Ndihma juridike / Ofrimi i ndihmës juridike
Ofrimi i ndihmës juridike

Cilat janë rregullat për ofrimin e ndihmës juridike nëpërmjet avokatit?

Vetëm personat që ushtrojnë profesionin e avokatit mund të japin ndihmën juridike parësore dhe dytësore. Avokati zgjidhet nga lista publike e avokatëve të autorizuar që përcaktohen nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike.

Avokati i caktuar për dhënien e ndihmës juridike ka detyrimin të pranojë detyrën dhe të mos heqë dorë prej saj, duke mos cenuar në asnjë rast të drejtën e të përfaqësuarit për tu mbrojtur. Përjashtim, përbën rasti kur avokati për shkaqe ligjore paraqet kërkesë për dorëheqje. Në këtë rast, dorëheqja e avokatit nuk ka efekt derisa pala të ndihmohet me një avokat të ri dhe ky i fundit të jetë njohur me aktet dhe provat.

Çfarë ndihme juridike ofrohet nëpërmjet klinikave ligjore?

Klinikat Ligjore Vendore funksionojnë në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Korçë dhe Shkodër. Në këto klinika, avokatët e autorizuar ofrojnë ndihmë juridike nëpërmjet dhënies së informacionit të përgjithshëm për sistemin ligjor në Shqipëri dhe ligjeve në fuqi si dhe dhënies së asistencës në hartimin e dokumenteve juridike apo në forma të tjera.

Klinikat Ligjore Vendore japin asistencë për plotësimin e formularit për përfitimin e ndihmës juridike si dhe dokumenteve që duhet t’i bashkëlidhen këtij formulari.

Shembull: Klinika e Ligjit e Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, ofron ndihmë juridike falas për personat në pamundësi ekonomike për të përballuar ndihmë nga avokati. Kjo klinikë, e mbështet veprimtarinë e saj, në punën vullnetare të studentëve të Fakultetit të Drejtësisë. Ndihma juridike ofrohet nga studentët e Klinikës, nën kujdesin e Pedagogut përgjegjës të lëndës “Klinika e Ligjit”, në fushën e të drejtës publike (administrative), civile dhe penale.

Në çfarë mënyre jepet ndihma juridike nga organizatat jo fitimprurëse?

Organizatat jo fitimprurëse, të specializuara në dhënien e ndihmës juridike, japin ndihmë juridike përmes avokatëve të tyre. Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike lidh kontrata bashkëpunimi me këto organizata, me qëllim ofrimin e ndihmës juridike sipas kritereve ligjore.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: