Ndihma juridike / Ndihma Juridike Dytësore
Ndihma Juridike Dytësore

Çfarë është Ndihma Juridike Dytësore?

“Ndihmë juridike dytësore” është shërbimi juridik që ofrohet për përpilimin e akteve të nevojshme për të vënë në lëvizje gjykatën; ofrimi i këshillimit, përfaqësimit dhe mbrojtjes para gjykatës në çështjet administrative, civile dhe në çështjet penale, për të cilat nuk zbatohet mbrojtja e detyrueshme, sipas përcaktimeve të legjislacionit procedural penal.

Kush mundet të ofrojë Ndihmën Juridike Dytësore?

Ndihma juridike dytësore jepet nga avokatët që përfshihen në listën e miratuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, në bazë të kërkesës së personit që gëzon të drejtën për përfitimin e ndihmës juridike dytësore.

Si mund të përfitohet Ndihma Juridike Dytësore?

Kërkesa për dhënien e ndihmës juridike dytësore paraqitet nga personi i interesuar personalisht ose me anë të shërbimit postar pranë gjykatës ose organit procedues që fillon hetimet. Kërkesa paraqitet përpara fillimit të një procesi gjyqësor, në fillim të një procesi gjyqësor dhe/ose në çdo fazë të procesit gjyqësor, derisa nuk është deklaruar i mbyllur hetimi gjyqësor. Kërkesa mund të paraqitet dhe nga një përfaqësues ligjor apo të pajisur me prokurë, ose nëpërmjet bashkëshortit/es, bashkëjetuesit/es ose një të afërmi të shkallës së parë.

Personi duhet të plotësojë Formularin e Kërkesës dhe Vetëdeklarimit për Ndihmë Juridike Dytësore. Kërkesa për ndihmë juridike dytësore përjashtohet nga tarifat dhe shpenzimet gjyqësore.

Kërkesa për ndihmë juridike dytësore paraqitet në gjykatën kompetente për shqyrtimin e çështjes në themel. Vendimi në lidhje me kërkesën për ndihmë juridike dytësore merret nga gjykata kompetente: a) brenda 5 ditëve nga data e regjistrimit të kërkesës, kur kërkesa paraqitet përpara fillimit të procesit gjyqësor; b) gjatë veprimeve paraprake ose në seancën përgatitore përpara se të caktohet seanca gjyqësore, kur kërkesa për ndihmë juridike është paraqitur bashkë me kërkesë-padinë; c) sipas parashikimeve të legjislacionit procedural kur kërkesa paraqitet gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Kundër vendimit të gjykatës për rrëzimin e kërkesës për ndihmën juridike dytësore mund të bëhet ankim i veçantë. Ankimi i vendimit nuk pengon vazhdimin e shqyrtimit të çështjes. Gjykata e apelit shqyrton çështjen në dhomë këshillimi dhe merr vendim brenda 15 ditëve nga regjistrimi i çështjes. Kundër këtij vendimi nuk lejohet rekurs në Gjykatë të Lartë.

Cila është procedura e dhënies së ndihmës juridike dytësore të pandehurit pa mjete të mjaftueshme financiare?

Kërkesa për ndihmë juridike dytësore e të pandehurit pa mjete të mjaftueshme financiare paraqitet pranë organit procedues që fillon hetimet.

Organi procedues që fillon hetimet shqyrton menjëherë kërkesën për përfitimin e Ndihmës Juridike Dytësore. Nëse organi procedues që fillon hetimet vlerëson se kriteret janë përmbushur, cakton menjëherë një avokat mbrojtës nga lista e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore dhe njofton menjëherë personin, të cilit i ofrohet ndihmë juridike dytësore, si dhe avokatin e caktuar mbrojtës.

Kërkuesi mund ta kundërshtojë vendimin e organit procedues për rrëzimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore, me padi në gjykatën penale të shkallës së parë, kompetente për shqyrtimin e çështjes në themel, brenda 5 ditëve nga marrja dijeni për këtë vendim.

Gjykata shqyrton çështjen me një gjyqtar, sipas rregullave të parashikuara në legjislacionin procedural, brenda 15 ditëve nga regjistrimi i çështjes. Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë në gjykatën e apelit brenda 5 ditëve nga marrja dijeni. Gjykata e apelit e shqyrton ankimin në dhomë këshillimi brenda 10 ditëve nga data e marrjes së akteve.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: