Provimi i marrjes së lejedrejtimit
Lejedrejtimi i mjetit merret pas kontrollit të njohurive teorike dhe verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes. Monitorimi i provimit bëhet nga organet kompetente. Provimet janë publike. Leja e drejtimit merret për kategori të caktuara.
Cilat janë kategoritë e lejedrejtimit?
Kategoria AM:
- ciklomotorë me dy rrota, kategoria L1, me shpejtësi maksimale më të madhe se 25 km/h dhe jo me shumë se 45 km/h, fuqia cilindrike e të cilit është më e vogël apo e barabartë me 50 cm³, nëse është me djegie të brendshme, apo fuqia maksimale e vazhdueshme është më e vogël apo e barabartë me 4 kW, për motorët elektrikë;
- mjete me ose pa kosh dhe mjete me tri rrota, kategoria L2, me shpejtësi maksimale më të madhe se 25 km/h dhe jo më shumë se 45 km/h dhe me motor me fuqi cilindrike më të ulët apo të barabartë me 50 cm³, nëse ky është me ndezje të komanduar, apo kur fuqia e tij maksimale neto është më e ulët ose e barabartë me 4 kW, për motorët e tjerë me djegie të brendshme, ose për ata që fuqinë maksimale të vazhdueshme e kanë më të vogël apo të barabartë me 4 kW, për motorët elektrikë;
- mjete me katër rrota të lehta, kategoria L6, masa bosh e të cilave është më e ulët ose e barabartë me 350 kg, duke përjashtuar masën e baterive për automjetet elektrike me shpejtësi maksimale më të madhe se 25 km/h dhe jo më shumë se 45 km/h, me fuqi cilindrike të motorit më të ulët ose të barabartë me 50 cm³, për motorët me ndezje të komanduar, ose ata të cilët fuqinë maksimale neto e kanë më të ulët apo të barabartë me 4 kW, për motorët e tjerë me djegie të brendshme; ose ata të cilët fuqinë maksimale të vazhdueshme e kanë më të vogël apo të barabartë me 4 kW, për motorët elektrikë.
Kategoria A1:
- motomjet me cilindratë jo më shumë 125 centimetër kub dhe me fuqi jo më shumë se 11 kW dhe me raportin fuqi/peshë jo më shumë se 0,1 kW/kg;
- tricikël me një fuqi jo më të madhe se 15 kW.
Kategoria A2:
motomjet me fuqi jo më shumë se 35 kW dhe me raportin fuqi/peshë jo më shumë se 0,2 kW/kg, që nuk rrjedh nga një mjet me më shumë se dyfishi i fuqisë së tij.
Kategoria A:
motomjet me fuqi më shumë se 15 kW.
Kategoria B1:
motomjet me katër rrota, sipas përcaktimeve të shkronjës “c”, të kategorisë AM, masa pa ngarkesë e të cilit është më e vogël ose e barabartë me 400 kg ose 550 kg për mjetet e destinuara për transport mallrash (kategoria L7), përjashtuar masën e baterive për automjetet elektrike, të cilat fuqinë maksimale neto të motorit e kanë më të ulët ose të barabartë me 15 kW. Këto mjete konsiderohen si mjete me tri rrota dhe janë në përputhje me rregullat e aplikueshme për mjetet e kategorisë L5.
Kategoria B:
mjet motorik me masë maksimale të autorizuar jo më të madhe se 3 500 kg dhe me jo më shumë se 8 ndenjëse, përjashtuar ndenjësen e drejtuesit të mjetit. Mjetet e kësaj kategorie mund të tërheqin një rimorkio të lehtë ose një gjysmërimorkio që nuk e kalon masën maksimale të autorizuar 750 kg, duke u siguruar që masa maksimale e autorizuar e këtij kombinimi të mos kalojë 4 250 kg. Në rast se kombinimi i kalon 3 500 kg, drejtuesi duhet t’i nënshtrohet një trajnimi dhe provimi të posaçëm.
Kategoria BE:
kombinimi i një mjeti të kategorisë B dhe një rimorkioje ose gjysmërimorkioje, ku masa maksimale e autorizuar e rimorkios ose gjysmërimorkios nuk i kalon 3 500 kg.
Kategoria C1:
mjet motorik i ndryshëm nga ato të kategorive D1 e D, masa maksimale e autorizuar e të cilit i kalon 3 500 kg, por jo më shumë se 7 500 kg ose i projektuar dhe i konstruktuar për transportin e jo më shumë se tetë pasagjerëve, përjashtuar drejtuesin e automjetit. Mjeteve të kësaj kategorie mund t’u lidhet një rimorkio, masa maksimale e autorizuar e së cilës nuk e kalon 750 kg.
Kategoria C1E:
- kombinimi i një mjeti motorik të kategorisë C1 dhe një rimorkioje ose gjysmërimorkioje, ku masa maksimale e autorizuar e rimorkios ose gjysmërimorkios është më shumë se 750 kg, por masa maksimale e autorizuar e kompleksit të formuar nuk i kalon 12 000 kg;
- kombinimi i një mjeti të kategorisë B dhe një rimorkioje apo gjysmërimorkioje, masa e autorizuar e të cilave i kalon 3 500 kg, me kusht që, në masë, kombinimi i autorizuar të mos i kalojë 12 000 kg.
