Ndihma juridike / Përfitimi i ndihmës juridike
Përfitimi i ndihmës juridike

Cila është procedura që duhet të ndiqet për të përfituar ndihmën juridike?

Personat që duan të përfitojnë ndihmë juridike, duhet të paraqesin një formular personalisht apo nga përfaqësuesi me prokurë, pranë Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike. Formularit për dhënien e ndihmës juridike i duhet bashkëngjitur edhe dokumentacioni përkatës. Kërkesa për dhënien e ndihmës juridike mund të paraqitet edhe gojarisht te personi i autorizuar për dhënien e ndihmës juridike apo për caktimin e ofruesit të kësaj ndihme.

Aplikimi për përfitimin e ndihmës juridike shqyrtohet nga Kryetari i Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike, brenda 15 ditëve nga dita e paraqitjes së formularit. Brenda këtij afati kryetari vendos pranimin ose refuzimin e aplikimit.

Ndaj vendimit të refuzimit të dhënies së ndihmës juridike, mund të bëhet ankim në Komisionin Shtetëror për Ndihmën Juridike brenda 10 ditëve nga data e njoftimit të tij. Komisioni e shqyrton ankimin brenda 30 ditëve nga dita e paraqitjes së ankimit. Pasi është marrë një përgjigje lidhur me refuzimin e dhënies së ndihmës juridike nga ana e Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike, personi i interesuar, ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës që ka në kompetencë zgjidhjen e mosmarrëveshjes administrative.

Ndihma juridike mund të jepet edhe thjesht si përjashtim nga pagimi i taksës mbi aktet, si dhe shpenzimeve të nevojshme për njoftimet ose shërbimet e tjera gjyqësore. Kërkesa për dhënien e ndihmës juridike në këtë formë, duhet të paraqitet personalisht nga kërkuesi apo përfaqësuesi i tij, me prokurë, pranë Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike. Aplikimi për përjashtimin nga pagimi i taksës mbi aktet, si dhe i shpenzimeve të nevojshme për njoftimet ose shërbimet e tjera gjyqësore, shqyrtohet nga Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike brenda 10 ditëve nga marrja në dorëzim e tij.

Nëse Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike nuk shprehet brenda 10 ditëve nga paraqitja e aplikimit, ose vendos refuzimin e aplikimit për përjashtimin nga pagimi i taksës mbi aktet, si dhe shpenzimeve të nevojshme për njoftimet ose shërbimet e tjera gjyqësore, gjykata, nëse vlerëson se përmbushen kushtet për të përfituar ndihmën juridike, gjatë veprimeve përgatitore, vendos përjashtimin e paditësit nga pagimi i taksës mbi aktet.

Nëse Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike konstaton se gjendja ekonomike e personit është e tillë që nuk bën të mundur pagimin e taksës mbi aktet, edhe nëse personi nuk i plotëson kushtet për të përfituar ndihmën juridike, komisioni mund të vendosë që taksa mbi aktet të paguhet sipas rregullave të parashikuara me vendim të komisionit, në një kohë të mëvonshme ose me këste.

Në rastet kur ofrimi i ndihmës juridike paraqet urgjencë, vërtetimi i plotësimit të kritereve mund të bëhet në një moment të mëvonshëm dhe ndihma juridike jepet menjëherë.

Çfarë ndodh nëse informacioni i dhënë në formularin për marrjen e ndihmës juridike është i pavërtetë?

Në rast se konstatohet dhënia e informacionit të pavërtetë në formularin për dhënien e ndihmës juridike ose pavërtetësi në informacionin e dhënë në dokumentet që i bashkëngjiten këtij formulari, ky fakt përbën shkak për ndërprerjen e menjëhershme të ndihmës juridike si dhe mund të shkaktojë përgjegjësi penale për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, në bazë të dispozitave të Kodit Penal.

Në cilat raste personi është i detyruar të kthejë shpenzimet për ndihmën juridike të dhënë?

Në rast se përfituesi i ndihmës juridike, në përfundim të procesit gjyqësor, përfiton rimbursimin e shpenzimeve gjyqësore të parapaguara, ai detyrohet t’i kthejë Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike shpenzimet e kryera nga ky i fundit, për ofrimin e ndihmës juridike në çështjen përkatëse.

Personi që ka përfituar ndihmë juridike, duke paraqitur të dhëna të rreme ose të pavërteta, përfshirë edhe të dhënat për gjendjen e tij financiare, është i detyruar të kthejë të gjitha shpenzimet e kryera për ofrimin e kësaj ndihme.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: