Çdo shtetas ka të drejtë të mbrohet dhe të përfitojë mbrojtje nga organet shtetërore nga efektet e dëmshme të zhurmës mjedisore. Mbrojtja zbatohet për zhurmën, ndaj së cilës njerëzit ekspozohen në mjedisin ku ndodhen, në zona të banuara, në mjediset e institucioneve publike, në parqe publike dhe hapësira të tjera, të qeta, çlodhëse, në zona të qeta në natyrë, në institucionet për fëmijë, institucione shëndetësore, arsimore, kulturore, fetare dhe në mjedise të tjera të ngjashme me to.
Cilat janë burimet e zhurmës?
Burim zhurme është çdo makinë, mjet pune, mjet transporti, proces teknologjik, aparaturë, që lëshon zhurmë, dhe veprimtaritë sportive e argëtuese.
Çfarë do të konsiderojmë një zhurmë shqetësuese dhe të dëmshme?
Do të konsiderohen të tilla zhurmat që dëgjohen në zonat ku banojnë njerëzit, në mjediset e institucioneve publike, në parqe publike dhe hapësira të tjera të qeta, në institucionet për fëmijë, institucionet shëndetësore, arsimore, kulturore, fetare dhe në mjedise të tjera të ngjashme me to, të cilat tejkalojnë nivelin e zhurmës që është përcaktuar si i lejueshëm për secilën nga zonat.
Zhurma normale përgjatë natës duhet të jetë 35 decibel (db) maksimumi deri në 40 decibel (db) dhe gjatë ditës ajo duhet të jetë rreth 55 db deri në 65 db. Nëse tejkalohet ky nivel, organet shtetërore janë të detyruara të shqyrtojnë situatën dhe të kërkojnë marrjen e masave për zbutjen e atyre zhurmave. Masat konkrete ndërmerren në bazë të matjes, llogaritjeve dhe monitorimeve të nivelit të zhurmës. Në rast se kundërshtohet zbatimi i këtyre masave, organet shtetërore bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit dhe me policinë e bashkisë.
Cilët janë organet kryesore shtetërore përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit nga zhurmat?
- Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë;
- Këshilli Teknik për Zhurmat, pranë Ministrisë së Mjedisit;
- Sektori i zhurmave në Institutin e Shëndetit Publik;
- Organet e qeverisjes vendore.
Cilat zhurma janë të lejuara megjithëse e tejkalojnë nivelin e lejueshëm?
Janë të lejuara megjithëse e tejkalojnë nivelin e lejueshëm, zhurmat e krijuara:
- nga veprimtaritë ushtarake në hapësira të përcaktuara për këtë qëllim;
- nga veprimtaritë, që ushtrohen për të zhdukur pasojat e një fatkeqësie natyrore, të një emergjence ose të një aksidenti;
- gjatë përballimit të një situate, që vë në rrezik jetën dhe pronën e njerëzve, qeniet e gjalla dhe mjedisin në përgjithësi;
- brenda shtëpisë, brenda mjeteve të transportit dhe brenda vendeve të punës, për aq kohë sa nuk kalojnë atë nivel zhurme që është i palejueshëm dhe për mjedisin e jashtëm.
Cilat janë masat e mbrojtjes nga zhurma?
Me masa të mbrojtjes nga zhurma do të kuptojmë ndërhyrjet dhe veprimet që ndërmerren ndaj burimit të zhurmës, si dhe në vendin ku ai ka ndikim negativ, duke e sjellë atë në një nivel të lejueshëm. Masat kryesore të mbrojtjes nga zhurma janë:
- Përzgjedhja e makinerive apo pajisjeve që nuk bëjnë shumë zhurmë;
- Përzgjedhja e vendit ku do të vendosen dhe do të punojnë pajisjet që lëshojnë zhurmë që të garantojë një nivel të lejueshëm zhurme në mjediset rreth tyre.
Çfarë duhet të mbahet parasysh gjatë projektimit dhe realizimit të ndërtesave?
Çdo ndërtim dhe rikonstruksion ndërtesash, për banim apo për veprimtari të tjera ekonomike e shoqërore, projektohet dhe realizohet në mënyrë që zhurma në brendësi apo në afërsi të saj, të jetë brenda nivelit të lejueshëm.
Ku duhet të kërkohet miratimi për zhvillimin e veprimtarive të ndryshme?
Për zhvillimin e veprimtarive argëtuese, të veprimtarive me grumbullime, manifestime të përkohshme, në mjedise të jashtme apo të brendshme, të cilat mund të bëhen burim shqetësimi për banorët, kërkohet miratimi nga njësia e qeverisjes vendore, në territorin e së cilës do të zhvillohen.
Çfarë do të konsiderojmë veprime të ndaluara për sa i përket zhurmave?
Konsiderohen veprime të ndaluara:
- Ushtrimi pa leje mjedisore i veprimtarive, që kapërcejnë nivelin e lejueshëm të zhurmave, duke prishur qetësinë dhe pushimin e njerëzve në mjedise të jashtme apo të brendshme;
- Prodhimi, tregtimi dhe përdorimi i pajisjeve dhe makinerive pa vënë në dukje nivelin e zhurmës që lëshojnë;
- Rënia e borive dhe krijimi i zhurmave të tjera në mjedise të qeta, të shpallura si të tilla nga organet e qeverisjes qendrore apo vendore;
- Instalimi dhe funksionimi, në katet përdhese të ndërtesave të banimit i:
- veprimtarive të punimit të drurit, të metaleve, riparimit të pajisjeve e makinerive;
- lokaleve të zhurmshme;
- altoparlantëve;
- veprimtarive të tjera, të ngjashme me to, që lëshojnë zhurmë mbi nivelin e lejueshëm për mjediset e banimit.
Cilat janë pasojat e shkeljes së normave që kanë të bëjnë me mostejkalimin e nivelit të lejueshëm të zhurmave?
Shkelja e normave që kanë të bëjnë me mostejkalimin e nivelit të lejueshëm të zhurmave, nëse nuk përbën vepër penale, dënohet me gjobë dhe, sipas rastit, me mbylljen, ndalimin apo ndërprerjen e plotë ose të pjesshme të veprimtarisë. Të ardhurat nga gjobat i kalojnë buxhetit të shtetit ose bashkisë përkatëse.
Nëse nga shkelja e këtyre normave, individit i është shkaktuar një dëm i provueshëm, ai mund të kërkojë në gjykatë shpërblimin e dëmit që i është shkaktuar.
Ku duhet të ankohet individi nëse shqetësohet nga zhurma që tejkalojnë nivelin e lejueshëm?
Nëse shqetësohet nga zhurma që tejkalojnë nivelin e lejueshëm, individi duhet të bëjë ankesë me shkrim e ta dorëzojë pranë Ministrisë së Mjedisit ose ta dërgojë aty me postë. Gjithashtu ankesën mund ta bëjë edhe me anë të postës elektronike apo telefonit.
Ky ankim do të verë në lëvizje strukturat përkatëse (inspektoratin që mbulon fushën e mbrojtjes së mjedisit, inspektoratin që mbulon fushën e shëndetit, inspektoratin që mbulon fushën e punës, strukturën përgjegjëse për kontrollin e mjedisit e bashkisë apo strukturën përgjegjëse për Kontrollin e Automjeteve) për të bërë matjet e nevojshme në mënyrë që të përcaktojnë nëse zhurmat e tejkalojnë nivelin e lejueshëm apo jo. Por për të qenë më efiçent, ankimi mund të bëhet edhe direkt pranë Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave (zyrës rajonale ose zyrës qendrore) si dhe strukturës përgjegjëse për kontrollin e mjedisit në Bashkinë, në territorin e së cilës ndodhet burimi shqetësues i zhurmës.
Ministria e Mjedisit
Adresa: Bulevardi “Zhan D’Ark”, Nr. 23, ish ATSH, Tiranë, Shqipëri.
Tel: +355 4 222 4537
Fax: +355 4 2270627
E-Mail: info@moe.gov.al
Orari : E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30, E Premte 08:00 - 14:00.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.