Si duhet të jenë kushtet e vendosura në një kontratë të lidhur me konsumatorin?
Me kontratë do të kuptojmë marrëveshjen e lidhur ndërmjet dy palëve: konsumatorit dhe tregtarit, i cili mund të jetë shitësi, prodhuesi, furnizuesi i mallrave apo i shërbimeve. Disa shembuj të kontratave të tilla janë: kontrata e shitjes me këste, kontrata e shitjes së energjisë elektrike, kontrata për dhënien e një kredie konsumatore, kontrata e shitjes së një pakete turistike, etj.
Një kusht i vendosur në kontratë, i cili është hartuar më parë nga tregtari dhe, si pasojë, konsumatori nuk ka qenë në gjendje të ndikojë në përmbajtjen e kushtit, është i padrejtë në qoftë se shkakton pabarazi të ndjeshme dhe të dallueshme në të drejtat dhe detyrimet e palëve, që rrjedhin nga kontrata, në dëm të konsumatorit. Kur kushti konsiderohet i padrejtë, ai quhet i pavlefshëm nga koha që është lidhur kontrata, por pa ndikuar në vlefshmërinë e kësaj kontrate në tërësi.
Kur në kontratë shkruhen të gjitha ose disa prej kushte që u vendosen konsumatorëve, është e detyrueshme që këto kushte të formulohen në mënyrë të kuptueshme, në gjuhën shqipe dhe të kenë një paraqitje të qartë e të dallueshme. Në rast se ka dyshime rreth kuptimit të kushteve të kontratës, atëherë interpretimi është në favor të konsumatorëve.
Cilat konsiderohen kontrata të lidhura jashtë qendrave të tregtimit dhe çfarë të drejtash ka konsumatori në lidhje me to?
Kontratat, në bazë të të cilave një tregtar furnizon një konsumator me mallra ose shërbime, me një vlerë jo më pak se 10 000 lekë, konsiderohen të lidhura jashtë qendrave të tregtimit, kur ato lidhen:
- gjatë një ekskursioni të organizuar nga tregtari jashtë qendrës së tregtimit; ose
- gjatë një vizite të tregtarit në banesën e konsumatorit ose në vendin e punës të konsumatorit, kur vizita nuk kryhet me kërkesën e shprehur të konsumatorit.
Në rastin e kësaj kontrate, konsumatorit i jepet e drejta të heqë dorë nga kontrata brenda një periudhe prej 14 ditësh kalendarike nga dita pasuese e ditës kur lidhet kontrata.
Çfarë është kontrata në largësi dhe cilat janë të drejtat dhe detyrimet e palëve në lidhje me të?
Kontrata në largësi është çdo kontratë për një mall apo shërbim, e lidhur ndërmjet tregtarit dhe konsumatorit, duke përdorur mjete të komunikimit në distancë si: letërkëmbimi, materialet e shtypura, publiciteti në shtyp me formularë porosish, katalogu, posta elektronike, tregtia elektronike, faksi, telefoni dhe televizori.
Konsumatori ka të drejtë të heqë dorë nga kontrata pa penalizim dhe pa dhënë asnjë arsye, brenda një afati prej 14 ditësh kalendarike, duke filluar nga dita e dorëzimit të mallit ose e lidhjes së kontratës për ofrimin e shërbimit, nëse shërbimi nuk është siguruar brenda këtij afati.
Tregtari duhet të përmbushë porosinë e marrë nga konsumatori brenda një afati maksimal prej 30 ditësh kalendarike, nga dita pasardhëse e ditës kur konsumatori i dërgon porosinë atij.
Nuk do të konsiderohen kontrata në largësi:
• kontratat e lidhura nëpërmjet makinave automatike të shitjes ose në njësi tregtare automatike;
• kontratat e lidhura me operatorë telekomunikimi, nëpërmjet përdorimit të telefonave publikë me pagesë;
• kontratat e lidhura për ndërtimin dhe shitjen e pronës së paluajtshme ose për të drejta të tjera mbi pronën e paluajtshme, duke përjashtuar qiradhënien;
• kontratat e lidhura në një ankand;
• kontratat për furnizimin me mallra ushqimore, pije ose mallra të tjera të paracaktuara për konsum të shpejtë, të furnizuara në banesën e konsumatorit, apo në vendin e tij të punës, nga shërbime të rregullta shpërndarjeje;
• kontratat për kushtet e fjetjes, transportit, furnizimit me ushqim (catering) ose shërbime të kohës së lirë, kur tregtari angazhohet dhe kur kontrata është lidhur, për t’i siguruar këto shërbime në një datë të caktuar ose brenda një periudhe të caktuar
Çfarë përmbajnë kontratat e paketave të udhëtimit?
Këto kontrata i sigurojnë konsumatorit, me një çmim gjithëpërfshirës, një kombinim të parapërgatitur të jo më pak se dy prej këtyre shërbimeve: transportin, strehimin apo shërbime të tjera turistike, dhe mbulojnë një periudhë kohore prej jo më pak se 24 orë ose përfshijnë strehimin, të paktën për një natë. Broshurat në lidhje me paketat e udhëtimit, të vëna në dispozicion nga tregtari, duhet të përmbajnë këto të dhëna:
- çmimin e paketës, shumën ose përqindjen e çmimit, që duhet paguar në formën e paradhënies dhe kalendarin për pagesën e shumës së mbetur;
- destinacionin dhe itinerarin;
- mjetet dhe kategoritë e transportit që do të përdoren;
- tipin e strehimit, vendndodhjen dhe kategorinë;
- planin e vakteve të ngrënies;
- kërkesat për pasaportat dhe vizat.
Çfarë është kredia konsumatore dhe cili është rregullimi i saj?
Me anë të marrëveshjes së kredisë konsumatore, kredidhënësi i jep ose premton t’i japë një konsumatori një kredi, në formën e një pagese të shtyrë, huadhënies ose marrëveshjeve të tjera të ngjashme financiare, me interes, që përfshin një shumë totale prej më shumë se 30 mijë lekë dhe më pak se 10 milionë lekë.
Çdo publicitet, në lidhje me marrëveshjet e kredisë duhet të specifikojë: normën e interesit të huasë, shumën totale të kredisë, kohëzgjatjen, shumën totale të pagesës për konsumatorin dhe shumat e pagesave për këstet.
Konsumatori ka të drejtë të heqë dorë nga marrëveshja e kredisë, pa dhënë asnjë arsye, brenda një afati prej 14 ditësh kalendarike, duke filluar nga data e lidhjes së marrëveshjes së kredisë ose nga data kur konsumatori merr dijeni për kushtet kontraktuale, nëse kjo e fundit është e mëvonshme.
Konsumatori ka të drejtë, në çdo kohë përpara afatit të përcaktuar në marrëveshje, të shlyejë plotësisht ose pjesërisht detyrimet e tij, duke përfituar të drejtën e reduktimit të kostos totale të kredisë, që nënkupton zbritjen nga shuma totale e interesit që do të paguante nëse do t’i shlyente detyrimet në kohën e përcaktuar në marrëveshje.
Marrëveshjet e kredisë konsumatore hartohen me shkrim dhe një kopje e saj u jepet palëve.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.