Çfarë është Ndihma Juridike?
“Ndihma juridike” është shërbimi juridik falas, i garantuar dhe financuar nga shteti për të gjithë personat që janë subjekte përfitues, sepse bëjnë pjesë në një nga kategoritë e veçanta, apo për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme, sipas kritereve dhe parashikimeve të ligjit nr. 111/2017, për “Ndihmën Juridike të Garantuar nga Shteti”.
Në cilat forma jepet Ndihma Juridike?
Ndihma juridike jepet në format e mëposhtme:
a) ndihmë juridike parësore;
b) ndihmë juridike dytësore;
c) përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore dhe përjashtim nga detyrimi për të parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit.
Mbi cilat parime jepet Ndihma Juridike Falas?
Dhënia e ndihmës juridike bazohet në parimet e mëposhtme:
a) aksesit të barabartë të individëve në ndihmën juridike;
b) barazisë dhe mosdiskriminimit të individëve që gëzojnë të drejtën për ndihmë juridike;
c) profesionalizmit në dhënien e shërbimit të ndihmës juridike;
ç) cilësisë, efiçencës dhe efikasitetit në kosto për shërbimet e ofruara të ndihmës juridike;
d) ruajtjes së konfidencialitetit;
dh) shmangies dhe parandalimit të konfliktit të interesit;
e) mbrojtjes së të drejtave të personave vulnerabël.
Kush janë subjektet përfitues të ndihmës juridike falas?
Subjektet që përfitojnë ndihmë juridike falas janë:
- individët që kanë të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme, dhe
- kategoritë e veçanta përfituese, pavarësisht të ardhurave ekonomike.
Kategoritë e veçanta, pavarësisht të ardhurave dhe pasurisë së tyre, janë:
a) viktimat e dhunës në familje;
b) viktimattë e abuzuar seksualisht dhe viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, në çdo fazë të procedimit penal;
c) viktimat e mitur dhe të miturit në konflikt me ligjin, në çdo fazë të procedimit penal;
ç) fëmijët, të cilët jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore;
d) fëmijët nën kujdestari, të cilët kërkojnë të nisin një proces pa miratimin e kujdestarit të tyre ligjor ose kundër kujdestarit të tyre ligjor;
dh) personat që përfitojnë nga pagesa për aftësinë e kufizuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndihmën dhe shërbimet shoqërore, duke përfshirë edhe personat që përfitojnë nga statusi i të verbrit;
e) personat, të cilët i nënshtrohen trajtimit të pavullnetshëm në institucionet e shërbimit të shëndetit mendor, sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi për shëndetin mendor;
ë) personat, të cilët i nënshtrohen trajtimit vullnetar në institucionet e shërbimit të shëndetit mendor për sëmundjet e rënda mendore;
f) personat, ndaj të cilëve kërkohet heqja ose kufizimi i zotësisë për të vepruar, në çdo fazë të këtij procesi;
g) personat, të cilëve u është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, që kërkojnë të nisin një proces kundër kujdestarit të tyre ligjor, për rifitimin e zotësisë për të vepruar, pa miratimin e kujdestarit ligjor;
gj) personat, të cilët janë përfitues të skemave të mbrojtjes sociale;
h) personat, të cilëve u është cënuar e drejta nëpërmjet një veprimi ose mosveprimi që përbën diskriminim, bazuar në vendimin e organit kompetent, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi.
Ndërsa do të konsiderohen persona me të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme nëse:
-
Të ardhurat e një personi, i cili jeton në një familje, konsiderohen të pamjaftueshme, nëse të ardhurat në total të të gjithë pjesëtarëve të familjes, të pjesëtuara për numrin e anëtarëve të familjes, janë më të ulëta se 50 për qind e pagës minimale mujore të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.
-
Të ardhurat e një personi, i cili nuk jeton në një familje, konsiderohen të pamjaftueshme, nëse janë më të ulëta se niveli i pagës minimale mujore të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.
-
Nëse një person, i cili jeton në një familje, kërkon ndihmë juridike dytësore për një çështje kundër një anëtari tjetër të së njëjtës familje, të ardhurat e këtij personi konsiderohen të pamjaftueshme, nëse janë më të ulëta se niveli i pagës minimale të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.
-
Pasuria e një personi konsiderohet e pamjaftueshme, nëse vlera e saj në total nuk tejkalon vlerën e 36 pagave minimale mujore sipas legjislacionit në fuqi. Nuk do të llogaritet banesa ku personi jeton, si pjesë e pasurisë për efekt të përfitimit ose jo të ndihmës juridike.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.