Kategoria C:
mjet motorik i ndryshëm nga ato të kategorive D1 e D, masa maksimale e autorizuar e të cilit i kalon 3 500 kg ose i projektuar dhe konstruktuar për transportin e jo më shumë se tetë pasagjerëve, përjashtuar drejtuesin e automjetit. Mjeteve të kësaj kategorie mund t’u lidhet një rimorkio, masa maksimale e autorizuar e së cilës nuk e kalon 750 kg.
Kategoria CE:
kombinimi i një mjeti të kategorisë C me një rimorkio ose gjysmërimorkio, ku masa maksimale e autorizuar e rimorkios ose gjysmërimorkios është më shumë se 750 kg.
Kategoria D1:
mjet motorik i projektuar dhe konstruktuar për jo më shumë se 16 pasagjerë, përjashtuar drejtuesin e automjetit, dhe me gjatësi maksimale që nuk i kalon 8 m. Mjetet e kësaj kategorie mund të tërheqin një rimorkio, masa maksimale e autorizuar e së cilës nuk i kalon 750 kg.
Kategoria D1E:
kombinim i një mjeti të kategorisë D1 me një rimorkio ose gjysmërimorkio, ku masa maksimale e autorizuar e rimorkios ose gjysmërimorkios është më shumë se 750 kg.
Kategoria D:
mjet motorik i projektuar dhe i konstruktuar për më shumë se 8 pasagjerë, përjashtuar drejtuesin e automjetit. Mjeteve të kësaj kategorie mund t’u lidhet një rimorkio, masa maksimale e autorizuar e së cilës nuk i kalon 750 kg.
Kategoria DE:
kombinimi i një mjeti të kategorisë D me një rimorkio ose gjysmërimorkio, ku masa maksimale e autorizuar e rimorkios ose gjysmërimorkios është më shumë se 750 kg.
Me çfarë lloji lejedrejtimi mund të pajisen personat me aftësi të kufizuara?
Invalidët mund të marrin lejedrejtimi të veçantë të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B, C1, C, dhe nëse drejtojnë mjete që tërheqin një rimorkio, duhet të kenë një peshë të lehtë (nën 750 kg). Lejedrejtimet e sipërpërmendura mund të jenë të kufizuara në drejtimin e mjeteve të tipave dhe me karakteristika të veçanta. Kufizimet duhet të pasqyrohen në lejen e drejtimit.
Ata nuk mund të drejtojnë mjetet e shërbimit taksi ose me qiradhënie për transport njerëzish apo në shërbimet në linjë, autoambulancat dhe mjetet që përdoren në transportin e mallrave të rrezikshme ose në transportin e më shumë se 8 pasagjerëve, përveç drejtuesit të mjetit.
Cili është afati i vlefshmërisë së lejes së drejtimit?
10 vjet - për lejet e drejtimit të kategorive “AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE” të rinovuara apo të lëshuara për herë të parë për cilindo që nuk ka mbushur moshën 50 vjeç;
5 vjet - për lejet e drejtimit të kategorive “AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE” të rinovuara apo të lëshuara për herë të parë për cilindo në intervalin e moshës 50 - 70 vjeç;
3 vjet - për lejet e drejtimit të kategorive “AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE ” të rinovuara apo të lëshuara për herë të parë për cilindo që ka kaluar moshën 70 vjeç.
Cila është procedura që ndiqet në rast humbje, vjedhje apo shkatërrimi të lejedrejtimit?
Për rastet e humbjes, vjedhjes ose shkatërrimit të lejedrejtimit, zotëruesi i tij duhet që brenda 48 orëve të bëjë denoncim në organet e policisë, të cilat i lëshojnë një vërtetim për këtë denoncim, vërtetim që bashkë me deklaratën e marrjes së përgjegjësisë administrative shërben për lëshimin e lejedrejimit të përkohshëm të mjetit (me afat maksimal 30 ditë). Në rast se është vërtetuar shkatërrimi i lejedrejtimit apo kanë kaluar 30 ditë dhe ky dokument nuk është gjetur ose kthyer, mund të kërkohet lëshimi i një lejedrejtimi të ri (të njëjtë me të parin) pranë zyrës që lëshon lejedrejtimet.
Lejedrejtimi i mjetit merret pas kontrollit të njohurive teorike dhe verifikimit të aftësive drejtuese e të sjelljes. Monitorimi i provimit bëhet nga organet kompetente. Provimet janë publike. Leja e drejtimit merret për kategori të caktuara. Mbajtësi i lejedrejtimit, në rast të humbjes totale të pikëve në lejedrejtim, duhet të ndjekë përsëri kursin pranë autoshkollave të licensuara dhe t’i nënshtrohet provimit në përfundim të tij, sipas parashikimeve ligjore.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.