Konsumatori / Mallrat
Mallrat

Çfarë duhet të kuptojmë me fjalën “mall”? “Mall” është çdo send i luajtshëm ose i paluajtshëm, i ri ose i përdorur apo i riparuar, për përdorim për konsumatorët ose që mund të përdoret prej tyre. Ky përkufizim përfshin edhe mallin që përdoret në kuptim të ofrimit të një shërbimi.

Si duhet të jetë publiciteti i mallrave apo shërbimeve?

Në kuadrë të së drejtës së konsumatorit me “Publicitet” do të kuptojmë çdo formë prezantimi për tregtinë, biznesin, zanatin ose profesionin, për të promovuar furnizimin e mallrave apo shërbimeve, përfshirë edhe të drejtat dhe detyrimet Mesazhet e publicitetit duhet të jenë në gjuhën shqipe, me përjashtim të motove, që mund të jenë edhe në gjuhë tjetër. Publiciteti nuk duhet të jetë i padrejtë, që do të thotë nuk duhet të jetë diskriminues për seksin, racën, fenë, kombësinë, bindjet politike, moshën, veçoritë fizike dhe mendore. Nuk lejohet publiciteti krahasues, i cili, hapur ose në mënyrë të nënkuptuar, identifikon tregtarë, mallra ose shërbime të ofruara prej tyre, duke përfituar në mënyrë të pandershme nga reputacioni i një konkurrenti apo duke diskretituar emrin e krijuar prej tij. Publiciteti nuk duhet të jete çorientues, i cili ndikon ose ka mundësi të ndikojë në interesin ekonomik të çdo konsumatori. Do të mbajnë përgjegjësi të gjitha subjektet që kryejnë publicitet të pandershëm, çorientues ose krahasues.

Çfarë karakteristikash duhet të kenë mallrat që konsumatori merr në dorëzim nga shitësi?

Mallrat (sendet e luajtshme) që konsumatori merr në dorëzim nga shitësi, duhet të jenë në përputhje me përshkrimin e dhënë nga shitësi në kontratë, të realizojnë qëllimin për të cilin konsumatori i ka kërkuar, si dhe të paraqesin cilësitë dhe performancën që janë normale për mallra të të njëjtit tip.

Çfarë konsiderohet si mospërputhje me kontratën dhe cilat janë pasojat që vijnë si rezultat i saj?

Do të vlerësohet si mospërputhje me kontratën dhe mungesa e përputhshmërisë që rezulton nga instalimi jokorrekt i mallrave nga ana e shitësit (për shembull: nga instalimi jokorrekt i një kondicioneri). Nuk kemi të bëjmë me mospërputhje me kontratën kur konsumatori ishte në dijeni për këtë mospërputhje në momentin e lidhjes së kontratës. Shitësi përgjigjet për mospërputhjet që vërehen brenda afatit kohor të dy vjetëve nga çasti i dorëzimit të mallit.

Në rastin e mungesës së përputhjes me kontratën, konsumatori ka të drejtë:

  • të kërkojë riparimin e mallit pa pagesë, apo zëvendësimin, në rast se riparimi nuk është i mundur;
  • të përfitojë një ulje të përpjesshme të çmimit; ose
  • të anulojë kontratën.

Çdo riparim apo zëvendësim kryhet brenda një periudhe të arsyeshme, të rënë dakord ndërmjet palëve, por jo më shumë se 30 ditë kalendarike. Në rast se, edhe pas riparimit, shfaqet sërish e njëjta mospërputhje, konsumatorit i lind e drejta të kërkojë zëvendësimin e mallit në vend të riparimit të përsëritur.

Koha e qëndrimit të mallit gjatë ankesës dhe riparimit i shtohet afatit të garancisë. Asnjë deklaratë garancie, edhe nëse parashikon ndryshe, nuk mund t’i heqë konsumatorit të drejtat e mësipërme.

Cilat janë kushtet që duhet të plotësojë deklarata e garancisë për mallrat?

Deklarata e garancisë i jepet konsumatorit në gjuhën shqipe. Ajo duhet të jetë e shkruar në një gjuhë të qartë e të kuptueshme dhe të përmbajë të dhënat e nevojshme, si emërtimin e mallit ose të shërbimit, emrin dhe adresën e garantuesit, afatin dhe zonën e veprimit të garancisë.

Çfarë rregullash zbatohen në lidhje me shitjen e energjisë, shërbimet e ujit dhe të telekomunikacionit?

Shitja e energjisë dhe furnizimi me ujë llogariten në bazë të konsumit real dhe vlerësohen nëpërmjet aparateve matëse. Vlera e konsumit real paraqitet në një faturë, së bashku me çmimin, në mënyrë të qartë, të lexueshme dhe jo të dyshimtë.

Fatura për shërbimet e telekomunikacionit që i shpërndahet konsumatorit, duhet të përmbajë informacion të plotë për listën e numrave të telefonave të thirrur, kohën dhe zgjatjen e telefonatave të bëra, numrin e impulseve dhe çmimin total për periudhën e caktuar.

Faturat duhet t’ i dorëzohen konsumatorit pa pagesë në vendin e banimit, në mënyrë zyrtare (me postë ose dorazi) dhe jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë kalendarike përpara afatit të pagesës së tyre.

Konsumatorit i lind e drejta për t’u dëmshpërblyer në rastet e ndërprerjeve teknike, kur nuk është lajmëruar më parë dhe kanë penguar konsumatorin të përdorë këto shërbime për një periudhë më të gjatë se 24 orë, si dhe kur shërbimi i ofruar është me të meta dhe i ka sjellë dëme konsumatorit.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: