Pasuria e paluajtshme / Certifikata e pronësisë dhe certifikatat e përdorimit të pronësisë
Certifikata e pronësisë dhe certifikatat e përdorimit të pronësisë

Cila është procedura që ndiqet nga momenti i regjistrimit të pasurisë së paluajtshme deri në momentin e lëshimit të certifikatës së pronësisë?

Cila është procedura që ndiqet nga momenti i regjistrimit të pasurisë së paluajtshme deri në momentin e lëshimit të certifikatës së pronësisë? Informacioni për regjistrimin e kryer pranë Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, afishohet për 45 ditë në një vend të përshtatshëm për konsultim publik, brenda zonës kadastrale ku ndodhen këto pasuri. Ky afishim shoqërohet edhe me kryerjen e një njoftimi publik, me të cilin lajmërohen të gjithë individët që mund të kenë ndonjë pretendim për pasuritë e paluajtshme të regjistruara. Të gjitha gabimet e konstatuara apo pretendimet e paraqitura gjatë kohës së afishimit i bëhen të ditura regjistruesit. Asnjë pretendim i paraqitur pas kësaj periudhe 45-ditore të afishimit nuk pranohet për shqyrtim nga regjistruesi. Pas periudhës së afishimit publik, të gjitha pasuritë e paluajtshme, për të cilat nuk ka asnjë pretendim të pazgjidhur, regjistrohen siç janë në kartelat dhe hartat kadastrale të përkohshme dhe që nga ky çast lëshohen certifikatat e pronësisë, si dhe certifikata të tjera që mund të kërkohen për përmbajtjen e kartelave dhe të hartave kadastrale. Drejtoria vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës mund të bëjë vetëm korrigjim të gabimeve që janë bërë ne procesin e regjistrimit, por jo të trajtojë ankesa për shtesa të tjera.

Si zgjidhen mosmarrëveshjet për një pasuri të paluajtshme dhe si pasqyrohen ato në kartelën e saj?

Në rast se palët nuk bien dakord që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet me mirëkuptim, ato do të zgjidhen nga organet gjyqësore. Ekzistenca e mosmarrëveshjeve pasqyrohet në kartelën e pasurisë së paluajtshme. Nëse palët në konflikt arrijnë të zgjidhin mosmarrëveshjen, pas paraqitjes së aktit noterial që provon marrëveshjen mes tyre, bëhen korrigjimet në hartën kadastrale dhe në kartela.

Kur lëshohet një certifikatë pronësie?

Drejtoria vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në përfundim të regjistrimit fillestar ose pas regjistrimit të çdo kalimi pronësie nga një pronar te një tjetër, lëshon certifikatën e pronësisë. Leshimi i certifikatës së pronësisë bëhet nëpermjet një kërkese në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në vendin ku ndodhet pasuria. Në certifikatë pasqyrohen të gjitha informacionet që ndodhen në kartelën e kësaj pasurie dhe që kanë efekt mbi të. Për çdo pasuri të paluajtshme lëshohet vetëm një certifikatë, e cila i dorëzohet pronarit të pasurisë. Certifikata e pronësisë është dokumenti unik i papërsëritshëm që provon titullin e pronësisë, statusin ligjor dhe kufijtë e pronës. Certifikata e pronësisë ose e bashkëpronësisë lëshohet gjithmonë mbi bazën e një dokumenti ligjor original nga i cili provohet ekzistenca e këtyre të drejtave. Një certifikatë e lëshuar në kundershtim me këtë parashikim ligjor do të konsiderohet absolutisht e pavlefshme. Në rast se kjo certifikatë humb ose dëmtohet, personi mund të kërkojë lëshimin e një certifikate të re. Ne keto raste pronari i pasurisë duhet të paraqesë një kërkesë ku të tregojë faktin e humbjes së certifikatës origjinale ose të tregojë certifikatën e dëmtuar. Drejtoria vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës publikon një njoftim për certifikatën e humbur apo të dëmtuar për 15 ditë, ku ky njoftim duhet bërë në një vend publik. Pas kalimit të afatit 15 ditor mund të lëshohet certifikata e re.

Si regjistrohen bashkimet apo ndarjet e pasurive të paluajtshme?

Nëse pasuritë e paluajtshme në kufij të ngjitur me njëra-tjetrën janë pronë e të njëjtit pronar, si dhe i nënshtrohen në çdo rast të drejtave dhe detyrimeve të njëjta, me kërkesë të pronarit, regjistrohet bashkimi i tyre. Njëkohësisht mbyllen edhe kartelat e këtyre pasurive të paluajtshme, hapet një kartelë apo disa kartela të reja për pasurinë apo pasuritë e paluajtshme që dalin nga bashkime të tilla, si dhe përditësohet harta kadastrale.

Me kërkesën me shkrim të pronarit të vetëm apo të të gjithë bashkëpronarëve, për ndarjen e një pasurie të paluajtshme në dy a më shumë pjesë, bëhet i mundur regjistrimi i ndarjes, duke u mbyllur kartela për pasurinë e paluajtshme që ndahet dhe duke u hapur kartela të reja. Po ashtu, përditësohen hartat kadastrale për pasuritë e paluajtshme të reja, që dalin nga ndarja dhe në kartelat e reja regjistrohet i gjithë informacioni që kishte kartela e mbyllur. Në rastet kur një pronar vendos të ndajë në pjesë pasurinë e paluajtshme të tij, duhet të dorëzojë një plan rilevimi të nënndarjeve të propozuara, të përgatitura prej një topografi të licencuar.

Në të gjitha rastet si më sipër, pronarët duhet të dorëzojnë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme certifikatën origjinale të pasurisë që do të bashkohet ose do të ndahet dhe më tej pajisen me certifikata të reja pronësie për pasuritë e krijuara.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: