Ndihma juridike / Ndihma Juridike Parësore
Ndihma Juridike Parësore

Çfarë përfshin Ndihma Juridike Parësore?

“Ndihmë juridike parësore” është:

a) dhënia e informacioneve në lidhje me sistemin ligjor të Republikës së Shqipërisë, aktet normative në fuqi, të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ligjit dhe metodat për ushtrimin e këtyre të drejtave në procesin gjyqësor dhe në atë jashtëgjyqësor;

b) dhënia e këshillimit;

c) dhënia e këshillimit mbi procedurat e ndërmjetësimit dhe zgjidhjeve alternative të mosmarrëveshjeve;

ç) dhënia e ndihmës në hartimin dhe përpilimin e dokumenteve të nevojshme për të vënë në lëvizje administratën shtetërore ose për të kërkuar ndihmë juridike dytësore;

d) përfaqësimi përpara organeve administrative; dhe

dh) dhënia e të gjitha formave të tjera të mbështetjes së nevojshme juridike që nuk përbëjnë ndihmë juridike dytësore.

Si mund të përfitohet Ndihma Juridike Parësore?

Kërkesa për dhënien e ndihmës juridike parësorë bëhet me gojë ose me shkrim nga personi i interesuar pranë një qendre shërbimi për ndihmë juridike parësore ose një organizate jofitimprurëse të autorizuar.

Pranë subjekteve ofruese personi i interesuar duhet të plotësojë Formularin e Kërkesës dhe Vetëdeklarimit për Ndihmë Juridike Parësore, sipas rastit duhet të plotësojë Formularin e Vetëdeklarimit për Kategoritë e Veçanta, ose Formularin e Vetëdeklarimit për të Ardhurat dhe Pasurinë. Në çdo moment ofruesi i Ndihmës Juridike Parësore orienton të interesuarin.

Ndihma juridike parësore ofrohet menjëherë me marrjen e kërkesës. Në rast se dhënia e menjëhershme e ndihmës juridike parësore është e pamundur, personi informohet menjëherë për datën dhe kohën e dhënies së shërbimit të kërkuar. Për të njëjtën çështje, problematikë, Ndihma Juridike Parësore, jepet vetëm një herë.

Gjatë ofrimit të shërbimeve të ndihmës juridike parësore mbahet një procesverbal, i cili përmban: të dhënat identifikuese të personit të interesuar, përshkrimin e shkurtër të problematikës, të dhëna rreth takimit dhe deklaratën e personit nëse ka përfituar, ose jo Ndihmë Juridike më parë.

Kush mundet të ofrojë Ndihmën Juridike Parësore?

Ndihma juridike parësore jepet nga:

  • punonjësit me trajnim të posaçëm;
  • nga organizatat jofitimprurëse të autorizuara;
  • nga klinikat ligjore pranë institucioneve të arsimit të lartë (si p.sh. universitetet).

Ndihma juridike parësore jepet pranë qendrave të shërbimit të ndihmës juridike parësore ose në ambiente të tjera të përshtatshme, nga punonjësit me trajnim të posaçëm të punësuar pranë këtyre qendrave.

Në të gjithë Shqipërinë ka 10 Qendra të Ofrimit të Shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore, në Tiranë, Durrës, Lushnje, Pogradec, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Lezhë dhe Dibër.

Organizatat jofitimprurëse japin shërbime të ndihmës juridike parësore në përputhje me autorizimin e miratuar nga Ministri i Drejtësisë. Procedurat dhe dokumentacioni për autorizimin e tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Gjithsej janë 12 organizata të autorizuara për ofrimin e shërbimit të Ndihmës Juridike Parësore.

a) Shoqata Mbrojtja e Të Drejtave të Gruas Qytetare dhe Fshatare, Berat b) Albanian Legal And Territorial Research Institute, Tiranë c) Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve Në Shqipëri (CRCA), Tiranë ç) Forumi i Gruas Elbasan d) Qendra Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza, Tiranë dh) Intelektualët e Rinj Shpresë, Shkodër e) Qendra Konsumatori Shqipëtar, Durrës f) Qendra për Nisma Ligjore Qytetare, Tiranë g) Qendra e Shërbimeve dhe Praktika Ligjore të Integruara, Tiranë h) Qendra të Ndryshëm dhe të Barabartë, Tiranë i) Qendra Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS), Tiranë. j) Shoqata Shërbimet Shqiptare për Refugjatët dhe Migrantët, Tiranë

Ndihma juridike parësore jepet nga klinikat ligjore të ngritura pranë institucioneve të arsimit të lartë. Të gjithë të interesuarit mund të drejtohen në Klinikat e Ligjit pranë, institucioneve të mëposhtme të arsimit Universitar për përfitimin e Ndihmës Juridike Parësore.

  • Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë
  • Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër
  • Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë
  • Kolegji Univesitar “Wisdom”, Tiranë
  • Universiteti “Aleksandë Moisiu”, Durrës
  • Universiteti Mesdhetar i Tiranës
  • Universiteti Europian i Tiranës
  • Universiteti “Luarasi”, Tiranë
  • Universiteti “Qiriazi”, Tiranë
  • Universiteti “Marin Barleti”, Tiranë
  • Kolegji Universitar Bedër, Tiranë
Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: