Kodi rrugor / Si veprohet në rrugë
Si veprohet në rrugë

Rregullat për lëvizjen e këmbësorëve, mjeteve dhe/ose e kafshëve në rrugë përcaktohen nga Kodi Rrugor dhe aktet në zbatim të tij. Këto akte miratohen ose janë të miratuara në përputhje me normat ndërkombëtare e të Komunitetit Evropian në këtë fushë.

Çfarë është e ndaluar në rrugë?

Për të siguruar një lëvizje normale në rrugë jemi të detyruar të respektojmë rregullat e vendosura nga ligjvënësi. Për këtë qëllim, ka një sërë veprimesh të cilat ndalohen.

Në të gjitha rrugët, është e ndaluar:

  • kryerja e punimeve apo depozitimeve, hapja e kantiereve rrugore pa autorizimin apo lejen e organit kompetent;
  • të vendosen shenja, parulla, impiante reklamimi, etj., që për nga përmasat, forma, ngjyrat, pamja dhe vendndodhja mund të shkaktojnë konfuzion me sinjalizimin rrugor ose ta bëjnë të vështirë kuptimin, dallimin apo efikasitetin e tij, si dhe të shkaktojnë shqetësime pamore a të tërheqin vëmendjen e përdoruesve të rrugës me pasojë rrezikimin e sigurisë së qarkullimit. Në çdo rast kërkohet leje nga autoriteti përkatës.
  • të dëmtohen në çfarëdo mënyre veprat e artit, të mbjellat dhe impiantet rrugore, të ndryshohet forma dhe të zihet sipërfaqja e rrugës ose e pjesëve që i përkasin asaj apo në përgjithësi të krijohen gjendje të rrezikshme për trafikun;
  • të dëmtohet, të vizatohet, të shënohet, të zhvendoset apo të hiqet sinjalizimi rrugor dhe çdo objekt tjetër që i takon atij;
  • të pengohet rrjedhja e lirë e ujërave në kanalet ose hendeqet anësore dhe në njësitë përkatëse të grumbullimit dhe shkarkimit;
  • të pengohet rrjedhja e lirë e ujërave që shkarkohen në terrenin nën nivelin e rrugës;
  • të qarkullojnë kafshë, duke përjashtuar rrugët lokale (rrugë urbane / brenda qendrave të banuara ose interurbane), sipas normave të parashikuara për lëvizjen e kafshëve;
  • të hidhen ose të grumbullohen mbeturina ose materiale të çfarëdo lloji;
  • të sillet ose të shpërndahet baltë edhe nëpërmjet rrotave të mjeteve që vijnë nga hyrje ose degëzime;
  • të shkarkohen në kanale dhe hendeqe, pa leje të rregullt, materiale të çfarëdo lloji ose të kanalizohen në to ujëra të çfarëdo natyre;
  • të hidhen sende të çdo lloji nga mjeti në lëvizje.

Cilat veprime janë të ndaluara për pronarët e terreneve në kufi me rrugët, jashtë qendrave të banuara?

Për pronarët e terreneve në kufi me rrugët, jashtë qendrave të banuara, ndalohet:

  • të hapin kanale, hendeqe dhe të kryejnë çfarëdolloj gërmimi në terrenet anash rrugëve;
  • të ndërtojnë, të rindërtojnë ose të zgjerojnë anash rrugëve objekte ose mure rrethues të çfarëdo tipi dhe materiali në largësi nga kufiri rrugor më të vogël se ato të përcaktuara në aktet në zbatim për çdo tip rruge;
  • të mbjellë pemë anash rrugëve, shkurre e të tjera të këtij lloji.

Cilat janë disa detyrime në lidhje me rrugët?

Pronarët që kufizohen me rrugën, detyrohen të ndërtojnë gardhet pa ngushtuar apo dëmtuar rrugën. Ndërtimet dhe muret ruhen dhe mirëmbahen që të mos rrezikojnë sigurinë publike dhe të mos shkaktojnë dëme mbi rrugë.

Rregullat dhe detyrimet gjatë përdorimit të rrugëve

Mosrespektimi i rregullave dhe detyrimeve gjatë përdorimit të rrugëve shoqërohet me masë administrative, gjobë ose me masa të tjera plotësuese të parashikuara nga Kodi Rrugor si për shembull pezullimi i lejes së drejtimit të automjetit për një periudhë të caktuar.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: