Në cilat raste është i detyrueshëm regjistrimi dhe cilat janë pasojat e mos regjistrimit brenda afatit?
Çdo akt që sjell ndryshime dhe/ose përfitim të të drejtave të pronësisë, duhet të regjistrohet. Po ashtu, çdo person, pronar apo titullar i një të drejte reale, duhet të paraqesë një kërkesë për regjistrimin e aktit ku përcaktohen këto të drejta, brenda 30 ditëve nga koha e realizimit të tij. Nëse kërkesa për regjistrim paraqitet më vonë se 30 ditë nga data e aktit, përveç tarifës së regjistrimit, për çdo ditë vonesë që ka kaluar nga kjo datë paguhet kamatëvonesë, e barabartë me 10% të tarifës së regjistrimit, por jo më shumë se 300.000 lekë.
Çfarë mund të regjistrohet në Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP)?
Ne regjistrat kadastrale pranë zyrave të agjencisë shtetërore të kadastrës mund të regjistrohen: a) Pasuritë e paluajtshme, e drejta e pronësisë për të cilat ka kaluar me anë të ligjit, me vendim të gjykatës apo me anë të një akti administrativ; b) Pasuritë e paluajtshme në bashkëpronësi; kërkesa për regjistrimin e të cilave duhet të bëhet nga:
- njëri ose disa prej bashkëpronarëve;
- çdo person, në favor të të cilit është dhënë një vendim gjykate për shitjen e një pjese të pandashme të pasurisë së paluajtshme, vetëm në rast se ky vendim ka përcaktuar qartë pozicionin e pjesës së tij.
c) Kontrata e dhurimit, e cila mund të regjistrohet vetëm kur jane plotësuar kërkesat që parashikon ligji
d) Regjistrimi i pasurisë së bashkësisë ligjore, ku pasuria, objekt i kontratës së kalimit të pronësisë, kalon në favor të personave fizikë, të cilët kanë statusin e të martuarit në regjistrat e gjendjes civile dhe është pasuri e fituar gjatë martesës
e) Regjistrimi i pasurisë së fituar me parashkrim fitues, të cilat regjistrohen pasi në zyrën e regjistrimit të paraqitet një vendim gjyqësor i formës së prerë për fitim pronësie. Parashkrimi fitues nënkupton fitimin e pronësisë mbi një pasuri të paluajtshme nga personi që është sjellë si pronar i kësaj pasurie për 10 ose 20 vjet, në varësi të të qenit në mirëbesim ose jo.
f) Lejet e ndertimit
g) Punimet e reja në fazën e karabinasë; Regjistrimi i karabinasë dhe certifikatat e përkohshme janë të vlefshme deri në regjistrimin përfundimtar të ndërtimit të ri.
j) Ndertimet e reja të cilat regjistrohen në mënyrë përfundimtare
k) Regjistrimi i kontratave të sipermarrjes apo premtim shitje. Çdo kontratë sipërmarrjeje, porosie apo premtimi shitjeje e investitorit me pronarin e truallit apo me të tretë, që synon në të ardhmen kalimin e pronësisë së objektit në ndërtim, regjistrohet në regjistrin e lejes së ndërtimit dhe më tej në regjistrin e karabinasë. Ky regjistrim e bën njësinë përkatëse të objektit “të zënë” dhe që nuk mund t’i premtohet dikujt tjetër.
l) Regjistrimi nga heqja dorë nga e drejta e pronësisë
m) Regjistrimi i kontratës së qirasë dhe enfiteozës
n) Regjistrimi i hipotekës dhe fshirja
t) Regjistrimi i të drejtës së parablerjes
Çfarë e drejte përfitohet me regjistrimin e një pasurie të paluajtshme?
Kur pasuria e paluajtshme të jetë regjistruar, çdo veprim juridik që ka të bëjë me të drejtat mbi të, duhet të regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Regjistrimi i një pasurie të paluajtshme i jep personit, si individ apo si bashkëpronar, të drejtën për ta disponuar këtë pasuri të paluajtshme, që nënkupton të drejtën për t’i kaluar pronësinë një personi tjetër, në përputhje me ligjin. Regjistrimi i nje pasurie sherben jo vetem per te konfirmuar të drejtën e pronësisë që ka pronari mbi pasurinë e paluajtshme por edhe për efekt publiciteti ndaj të tretëve, të cilët nëpërmjet këtij akti informohen se cili është pronari i kësaj pasurie.
Kush ka përparësi në regjistrimin e një pasurie të paluajtshme?
Në procesin e regjistrimit përparësia në regjistrim përcaktohet në varësi të datës së paraqitjes së dokumenteve te regjistruesi, pavarësisht nga data e përpilimit të tyre. Nuk mund të pranohet asnjë regjistrim i ri i një pasurie të paluajtshme nëse për këtë pasuri ka një regjistrim të mëparshëm të titullit të pronësisë.
Si veprohet në rast se regjistrimi që kërkohet për pasurinë e paluajtshme krijon mbivendosje me pasuri të tjera të paluajtshme?
Në rastet kur dokumentet e paraqitura për regjistrim për një pasuri të paluajtshme, krijojnë mbivendosje me pasuri të tjera të paluajtshme, regjistrimi i pasurisë refuzohet për atë pjesë që krijon mbivendosje, deri në zgjidhjen gjyqësore të çështjes.
Si mund të kërkohet pezullimi i kryerjes së veprimeve të regjistrimit të një pasurie të paluajtshme?
Mbajtësi i një të drejte pronësie ose i një të drejte tjetër reale mbi pasurinë si p.sh. uzufruktit, servitutit, ka të drejtë të kërkojë pezullimin e kryerjes së veprimeve të regjistrimit nga regjistruesi, kur këto veprime parashikohen në një akt noterial, për sa kohë që përcaktohen shprehimisht në këtë akt. Regjistruesi shprehet me urdhër për kërkesën e paraqitur dhe ky urdhër, së bashku me afatin e pezullimit, shënohen në kartelën e pasurisë së paluajtshme.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.