Ndihma juridike / Çfarë është ndihma juridike
Çfarë është ndihma juridike

Çfarë do të kuptojmë me ndihmë juridike?

Ndihma juridike shtetërore realizohet përmes ofrimit të informacionit dhe asistencës ligjore për personat në pamundësi financiare me qëllim përmbushjen e të drejtat e tyre të njohura me ligj.

Nëpërmjet ndihmës juridike shtetërore, çdo personi i garantohet ushtrimi efektiv i të të drejtës për t’iu drejtuar dhe marrë pjesë në procedurat administrative të organeve të administratës shtetërore, këshillimit dhe përfaqësimit në proceset gjyqësore penale, administrative dhe civile, pavarësisht nga mundësitë e tij financiare.

Kush ka të drejtë të përfitojë ndihmë juridike?

Të drejtën e përfitimit të ndihmës juridike nga shteti, në procesin penal, civil apo administrativ, pavarësisht fazës në të cilën ndodhet procesi, e kanë:

  • Personat që kërkojnë të mbrohen me avokat në procesin penal në të gjitha fazat e tij dhe për shkak të pamundësive financiare, nuk kanë mundur të zgjedhin një avokat ose kanë mbetur pa të;
  • Personat që kanë nevojë për ndihmë juridike në çështjet administrative ose civile, por nuk kanë mjete të mjaftueshme për ta paguar këtë ndihmë juridike ose çështjet janë tepër komplekse nga ana e përmbajtjes dhe e procedurës;
  • Personat që kanë nevojë të mbrojnë të drejtat e tyre, nëpërmjet paraqitjes së kërkesë-padisë, por nuk kanë mjetet e mjaftueshme për të paguar taksën mbi aktet, si dhe shpenzimet e nevojshme për njoftimet ose shërbimet e tjera gjyqësore (këta persona duhet të përfshihen në programet e mbrojtjes sociale ose duhet të plotësojnë kushtet për t’u përfshirë në këto programe, ose duhet të jenë viktima të dhunës në familje, viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, për çështjet gjyqësore që lidhen me to.);
  • I mituri, për të cilin mbrojtja në procedimin penal dhe në gjykim është e detyrueshme me ligj, si dhe të miturit e dëmtuar nga vepra penale.

Subjekti përfitues i ndihmës juridike është jo vetëm shtetasi shqiptar me vendbanim në territorin e Republikës së Shqipërisë, por edhe personat e huaj e personat pa shtetësi, të pajisur me leje qëndrimi. Kjo e drejtë, u njihet dhe u garantohet dhe personave me shtetësi të huaj apo personave pa shtetësi, që kërkojnë të pajisen me leje qëndrimi, aplikojnë për azil, ose janë në proces ankimi të vendimeve gjyqësore për refuzimin e lejes së qëndrimit apo aplikimit për azil.

Cilat janë institucionet përgjegjëse dhe format si jepet ndihma juridike?

Shërbimi i ndihmës juridike shtetërore për personat në pamundësi financiare, është përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë, e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike.

Avokatët e autorizuar përmes procedurave të bashkëpunimit ndërmjet këtyre institucioneve ofrojnë ndihmën juridike në disa forma.

Ndihma juridike parësore jepet nëpërmjet dhënies së informacionit të përgjithshëm për sistemin ligjor në Shqipëri dhe ligjeve në fuqi si dhe dhënia e asistencës në hartimin e dokumenteve juridike apo në forma të tjera.

Ndihma juridike dytësore është dhënia e shërbimeve të këshillimit, përfaqësimit apo mbrojtjes në proceset gjyqësore penale, proceset gjyqësore civile dhe administrative, si dhe të paraqitjes para organeve administrative shtetërore.

Ndihma juridike jepet edhe nëpërmjet edukimit ligjor të publikut, përmes ndihmës që i ofrohet komunitetit me klinika lëvizëse, publikime, fushata televizive dhe në median e shkruar, si dhe masa të tjera të ngjashme, duke u kushtuar vëmendje të veçantë problemeve të grupeve më në nevojë.

Konkretisht, ndihma juridike jepet nëpërmjet:

  • sigurimit të informacionit, dhënies së këshillimeve dhe shpjegimeve të çështjeve juridike, intervistave të drejtpërdrejta apo komunikimit në distancë;
  • plotësimit të akteve juridike;
  • këshillimit në vazhdimësi të personave që paraqiten vetë në gjykatë;
  • përfaqësimit para organeve administrative;
  • mbrojtjes dhe përfaqësimit te interesave të të dyshuarit, të të akuzuarit dhe të të dëmtuarit në procesin penal;
  • mbrojtjes dhe përfaqësimit të interesave të personave në çështjet civile ose administrative.
  • përjashtimin, në proceset gjyqësore civile dhe administrative, nga pagimi i taksës mbi aktet, si dhe i shpenzimeve të nevojshme për njoftimet ose shërbimet e tjera gjyqësore.
Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: