Si duhet të sillen këmbësorët në rrugë?
Këmbësorët duhet të lëvizin në hapësirat e caktuara për ta, që janë trotuare, bankina, shëtitore, etj. Kur këto hapësira mungojnë, duhet të lëvizin në buzën e karrexhatës (rrugës që lëviz mjeti), në drejtim të kundërt me lëvizjen e mjetit, për të krijuar një pengesë sa më të vogël për qarkullimin.
Për kalimin e rrugës këmbësorët duhet të përdorin vendkalimet këmbësore (pjesë rruge të shënuara në mënyrë të përshtatshme dhe të organizura, ku këmbësorët, gjatë kalimit nga njëra anë e rrugës në tjetrën, kanë përparësi ndaj automjeteve, si p.sh. vijat e bardha), mbikalimet dhe nënkalimet.
Është i ndaluar kapërcimi i kryqëzimeve, nga këmbësorët në mënyrë diagonale (në të gjitha rastet duhet zgjedhur segmenti më i shkurtër për të kaluar në anën tjetër të rrugës).
Është i ndaluar qëndrimi i këmbësorëve për një kohë të gjatë në rrugë dhe në vendkalimet e këmbësorëve, duke krijuar pengesë për kalimin normal të përdoruesve të tjerë të rrugës.
Këmbësorët që do të kapërcejnë karrexhatën në një zonë të papajisur me vendkalim këmbësorësh (vija të bardha) duhet t’u japin përparësi drejtuesve të mjeteve.
Është e ndaluar për këmbësorët të kryejnë kapërcime rrugore, duke kaluar përpara autobusëve që kanë ndaluar në stacione.
Mjetet e papajisura me motor që përdoren nga fëmijët ose nga persona invalidë, mund të qarkullojnë në pjesët e rrugës të caktuara për këmbësorë.
Qarkullimi me anë të patinave, karrocave ose me të tjerë shpejtues lëvizjeje është i ndaluar në karrexhatat e rrugëve.
Është e ndaluar kryerja në karrexhatë e lojërave ose manifestimeve sportive të paautorizuara.
Në hapësirat e caktuara për këmbësorë është i ndaluar përdorimi i karrocave, patinave ose i shpejtuesve të tjerë të lëvizjes që mund të krijojnë situata të rrezikshme për përdoruesit e tjerë.
Shkelja e këtyre rregullave dënohet me gjobë.
Si duhet të sillen drejtuesit e mjeteve ndaj këmbësorëve?
Kur trafiku nuk është i rregulluar nga polici ose nga semafori, drejtuesit e mjeteve duhet t’i japin përparësi këmbësorëve që kalojnë në vendkalimet këmbësore duke ngadalësuar dhe, kur është e nevojshme, duke ndaluar.
Në rrugë të papajisura me vendkalime këmbësorësh drejtuesit e mjeteve duhet t’i lejojnë këmbësorit, që ka filluar kapërcimin e rrugës, të arrijë i sigurt në anën tjetër.
Drejtuesit e mjeteve duhet të ndalojnë, kur një person invalid me aftësi të kufizuara lëvizjeje ose që lëviz me karrocë invalidësh, ose i pajisur me shkop të bardhë, ose i shoqëruar me një qen drejtues, ose sidoqoftë i dallueshëm në njëfarë mënyre, kapërcen rrugën, ose ka ndërmend ta kapërcejë. Drejtuesit duhet gjithashtu të shmangin situata të rrezikshme që mund të shkaktohen nga veprime të gabuara a të ngathëta të fëmijëve dhe të të moshuarve.
Shkelja e këtyre rregullave dënohet me gjobë.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.