Çfarë përfshihet brenda paketës së formës së tretë të Ndihmës Juridike?
Personat, të cilët kanë të drejtën për të marrë ndihmë juridike dytësore, gëzojnë të drejtën për përjashtim nga:
a) pagimi i tarifave të përgjithshme dhe të veçanta, sipas përcaktimeve të ligjit për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë; b) pagimi i shpenzimeve gjyqësore (shpenzimet për dëshmitarët, ekspertët, përkthyesit dhe për këqyrjen e sendeve ose këqyrjen në vend), sipas përcaktimeve të legjislacionit procedural; c) detyrimi për të parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit pranë shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror.
Cilët janë elementët e kësaj forme të Ndihmës Juridike?
“Përjashtim nga tarifat dhe shpenzimet gjyqësore” është një formë e ndihmës juridike falas për përjashtimin nga pagesa e tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, me vendim të gjykatës kompetente, nëse plotësohen kriteret e vendosura nga ligj për “Ndihmën Juridike të Garantuar nga Shteti”.
• “Tarifa gjyqësore” përfshin: tarifa gjyqësore të përgjithshme, për paraqitjen e çështjeve në gjykatë; tarifa gjyqësore të veçanta, për kryerjen e veprimeve procedurale në gjykatë dhe shërbimet e administratës gjyqësore; dhe tarifa gjyqësore shtesë, në funksion të administrimit korrekt të procesit gjyqësor (Ligj Nr. 98/2017 Për Tarifat Gjyqësore në Republikën e Shqipërisë).
• “Shpenzimet gjyqësore” përbëhen nga tarifat dhe nga shpenzimet e tjera të nevojshme të gjykimit në kuadër të procesit gjyqësor. (Kodi i Procedurës Civile, i ndryshuar më 2021).
• “Tarifa për vënien në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit” është tarifa që i parapaguhet shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror, për vënien në ekzekutim të një titulli ekzekutiv, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.
Si përfitohet shërbimi i përjashtimit nga pagimi i tarifave dhe shpenzimeve gjyqësore?
Kërkesa për përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore mund të paraqitet: • së bashku me kërkesën për ndihmë juridike dytësore; • bashkëlidhur kërkesëpadisë, në përputhje me parashikimet e legjislacionit procedural; • në çdo fazë të procesit, derisa nuk është deklaruar i mbyllur hetimi gjyqësor.
Kjo kërkesë mund të paraqitet nga personi, i cili gëzon të drejtën për përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, nga një përfaqësues ligjor apo i pajisur me prokurë, nga bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja ose i afërm i shkallës së parë.
Kërkesa për përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore paraqitet në gjykatën kompetente për shqyrtimin e çështjes në themel.
Vendimi gjyqësor për përjashtimin nga pagimi i tarifave dhe shpenzimeve gjyqësore përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet në përputhje me parashikimet e legjislacionit procedural.
Pagesa e shpenzimeve gjyqësore, për të cilat është vendosur përjashtimi, përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Drejtësisë dhe paguhet nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas.
Personat, të cilët kanë përfituar ndihmë juridike dytësore, sipas parashikimeve të ligji, gëzojnë të drejtën për të mos parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit pranë shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror.
Çfarë ndodh nëse gjyqi fitohet nga pala përfituese e Ndihmës Juridike falas?
Kur pala që është përjashtuar nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, sipas parashikimeve të ligjit, fiton me vendim gjyqësor të formës së prerë çështjen, për të cilën është dhënë ndihma juridike dytësore dhe/ose përjashtimi nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore, pala tjetër që humb gjyqin, së cilës i ngarkohen pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, sipas vendimit gjyqësor, detyrohet të kalojë këtë shumë menjëherë për llogari të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas.
Në cilat raste subjekti përfitues i Ndihmës Juridike detyrohet të kthejë shpenzimet e kryera?
Në rast se një person, të cilit i është pranuar kërkesa për ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtimin nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore, i kanë ndryshuar rrethanat në një mënyrë të tillë që nuk plotëson kriteret ligjore për të qenë subjekt përfitues i ndihmës juridike dytësore, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas i njofton përfituesit të ndihmës juridike detyrimin për kthimin vullnetar të shpenzimeve të kryera, shumën konkrete dhe afatin për përmbushjen e këtij detyrimi.
Në rast të mosekzekutimit vullnetar të detyrimit për kthimin e shpenzimeve brenda afatit të caktuar, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas paraqet kërkesëpadi në gjykatë.
Kërkuesi që ka përfituar ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtim nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore, duke paraqitur të dhëna të pavërteta ose të pasakta, është i detyruar të rimbursojë shpenzimet për avokatin që ka dhënë shërbimet e ndihmës juridike dytësore dhe/ose shpenzimet gjyqësore. Pavarësisht nga rimbursimi i këtyre shpenzimeve, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas bën kallëzim penal, kur konstaton se ka elemente të veprës penale.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.