Pasuria e paluajtshme / Regjistri i pasurive të paluajtshme
Regjistri i pasurive të paluajtshme

Çfarë është regjistri i pasurive të paluajtshme?

Çdo informacion lidhur me pasuritë e paluajtshme evidentohet dhe ruhet në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Ky regjistër administrohet nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Çfarë është regjistrimi fillestar i një pasurie të paluajtshme?

Regjistrimi për herë të parë i një pasurie të paluajtshme në regjistrin e pasurive të paluajtshme quhet regjistrim fillestar. Bëhet fjalë për ato raste kur një pasuri e paluajtshme nuk është regjistruar ndonjëherë. Për regjistrimin fillestar, çdo person i interesuar i drejtohet Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që ndodhet në vendin ku ndodhet edhe pasuria e paluajtshme. Regjistrimi fillestar përfshin pasqyrimin e pasurisë së paluajtshme në hartën kadastrale dhe përgatitjen e një kartele specifike që përcakton pronësinë ose të drejta të tjera që ekzistojnë për pasurinë e paluajtshme.

Si bëhet regjistrimi fillestar i një pasurie të paluajtshme?

Për regjistrimin fillestar, personi i interesuar paraqet një nga këto akte të fitimit të pronësisë:

  • kontratë për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme ose akt për pjesëtimin e saj;
  • kontratë me të cilën krijohen, njihen, ndryshohen ose pushojnë të drejta pronësie mbi sendet e paluajtshme dhe/ose të drejta të tjera reale;
  • akt me të cilin hiqet dorë nga kontratat e mësipërme. Këtu përfshihen ato akte noteriale me të cilat një subjekt deklaron se heq dorë nga një pjesë apo e gjithë pasuria e paluajtshme;
  • vendim gjykate me të cilin njihet cilësia e trashëgimtarit dhe fitohet pasuria e paluajtshme;
  • akt me të cilin krijohet një shoqëri ose një subjekt tjetër i së drejtës që ka në pronësi pasuri të paluajtshme ose gëzon të drejta të tjera reale mbi to;
  • vendim i gjykatës ose i organit kompetent shtetëror që përkatësisht përmban fitimin ose njohjen e pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, pjesëtimin e pasurive të paluajtshme ose që deklarojnë të pavlefshme veprimet juridike për kalimin e pronësisë të regjistruar më parë rregullisht, si dhe aktet e përmbarimit gjyqësor për sekuestrimin e pasurisë së paluajtshme ose shitjen në ankand të tyre.

Personat që zotërojnë dokumentet si më sipër, por që nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen, duhet t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me:

  • dokumentin e pronësisë;
  • një plan rilevimi të pasurisë, të përgatitur nga një subjekt i licencuar për punime topografike;
  • deklaratën noteriale të pronarëve kufitarë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për kufijtë e pasurisë që pretendohet të regjistrohet.

Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kthen përgjigje brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës. Shpenzimet përkatëse duhen parapaguar. Kundër vendimit të regjistruesit ose në mungesë të përgjigjes, me kalimin e këtij afati, personi i interesuar mund të ankohet në gjykatë.

Për pasuritë e paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.08.1991, dhe truallin funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, kërkuesi i drejtohet institucionit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave. Procedurat e kalimit të kësaj sipërfaqeje në pronësi janë të përcaktuara në Vendimin nr.608, datë 05.09.2012 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurës së kalimit të pronësisë të pasurive të paluajtshme, të ndërtuara deri më 10.08.1991, e të truallit funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, si dhe për regjistrimin e tyre”.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: