Mjedisi / Menaxhimi i burimeve ujore
Menaxhimi i burimeve ujore

Çfarë kërkesash duhet të përmbushen për ofrimin e ujit të pijshëm?

Çdokush që ofron ose shet në publik ujë të pijshëm, detyrohet të jetë i pajisur me leje apo autorizimin përkatës, si dhe të përmbushë kërkesat e cilësisë së ujit të pijshëm të përcaktuara nga ligjet në fuqi.

Çdo bashki që ka sistemin e saj të furnizimit me ujë, është e detyruar të marrë masa për një kontroll të rregullt të cilësisë së ujit të furnizuar.

Nëse nuk plotësohen normat e cilësisë së ujit të pijshëm, Ministri i Shëndetësisë urdhëron ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm.

Në cilat raste është e nevojshme që të merret leje për përdorimin e burimeve ujore?

Është e nevojshme që të merret leje nëse uji i burimit do të përdoret për një nga këto veprimtari:

  • Instalime të përhershme për përdorimin e tij publik;
  • Ujitje;
  • Përdorime industriale të ujit sipërfaqësor;
  • Ujë për pishina;
  • Ujë i ambalazhuar;
  • Ujëra kurative, minerale, termominerale dhe gjeotermale;
  • Shfrytëzimi i ujërave nëntokësore për qëllime të ndryshme;
  • Dhënia në përdorim e burimeve ujore për zhvillimin e akuakulturës.

Cilat janë detyrat e përdoruesve të ujit?

Përdoruesit e ujit duhet:

  • të përdorin ujin në mënyrë racionale dhe ekonomike;
  • të respektojnë kushtet dhe detyrimet e vëna mbi të drejtën e përdorimit të ujit;
  • të respektojnë kushtet dhe detyrimet e përcaktuara mbi të drejtën e pronësisë, sipas të cilave të gjitha burimet ujore të Republikës së Shqipërisë janë në pronësi të shtetit dhe në administrim të organeve shtetërore;
  • të sigurojnë mbrojtjen e ujit nga ndotja, të mbajnë nën kontroll cilësinë e ujit dhe të mbrojnë mjedisin nga ndotësit e ndryshëm;
  • të respektojnë të drejtat e përdoruesve të tjerë të ligjshëm të ujërave dhe të palëve të treta.
Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: