Pasuria e paluajtshme / Procesi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme
Procesi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme

Në cilat raste është i detyrueshëm regjistrimi dhe cilat janë pasojat e mos regjistrimit brenda afatit?

Çdo akt që sjell ndryshime dhe/ose përfitim të të drejtave të pronësisë, duhet të regjistrohet. Po ashtu, çdo person, pronar apo titullar i një të drejte reale, duhet të paraqesë një kërkesë për regjistrimin e aktit ku përcaktohen këto të drejta, brenda 30 ditëve nga koha e realizimit të tij. Nëse kërkesa për regjistrim paraqitet më vonë se 30 ditë nga data e aktit, përveç tarifës së regjistrimit, për çdo ditë vonesë që ka kaluar nga kjo datë paguhet kamatëvonesë, e barabartë me 10% të tarifës së regjistrimit, por jo më shumë se 300.000 lekë.

Çfarë mund të regjistrohet në Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZVRPP)?

Mund të regjistrohen në Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme:

  • Pasuritë e paluajtshme në bashkëpronësi; kërkesa për regjistrimin e të cilave duhet të bëhet nga:

    • njëri ose disa prej bashkëpronarëve;
    • çdo person, në favor të të cilit është dhënë një vendim gjykate për shitjen e një pjese të pandashme të pasurisë së paluajtshme, vetëm në rast se ky vendim ka përcaktuar qartë pozicionin e pjesës së tij.
  • Kontratat e shitjes;
  • Pasuritë e paluajtshme të fituara me parashkrim fitues; të cilat regjistrohen pasi në zyrën e regjistrimit të paraqitet një vendim gjyqësor i formës së prerë për fitim pronësie. Parashkrimi fitues nënkupton fitimin e pronësisë mbi një pasuri të paluajtshme nga personi që është sjellë si pronar i kësaj pasurie për 10 ose 20 vjet, në varësi të të qenit në mirëbesim ose jo.
  • Pasuritë e paluajtshme, e drejta e pronësisë për të cilat ka kaluar me anë të ligjit, me vendim të gjykatës apo me anë të një akti administrativ;
  • Lejet e ndërtimit;
  • Punimet e reja në fazën e karabinasë; Regjistrimi i karabinasë dhe certifikatat e përkohshme janë të vlefshme deri në regjistrimin përfundimtar të ndërtimit të ri.
  • Ndërtimet e reja të cilat regjistrohen në mënyrë përfundimtare;
  • Objektet e legalizuara; Regjistrimi i objektit të legalizuar bëhet menjëherë pas përcjelljes për regjistrim nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizmit, Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), të lejes së legalizimit dhe dokumentacionit përkatës.
  • Mjediset e përbashkëta në ndërtesa; Për efekt të regjistrimit, të gjitha pjesët e një prone në bashkëpronësi, përveç njësisë, e cila është në pronësi individuale do të konsiderohen në pronësi të përbashkët të pronarëve të njësive individuale, në përputhje me kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi. Prona e përbashkët, si rregull, përfshin të gjitha pjesët e ndërtesës, territorin, pajisjet, mjedisin dhe objektet në shërbim të saj, që nuk janë destinuar për përdorim individual, nuk janë pronë publike apo nuk janë përcaktuar në pronësi të pronarëve të njësive individuale, si trualli, mbi të cilin është ngritur ndërtesa, etj.
  • Kontratat e qirasë; Çdo kontrate qiraje e bërë me akt noterial, për një pasuri të paluajtshme, me zgjatje kohore më shumë se 9 vjet, është e detyrueshme të regjistrohet në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë së paluajtshme të qiradhënësit. Edhe pse nuk ekziston një detyrim ligjor, personat e interesuar, në rast se e shohin të nevojshme, mund të regjistrojnë kontratat e qirasë, të bëra me akt noterial, për një pasuri të paluajtshme, me një zgjatje kohore mbi një vit.
  • Hipotekat, të cilat shërbejnë për të garantuar përmbushjen e detyrimit ndaj një kreditori. Në rast mospërmbushjeje të detyrimit, pronësia e pasurisë së paluajtshme mbi të cilën është vendosur hipoteka, do t’i kalojë personit ndaj të cilit duhet të ishte përmbushur detyrimi.

Çfarë e drejte përfitohet me regjistrimin e një pasurie të paluajtshme?

Kur pasuria e paluajtshme të jetë regjistruar, çdo veprim juridik që ka të bëjë me të drejtat mbi të, duhet të regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Regjistrimi i një pasurie të paluajtshme i jep personit, si individ apo si bashkëpronar, të drejtën për ta disponuar këtë pasuri të paluajtshme, që nënkupton të drejtën për t’i kaluar pronësinë një personi tjetër, në përputhje me ligjin.

Kush ka përparësi në regjistrimin e një pasurie të paluajtshme?

Në procesin e regjistrimit përparësia në regjistrim përcaktohet në varësi të datës së paraqitjes së dokumenteve te regjistruesi, pavarësisht nga data e përpilimit të tyre. Nuk mund të pranohet asnjë regjistrim i ri i një pasurie të paluajtshme nëse për këtë pasuri ka një regjistrim të mëparshëm të titullit të pronësisë.

Si veprohet në rast se regjistrimi që kërkohet për pasurinë e paluajtshme krijon mbivendosje me pasuri të tjera të paluajtshme?

Në rastet kur dokumentet e paraqitura për regjistrim për një pasuri të paluajtshme, krijojnë mbivendosje me pasuri të tjera të paluajtshme, regjistrimi i pasurisë refuzohet për atë pjesë që krijon mbivendosje, deri në zgjidhjen gjyqësore të çështjes.

Si mund të kërkohet pezullimi i kryerjes së veprimeve të regjistrimit të një pasurie të paluajtshme?

Mbajtësi i një të drejte pronësie ose i një të drejte tjetër reale mbi pasurinë si p.sh. emfiteozës, uzufruktit, servitutit, ka të drejtë të kërkojë pezullimin e kryerjes së veprimeve të regjistrimit nga regjistruesi, kur këto veprime parashikohen në një akt noterial, për sa kohë që përcaktohen shprehimisht në këtë akt. Regjistruesi shprehet me urdhër për kërkesën e paraqitur dhe ky urdhër, së bashku me afatin e pezullimit, shënohen në kartelën e pasurisë së paluajtshme.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: