Çfarë kuptojmë me masë administrative me gjobë dhe si përcaktohet ajo?
Masa administrative me gjobë konsiston në pagesën e një shume parash ndërmjet një kufiri minimal dhe një kufiri maksimal sipas rastit. Kjo masë vendoset në bazë të rëndësisë së shkeljes, punës së kryer nga personi për mënjanimin ose zbutjen e pasojave të shkeljes, si dhe personalitetit dhe kushteve të tij ekonomike.
Vlera e masave administrative me gjobë rishikohet çdo dy vjet nga autoritetet kompetente duke iu referuar kushteve ekonomike mesatare në vend.
A transmetohet detyrimi i pagesës së gjobës te trashëgimtarët?
Detyrimi i pagesës për masat administrative me gjobë nuk i transmetohet trashëgimtarëve.
Si veprohet kur ndodh një shkelje administrative?
Kur ndodh një shkelje e dënueshme me masë administrative me gjobë, përpilohet një procesverbal që i adresohet shkelësit dhe personit që është i detyruar solidarisht të paguajë shumën, kur këta janë të identifikueshëm. Një kopje e procesverbalit i dorëzohet shkelësit dhe një tjetër zyrës nga e cila varet polici rrugor.
Kur kemi detyrim të dy personave bashkërisht për një shkelje administrative?
Në qoftë se mjeti përdoret nga jo pronari i tij, dhe ky i fundit është përfshirë në një shkelje të dënueshme me masë administrative me gjobë, pronari i mjetit, është i detyruar, solidarisht/bashkërisht me autorin e shkeljes, të paguajë shumën, përveçse kur provon se qarkullimi i mjetit ka ndodhur kundër vullnetit të tij.
Kur shkelja e dënueshme me masë administrative kryhet nga persona të vendosur nën kujdestarinë e një personi tjetër, personi i ngarkuar me mbikëqyrjen e shkelësit është i detyruar solidarisht me autorin e shkeljes, të paguajë shumën që ai detyrohet, përveçse kur provon që nuk ka mundur të ndalojë kryerjen e aktit.
Në qoftë se shkelja kryhet nga përfaqësuesi ose nga vartësi i një personi juridik ose sidoqoftë nga një sipërmarrës në ushtrimin e detyrave a funksioneve të tij, personi juridik, enti ose shoqata a sipërmarrësi është i detyruar, solidarisht/bashkërisht me autorin e shkeljes, të paguajë shumën që ky detyrohet.
Nga kush paguhet detyrimi për një shkelje administrative të kryer nga shumë persona?
Kur shkelja e dënueshme me masë administrative me gjobë, kryhet nga shumë persona, secili prej tyre paguan masën e parashikuar, përveçse kur ligji vendos ndryshe.
Si bëhet njoftimi i shkeljes administrative?
Kur autori i shkeljes nuk mund të përcaktohet menjëherë, procesverbali me të dhëna të sakta dhe të detajuara të shkeljes, duhet t’i njoftohet shkelësit brenda 30 ditëve nga verifikimi i shkeljes.
Për banuesit jashtë vendit njoftimi duhet të kryhet brenda 360 ditëve nga verifikimi i shkeljes.
Njoftimet, për të dyja rastet, quhen të kryera me korrektësi kur bëhen në rezidencën ose vendbanimin e subjektit, që rezulton nga lejeqarkullimi ose nga arkivi kombëtar i mjeteve apo nga lejedrejtimi i drejtuesit të mjetit. Shpenzimet e verifikimit dhe të njoftimit i ngarkohen personit që është i detyruar të paguajë gjobën administrative.
Kur njoftimi në fjalë nuk bëhet brenda afatit të lartpërmendur, autori i shkeljes nuk është më i detyruar të paguajë gjobën administrative.
Cili është afati brenda të cilit duhet të paguhet gjoba dhe sa është kamata në rast vonese?
Kundërvajtësi i shkeljes administrative duhet të paguajë masën e gjobës brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formë të prerë. Pas kalimit të afatit, për çdo ditë vonesë, paguhet 2% kamatë deri në një muaj.
Çfarë ndodh nëse gjoba nuk paguhet?
Për të gjitha gjobat administrative që nuk paguhen ose nuk shlyhen dot nga të ardhurat e shkelësit, bëhet ndalimi i mjetit deri në 3 muaj. Pas këtij afati mjeti shitet në ankand dhe shkelësit i kthehet diferenca e mbetur nga shuma e shitjes, pasi të jetë zbritur detyrimi i gjobës.
Gjobat administrative që jepen në vend dhe nuk e kalojnë vlerën prej 5 000 lekesh, përjashtohen nga ky rregull.
Çfarë janë masat administrative plotësuese të masave administrative me gjobë?
Masat administrative plotësuese ndahen në:
- masa në lidhje me detyrimet për kryerjen e një veprimtarie të caktuar, ose për pezullimin a ndalimin e një veprimtarie të caktuar;
- masa që kanë të bëjnë me mjetin, si p.sh. konfiskimi apo bllokimi i mjetit në pikat e caktuara të grumbullimit;
- masa që kanë të bëjnë me dokumentet e qarkullimit dhe lejedrejtimin.
Me vdekjen e personit të ngarkuar me gjobë ndërpritet çdo procedurë për ekzekutimin e saj. Në qoftë se i është sekuestruar mjeti ose tërhequr lejeqarkullimi ose lejedrejtimi, organi kompetent bën kthimin e menjëhershëm të mjetit trashëgimtarëve.
Pezullimi i lejes së drejtimit
Pezullimi i lejes së drejtimit bëhet nga organet e policisë në rast të shkeljeve të normave të qarkullimit, si:
- nga shkelja e normave të kodit rrugor shkaktohet një dëmtim i personit deri në humbje jete nga pakujdesia;
- personi që zotëron materialisht një mjet, ia beson atë ose ia jep ta drejtojë një personi të papajisur me lejedrejtimi;
- personi drejton një mjet për të cilin duhet një leje drejtimi e ndryshme nga ajo që zotëron ose drejton një mjet të shërbimit publik i pajisur me leje drejtimi por jo me çertifikatë aftësie profesionale;
- në rast humbje të përkohshme të aftësive fizike dhe psikike (pezullim pa afat deri në rifitimin e aftësive);
- kur tejkalohet me më shumë se 20 km/orë kufiri maksimal i shpejtësisë;
- kur qarkullohet në kundërvajtje në kthesa, kurrize apo në ndonjë rast me fushëpamje të kufizuar;
- kur drejtuesi i mjetit ndodhet në gjendje jonormale si pasojë e përdorimit të lëndëve droguese. Në këto raste leja e drejtimit i kthehet të interesuarit vetëm pas përmbushjes së detyrimeve.
Leja e drejtimit mund të tërhiqet në rast të shkeljeve për të cilat është parashikuar një pezullim me afat, p.sh. në rast të drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit.
Pezullimi i lejes së qarkullimit
Pezullimi i lejes së qarkullimit bëhet nga organet e policisë në rast të shkeljeve të normave të qarkullimit, si:
- transportimi i mallrave të rrezikshme pa marrë leje, kur parashikohet, si dhe mosrespektimi i kushteve të vëna për ruajtjen e sigurisë së tyre sipas autorizimit përkatës;
- qarkullimi në rrugë që janë pezulluar përkohësisht ose në rrugë ushtarake, kur shkelja kryhet nga drejtuesi i një mjeti për transport mallrash, kur drejtuesi i mjetit është njëkohësisht edhe pronari i mjetit;
- përdorimi i mjetit për një destinacion të ndryshëm nga sa është parashikuar në lejen e transportit;
- përdorimi për transport njerëzish të një mjeti të destinuar për transport mallrash, pa pasur lejen e transportit të përkohshme.
Anulimi i lejes së drejtimit
Disa nga rastet kur anulohet leja e drejtimit janë:
- kur drejtuesi i mjetit nuk plotëson në mënyrë të vazhdueshme kërkesat fizike dhe psikike;
- kur drejtuesi i mjetit del i papërshtatshëm për drejtim mjeti pas rivlerësimit të aftësive të tij nëpërmjet kontrollit mjekësor ose provimit;
- kur drejtuesi i mjetit ka kryer zëvendësimin e lejedrejtimit të vet me lejedrejtimin e lëshuar nga një shtet i huaj.
Konfiskimi i mjetit
Konfiskimi i mjetit bëhet për shembull kur:
- qarkullon me një lejeqarkullimi që i ka skaduar afati;
- drejtohet një taksi pa u pajisur me licencën përkatëse;
- për të nuk është lëshuar lejeqarkullimi;
- një mjet i caktuar për qarkullime prove përdoret për qëllime të tjera;
- qarkullon me një targë që nuk është e vetja ose është e falsifikuar;
- qarkullimi me ciklomotorr që ka një ose më shumë karakteristika, të cilat nuk përputhen me karakteristikat ose kushtet teknike të ciklomotorrëve (ka më shumë se 50 cc), ose që zhvillojnë një shpejtësi më të madhe se 50 km/h;
- përdorimi për qëllime të tjera i një mjeti të caktuar për qarkullime prove (kur kjo shkelje kryhet dy herë);
- drejtimi i automjeteve ose motomjeteve pa marrë lejedrejtimi.
Si mund të ankimohet një gjobë?
Kundërvajtjet apo shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, që në shumicën e rasteve shoqërohen me gjobë, shqyrtohen nga organi administrativ shtetëror, në territorin e të cilit është efektiv agjenti i policisë rrugore që konstaton shkeljen, i cili merr vendimin përkatës, me përjashtim të masave të gjobave në vend. Gjobat në vend janë gjoba që jepen nga agjenti i policisë rrugore apo agjenti verifikues, në një shumë deri në 5 000 (pesë mijë) lekë. Masat administrative plotësuese ankimohen njësoj si masat administrative me gjobë.
Kundër vendimit të dënimit nga organi administrativ shtetëror, mund të bëhet ankim, brenda 5 ditëve nga dita e shpalljes, në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja, vendimi i së cilës është përfundimtar.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.