Kodi rrugor / Drejtimi i mjeteve
Drejtimi i mjeteve

Cilat janë kërkesat për drejtimin e mjeteve?

Çdo person mund të drejtojë një mjet, në rast se plotëson kërkesat e vendosura nga ligjvënësi.

Kushtet që duhen plotësuar janë:

1. Mosha

Legjislacioni parashikon një moshë minimale dhe një moshë maksimale brenda së cilës mund të gëzohet e drejta e drejtimit të një automjeti. E drejta për të drejtuar një mjet nuk është e barazvlefshme me pajisjen me leje drejtimi (patentë). Siç përcaktohet më poshtë, disa kategori mjetesh mund të drejtohen edhe pa patentë.

Mosha minimale për drejtimin e mjeteve sipas kategorive është:

16 vjeç - për drejtimin e mjeteve të tërhequra me kafshë apo drejtimin e kafshëve tërheqëse;

16 vjeç - për drejtimin e mjeteve me motor, të kategorisë AM (si p.sh. çiklomotorët me dy rrota me cilindratë deri në 50 cc);

18 vjeç - për drejtimin e mjeteve me motor, për të cilat kërkohet pajisja me lejedrejtimi të kategorive A1, A2, B1 dhe B (si p.sh. autoveturat).

Mosha maksimale për drejtimin e mjeteve me motor është:

70 vjeç - për të drejtuar mjete për transport malli;

65 vjeç - për të drejtuar autobusë, kamionë, autotrena, gjysëmrimorkiatorë dhe artikularë të caktuar për transport personash.

2. Kërkesa fizike dhe psikike për marrjen e lejedrejtimit të mjetit

Personat e prekur nga sëmundje fizike apo çrregullime mendore, që kanë paaftësi anatomike apo funksionale, të tilla që i pengojnë të drejtojnë në mënyrë të sigurt një mjet me motor, nuk mund të pajisen me lejedrejtimi të mjeteve.

Vlerësimi i këtyre kërkesave fizike e psikike, në çdo rast bëhet nga subjektet shëndetsore të licensuara nga ministria që mbulon shëndetin dhe ajo përgjegjëse për transportin.

3. Provimi i marrjes së lejedrejtimit

Lejedrejtimi i mjetit merret pas kontrollit të njohurive teorike dhe verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes. Monitorimi i provimit bëhet nga organet kompetente. Provimet janë publike. Leja e drejtimit merret për kategori të caktuara.

Cilat janë dokumentet që duhet të kenë me vete drejtuesit e mjeteve?

Kush drejton automjete dhe motomjete duhet të ketë me vete dhe me kërkesë të policit të trafikut, të tregojë:

  • lejen e drejtimit të vlefshme për kategorinë përkatëse të mjetit;
  • lejen e qarkullimit;
  • policën e siguracionit (certifikata e sigurimit të detyruar);
  • dokumentin që vërteton kontrollin teknik të mjetit;
  • certifikatën e aftësisë profesionale (kur është e nevojshme);
  • autorizimin për ushtrimin e drejtimit të mjetit sipas kategorisë së mjetit për të cilin ushtrohet në rastet kur është kursant i regjistruar në një autoshkollë;
  • dokument identifikimi.

Cilat janë pasojat e drejtimit të mjetit në gjendje të dehur dhe nën ndikimin e alkoolit?

Ndalohet drejtimi i mjetit pas përdorimit të pijeve alkoolike, kur aparati matës i nivelit të alkoolit shënon mbi 0.5 gram për litër (g/l). Drejtimi i mjetit pas përdorimit të pijeve alkoolike mbi këtë nivel, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim gjer në tre vjet. Gjithashtu, për drejtimin e automjetit në gjendje të dehur (pra, me nivel alkoli mbi 0.5 gram për litër) zbatohet edhe masa plotësuese e heqjes së lejedrejtimit. Heqja e lejes së drejtimit, në ndryshim nga pezullimi i saj, nënkupton që drejtuesit të automjetit i hiqet në mënyrë të përhershme e drejta për të drejtuar automjete.

Përveç sa më sipër, ndalohet drejtimi i mjetit edhe pas përdorimit të pijeve alkoolike dhe nën ndikimin e alkoolit. Drejtuesi i automjetit konsiderohet nën ndikimin e alkoolit kur aparati matës i nivelit të alkoolit shënon nga 0.2 g/l deri në 0.5 g/l. Në rast se drejtohet automjeti nën ndikimin e alkoolit, drejtuesi ndëshkohet me gjobë nga pesë mijë deri në pesëmbëdhjetë mijë lekë. Pas verifikimit të shkeljes zbatohet masa administrative e pezullimit të lejedrejtimit nga gjashtë muaj deri në një vit dhe nga një vit deri në dy vjet, kur subjekti e përsërit shkeljen brenda një viti.

Cilat janë pasojat e përfshirjes në një aksident të një personi që drejton mjetin nën ndikimin e lëndëve narkotike?

Drejtimi i mjeteve nga përdoruesi i lëndëve droguese apo psikotrope është i ndaluar.

Nëse, nën ndikimin e lëndëve droguese e psikotrope, drejtuesi i mjetit përfshihet në një aksident, organet e policisë rrugore mund të marrin masa për shoqërimin e personit për verifikimin e rastit, pranë shërbimeve publike kompetente lokale për të droguarit. Analiza shëndetsore, e lëshuar prej tyre, mund të shërbejë si bazë për pezullimin apo heqjen e lejes së drejtimit të mjetit nga organi që ka lëshuar lejedrejtimin.

Si duhet të veprojmë në rast se përfshihemi në një aksident?

Në qoftë se një aksident lidhet me sjelljen e përdoruesit të rrugës, ai është i detyruar të ndalojë dhe t’u japë ndihmën e nevojshme njerëzve të dëmtuar, të njoftojë shërbimet e emergjencës shëndetsore dhe të Policisë Rrugore. Kursi i ndihmës së shpejtë mjekësore kryhet nga Kryqi i Kuq në bashkëpunim me autoshkollat, me miratimin e autoriteteve kompetente.

Njerëzit e përfshirë në aksident duhet të ruajnë gjendjen e vendit të aksidentit, si dhe gjurmët e nevojshme për përcaktimin e përgjegjësisë, por duke garantuar sigurinë e qarkullimit.

Nëse dëmet janë vetëm materiale, drejtuesit e mjeteve dhe çdo përdorues tjetër i rrugës, duhet të shmangin pengimin e qarkullimit, aty ku është e mundur.

Drejtuesit e mjeteve duhet të japin të dhëna të sakta si dhe çdo informacion të nevojshëm, për qëllime dëmshpërblimi, njerëzve të dëmtuar.

Nëse nga aksidenti, pasojat janë vetëm dëme materiale dhe nuk është zbatuar detyrimi i ndalimit, zbatohen masat administrative, gjobë dhe pezullim i lejes së drejtimit. Nëse aksidenti ka sjellë dëme në njerëz, moszbatimi i detyrimit për të ndaluar dënohet sipas Kodit Penal dhe me pezullimin e lejes së drejtimit.

Mosdhënia e ndihmës së nevojshme njerëzve të plagosur, kur nuk përbën vepër penale, dënohet me gjobë.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: