Pasuria e paluajtshme / E drejta për informim
E drejta për informim

Çfarë informacioni mund të garantojë ZRPP në lidhje me pasurinë e paluajtshme pas regjistrimit fillestar?

Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme garantojnë informacion (përveç kur pasuria e paluajtshme është në proces shpronësimi) lidhur me:

  • të drejtën e pronësisë dhe të drejtat reale të regjistruara;
  • pasurinë e identifikuar si objekt i këtyre të drejtave;
  • mbajtësit e këtyre të drejtave.

Çfarë informacioni ka të drejtë të marrë pronari apo personi që ka një interes legjitim pranë ZVRPP?

Pronari ose personi që provon se ka interes legjitim, ka të drejtë të marrë të dhëna dhe kopje të dokumenteve, që janë në:

  • regjistrat e pasurive të paluajtshme;
  • kartela;
  • harta kadastrale;
  • dokumentet e depozituara së bashku me kërkesën për regjistrim; dhe
  • dokumentet që mbahen e administrohen nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

Si është procedura e trajtimit të kërkesës për kryerjen e një shërbimi pranë ZVRPP?

Personi, që paraqet kërkesë për kryerjen e një shërbimi nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pajiset me një numër identifikimi të kërkesës dhe kodin e sigurisë, me anë të të cilave mund të verifikojë gjendjen e trajtimit të kërkesës së tij. Çdo kërkesë e paraqitur për kryerjen e një shërbimi nga Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme trajtohet brenda 15 ditëve. Ky është afati maksimal gjatë të cilit duhet të trajtohet kërkesa nga punonjësit e Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Gjithsesi Kryeregjistruesi, në varësi të rrethanave konkrete, mund të vendosë që një kërkesë të trajtohet më shpejt se 15 ditë.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: