë së pronarit/përdoruesit të mjetit lundrues për dëmet e shkaktuara palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti;

ç) sigurimin e përgjegjësisë së pronarit/përdoruesit të avionit për dëmet e shkaktuara palëve të treta dhe pasagjerëve nga përdorimi i këtij avioni. Sigurimi i përgjegjësisë së pronarit të mjetit të transportit për dëme shkaktuar palëve të treta mbulon edhe dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjetit prej personave të tjerë, kur këta e përdorin mjetin me miratimin e pronarit.

### Cilët subjekte janë të detyruar të lidhin një kontratë sigurimi në sektorin e transportit? Është i detyruar të lidhë një kontratë sigurimi, si dhe të sigurojë rinovimin e saj, pronari i çdo mjeti transporti për aq kohë sa mjeti është në përdorim.

Konsiderohen subjekte të kontratës së sigurimit;

a) I Siguruari

b) Siguruesi

c) Përfituesi

I siguruari është personi (juridik apo fizik) interesi pasuror i të cilit është siguruar me kontratën e sigurumit.

Siguruesi është shoqëria e sigurimit, me të cilën pronari i mjetit motorik ka lidhur kontratë për sigurimin e përgjegjësisë për dëme shkaktuar palëve të treta. Siguruesi është i detyruar të lidhë kontratën e sigurimit sipas kushteve të sigurimit dhe tabelës së primeve të sigurimit.

Përfituesi është çdo person që ka pësuar një dëm si pasojë e një aksidenti të shkaktuar nga një mjet motorik, i cili ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim, për humbjet apo dëmtimet e pësuara, të shkaktuara nga mjeti në qarkullim. Shtrirja territoriale e Kontratës së Sigurimi të Detyrueshëm

Kontrata për sigurimin e detyrueshëm mbulon dëmet ose humbjet e ndodhura në Republikën e Shqipërisë. Kontrata e sigurimit të detyrueshëm, për mbajtësit e kartonit jeshil, mbulon dëmet/humbjet në territorin e vendeve anëtare të sistemit të kartonit jeshil.

E drejta e palës së dëmtuar të paraqesë kërkesë për dëmshpërblim

Pala e dëmtuar, e cila ka pësuar dëmtim ose humbje, ka të drejtë të paraqes kërkesën për dëmshpërblim te siguruesi, tek i cili është siguruar pronari i mjetit, përgjegjës për shkaktimin e aksidentit. Kërkesa për dëmshpërblim mund të përfshijë dëmshpërblimin e dëmeve pasurore dhe jopasurore. Procedurat dhe afatet për rregullimin e shpërblimit të dëmeve Siguruesi është i detyruar të trajtojë çdo kërkesë për dëmshpërblim të depozituar nga subjektet e dëmtuar brenda;

a) 90 ditëve nga nga data e plotësimit të dokumentacionit, për dëmet jopasurore.

b) 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës për dëmshperblim, për dëme pasurore.

Pas trajtimit të kërkesës për dëmshpërblim, në rast pranimi të kërkesës, shoqëria e sigurimit duhet të njoftojë palën e dëmtuar për masën e dëmshpërblimit të vlerësuar prej saj. Në rast refuzimi të kërkesës, shoqëria e sigurimit duhet të njoftojë me shkrim palën e dëmtuar për refuzimin dhe shkaqet ligjore, që çojnë në këtë refuzim. Në rast mosrespektimi të afateve subjekti i dëmtuar ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës me padi civile si dhe të kërkojë interesa të pagueshme për çdo ditë vonesë. Shoqëria e sigurimit, e cila ka shpërblyer palën e dëmtuar, ka të drejtë të tërheqë shumën e paguar, shpenzimet e kryera dhe interesin e pagueshëm nga personi përgjegjës. “Dëmi jopasuror” është dëmi biologjik, ekzistencial dhe moral i pësuar nga cenimi i të drejtave dhe i interesave jopasurore, që lidhet me dhimbjet fizike, paaftësinë për punë, frikën, shëmtimin, dhimbjet dhe vuajtjet shpirtërore të personit të dëmtuar dhe familjarëve të tij në rastin e vdekjes së personit ose përkeqësimit të shëndetit të tij. Dëmshpërblimi në rast se shkaktari i dëmit nuk është i siguruar Në rast se personi përgjegjës për aksidentin nuk ka lidhur kontratë sigurimi, palës së dëmtuar i lind e drejta t`i drejtohet Byrosë Shqiptare të Sigurimit për trajtimin e dëmeve përmes fondit të kompensimit.

Çfarë mbulon sigurimi i detyrueshëm i mjeteve motorike?

Sigurimi i detyrueshëm për mjetet motorike siguron përgjegjësinë e pronarit të mjetit për dëmet që mund t’u shkaktoj palëve të treta gjatë përdorimit të mjetit motorik. Kontrata e sigurimit mbulon dëmet dhe humbjet e pronës dhe dëmin jo pasuror, në rastet e vdekjes, dëmtimeve trupore dhe përkeqësimit të shëndetit, të palëve të treta si dhe të pasagjerëve të mjetit, shkaktar të aksidentit. Sendet, që drejtuesi i mjetit motorik merr përsipër të transportojë, nuk mbulohen nga kontrata e sigurimit nësë shkaktar i aksidentit është vetë drejtuesi i mjetit. Mbulohet përgjegjësia e pronarit të mjetit për dëmet që shkaktohen nga mjeti tërheqës, edhe nga mjeti i tërhequr (rimorkio). Përjashtimi nga mbulimi në sigurim

Nuk kanë të drejtë të kërkojnë dëmshpërblim për dëmet e pësuara në rast aksidenti;

a) drejtuesi mjetit, shkaktar i aksidentit, përfshirë edhe trashëgimtarët ligjor të tij;

b) pronari, bashkëpronari dhe çdo përdorues tjetër i mjetit, shkaktar i aksidentit;

c) çdo pasagjer i cili ka dijeni dhe me vullnetin e tij është në mjetin motorik të drejtuar nga një drejtues i paautorizuar;

d) çdo pasagjer i cili ka dijeni dhe me vullnetin e tij ndodhet në mjetin motorik të pasiguruar, shkaktar të aksidentit;

e) personi që ka përvetësuar mjetin motorik në mënyrë të kundraligjshme;

f) personi i cili ka përdorur mjetin për ngjarje sportive, në rrugë ku nuk lejohet drejtimi, duke arritur shpejtësi të larta apo për t’u stërvituar për gara;

g) personi i cili është dëmtuar për shkak të pasojave të energjisë bërthamore gjatë transportit të materialeve radioaktive;

h) personi i cili është dëmtuar për shkak të veprimeve të luftës, revoltave apo aktve terroriste, të cilat duhen të vlerësohen nga shoqëria e sigurimit si të tilla. Humbja e të drejtës për dëmshpërblim

I siguruari e humbet të drejtën për të kërkuar dëmshpërblim nga sigurimi kur;

a) drejtuesi i mjetit motorik nuk e përdor atë sipas qëllimit;

b) drejtuesi nuk ka leje të vlefshme sipas kategorisë apo tipit të mjetit për të drejtuar mjetin motorik;

c) drejtuesit të mjetit i është konfiskuar ose ndaluar përdorimi i lejes së drejtimit apo i është ndaluar drejtimi i një kategorie/tipi të caktuar mjeti motorik;

d) drejton mjetin nën ndikimin e alkoolit, lëndëve narkotike apo psikotrope si dhe kur kalon kufijtë e lejuar;

e) aksidenti ndodh për shkak të defekteve teknike të mjetit për të cilat drejtuesi nuk ka dijeni.

Ndryshimi i pronësisë së mjetit Nëse gjatë periudhës së sigurimit ndryshon pronësia mbi mjetin motorik, të drejtat dhe përgjegjësitë, që rrjedhin nga kontrata e sigurimit, i kalojnë pronarit të ri dhe janë të vlefshme deri në përfundim të kontratës.

Pronari i ri ka detyrimin që të njoftojë shoqërinë e sigurimit (brenda 15 ditëve) mbi këtë fakt, në mënyrë që ndryshimi në pasqyrohet në kontratën e sigurimit. Kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga përdorimi i një mjeti motorik të pasiguruar ose të paidentifikuar Pala e dëmtuar, të cilës i është shkaktuar dëmi nga nga një mjet motorik, pronari i të cilit nuk është i mbuluar nga sigurimi i përgjegjësisë ndaj palëve të treta, ka të drejtë të kompensohet nga byroja.

Byroja ka detyrimin të paguajë dëmin me shpenzimet e fondit të kompensimit dhe të rimbursojë shpenzimet dhe interes nga personat përgjegjës. Pala e dëmtuar, të cilës i është shkaktuar dëmi nga një mjet motorik i paidentifikuar, paraqet kërkesën për dëmshpërblim te byroja. Dëmshpërblimi i dëmit në rast të likuidimit ose falimentimit të shoqërisë së sigurimit Nëse shoqëria e sigurimit, e licensuar për të kryer veprimtari në përputhje më këtë ligj, ndërpret veprimtarinë, pala e dëmtuar ka të drejtë të paraqes kërkesën për dëmshpërblim pranë Byrosë

Pronarët e mjeteve të transportit publik të pasagjerëve janë të detyruar të lidhin kontratë për sigurimin e aksidenteve të pasagjerëve në transportin publik.

Pasagjeri ose përfituesi ka të drejtë, sipas kushteve të kontratës së sigurimit, të kërkojë nga shoqëria e sigurimit pagimin e dëmshpërblimit.

Pasagjerë janë personat që udhëtojnë me njërin nga mjetet e transportit të destinuara për transportin publik, pavarësisht nëse kanë blerë një biletë, përfshirë personat që kanë të drejtë të udhëtojnë pa pagesë, si dhe personat të cilët ndodhen në territorin e stacionit, të molit, portit, aeroportit ose pranë mjeteve të transportit, para se të hipin ose janë duke zbritur, të cilët kanë qëllim të udhëtojnë ose që kanë udhëtuar me njërin nga mjetet e transportit, me përjashtim të personave të punësuar në mjetin e transportit.

Byroja Shqiptare e Sigurimit është person juridik, me seli në Tiranë, e krijuar jo për qëllime fitimi. Anëtar i byrosë është çdo sigurues, i cili është i licencuar për të ushtruar veprimtaritë e përcaktuara sipas ligjit. Anëtari duhet të paguaj kontributin e anëtarsimit në favor të byrosë. Kontributi fillestar është i përcaktuar në statutin e byrosë.

Byroja kryen funksionet e entit kompensues. Fondet e e nevojshme për të dëmshpërblyër kërkesat e palëve të dëmtuar përballohen nga fondi i kompensimit.

Byroja autorizon anëtarin e saj për të lëshuar kartonin jeshil sipas parashikimeve ligjore dhe nënligjore. Byroja si përfaqësuese kombëtare e këshillit të byrove është përgjegjësë për të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësia e sistemit të kartonit jeshil. Organet drejtuese të Byrosë Organet drejtuese të byrosë janë:

a) Asambleja e përgjithshme e anëtarëve;

b) Këshilli administrativ;

c) Drejtori ekzekutiv.

Kompetencat, detyrat e organeve drejtuese të byrosë dhe forma e organizimit të saj përcaktohen në statutin e byrosë, i cili propozohet nga Asambleja e Përgjithshme dhe miratohet nga autoriteti. Fondi i kompensimit Fondi i kompensimit administrohet nga byroja dhe ka për qëllim pagesën e dëmeve pasurore dhe jopasurore, të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë. Shoqëritë e sigurimit, të licensuara për të kryer veprimtari sigurimi në territorin e Republikës së Shqipërisë, janë të detyruara të kontribuojnë cdo vit financiarisht në fondin e kompensimit. Burime të tjera rrjedhin nga kontribute shtesë të shoqërive të sigurimit, gjobat, të ardhura nga investimi i gjëndjes së fondit të kompensimit si dhe arkëtime nga rimbursime, i shumave nga personat përgjegjë. Fondi i garancisë i kartonit jeshil Fondi i garancisë i kartonit jeshil krijohet dhe administrohet nga Byroja dhe ka për qëllim garantimin e detyrimeve financiare, që rrjedhin nga anëtarësimi në sistemin e kartonit jeshil. Shoqëritë e sigurimit, të cilat ushtrojnë veprimtari në territorin e Republikës së Shqipërisë në sigurimin e detyrueshëm motorik të kartonit jeshil janë të detyruara të kontribuojnë financiarisht në fondin e kartonit jeshil sipas parashikimeve dhe kritereve ligjore.

Fondi i garancisë së kartonit jeshil përdoret:

a) në rastet kur anëtari i Byrosë, përgjegjës për pagesën e dëmshpërblimit, nuk përmbush detyrimet financiare sipas rregullave të sistemit të kartonit jeshil;

b) në rastin kur dëmi ka ndodhur në nje vend antëtar të kartonit jeshil, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, nga mjeti motorik i regjistruar në Shqipëri, i pajisur me karton jeshil fals. Në këtë situatë Byroja përgjigjet sipas rregullave të sistemit të kartonit jeshil;

c) në rast të mbylljes ose falimentimit të një anëtari të Byrosë. “Kartoni jeshil” është certifikata ndërkombëtare e sigurimit, sipas përcaktimeve të Marrëveshjes së Kretës.

Detyrimi për të lidhur kontratën e sigurimit Kanë detyrim të lidhin kontratën e sigurimit të përgjegjësisë për dëmet shkaktuar të tretëve, pronarët e avionëve të regjistruar në regjistrin shqiptar të avionëve civilë. Kontrata e sigurimit mbulon dëme, shkaktuar palëve të treta ose pasagjerëve, me pasojë vdekjen, dëmtime trupore, përkeqësim të gjëndjes shëndetësore ose dëmtim apo humbje të sendeve personale gjatë fluturimit të avionit. Pronari i avionit të regjistruar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, i cili kryen fluturime në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, duhet të ketë kontratë sigurimi të vlefshme të sigurimit të përgjegjësisë për dëmet, humbjet shkaktuar palëve të treta ose pasagjerëve.

Detyrimi për të lidhur kontratë sigurimi Kanë detyrim të lidhin kontratën e sigurimit të përgjegjësisë për dëmet shkaktuar të tretëve, pronarët e mjeteve lundruese që sipas rregullave të regjistrimit të mjeteve lundruese duhet të regjistrohet në regjistrin e mjeteve lundruese. Pronari i mjetit të vogël lundrues të huaj, që hyn në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë, duhet të ketë një kontratë sigurimi të vlefshme për përgjegjësitë ndaj dëmeve, shkaktuar palëve të treta, sipas parashikimeve të këtij ligji, përveçse kur ka një garanci tjetër kompensimi për dëmet ose kur përcaktohet ndryshe në marrëveshjet ndërkombëtare.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: