Procesi civil / Gjykata
Gjykata

Kush mund ta vërë në lëvizje gjykatën?

Gjykatës mund t’i drejtohet çdo individ (persona fizik, ata juridik dhe personat e huaj apo pa shtetësi), që pretendon se i është shkelur një e drejtë, liri apo interesa te tij ligjore dhe kushtetues. Gjykata vihet në lëvizje nëpërmjet kërkesëpadisë (e cila duhet të hartohet me shkrim).Objekti i mosmarrëveshjes dhe pretendimet e kësaj pale parashtrohen në kërkesëpadi. Pala paditese, si rregull, është e lirë të heqë dorë në çdo kohë nga padia dhe procesi gjyqesore i nisur pushon.

Çfarë detyrimesh ka gjykata?

Gjykata ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin. Gjithmonë, gjykata duhet t’i japë zgjidhje mosmarrëveshjeve në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Asnjë palë nuk mund të gjykohet pa u dëgjuar ose pa u thirrur në gjykim.

Seancat gjyqësore janë të hapura për publikun, me përjashtim të rasteve kur gjykata çmon se kjo mund ta dëmtojë procesin. Por, në çdo rast, vendimi përfundimtar i gjykatës shpallet publikisht.

Gjykata duhet të shprehet për të gjitha kërkesat që parashtrohen në padi, pa i kaluar kufijtë e saj, duke realizuar një gjykim të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm, brenda një afati të arsyeshëm.

Si mund të mbrohen palët në gjykatë?

Palët mund të mbrohen vetë ose nëpërmjet një përfaqësuesi ligjor, me përjashtim të rasteve kur përfaqësimi me avokat është i detyrueshëm (si p.sh. në Gjykatën e Lartë).

Cilat janë rastet kur gjyqtari është i detyruar të heqë dorë nga gjykimi i një çështjeje?

Gjyqtari është i detyruar të heqë dorë nga gjykimi i një çështjeje konkrete kur:

  • ka interes në atë çështje ose në një mosmarrëveshje tjetër që ka lidhje me atë në gjykim;
  • ai vetë ose bashkëshortja e tij është i afërt apo krushqi ose është i lidhur me detyrime birësimi apo bashkëjeton në mënyrë të përhershme me njërën nga palët ose nga përfaqësuesit;
  • ai vetë ose bashkëshortja e tij janë në konflikt gjyqësor ose në armiqësi apo në marrëdhënie kredie apo huaje me njërën prej palëve, ose njërin prej përfaqësuesve;
  • ka dhënë këshilla ose ka shfaqur mendim për çështjen në gjykim apo ka marrë pjesë në gjykimin e çështjes në një shkallë tjetër të procesit, është pyetur si dëshmitar, si ekspert ose si përfaqësues i njërës apo tjetrës palë;
  • është kujdestar, punëdhënës i njërës prej palëve, administrator ose ka një detyrë tjetër në një shoqatë, shoqëri ose institucion tjetër që ka interesa për çështjen në gjykim;
  • në çdo rast tjetër kur vërtetohen, sipas rrethanave konkrete, arsye serioze njëanshmërie.

Si mund të kërkohet përjashtimi i gjyqtarit?

Në rastet kur është e detyrueshme heqja dorë e gjyqtarit, secila nga palët mund të kërkojë përjashtimin e tij.

Kërkesa e nënshkruar nga pala përkatëse ose nga përfaqësuesi i saj, duhet të depozitohet në sekretarinë e gjykatës kur është bërë i ditur emri i gjyqtarit apo gjyqtarëve që shqyrtojnë çështjen apo menjëherë pas shpalljes së gjyqtarit apo gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen.

Paraqitja e mëvonshme e kërkesës lejohet vetëm kur pala ka marrë dijeni më vonë për shkakun e përjashtimit ose kur gjatë ushtrimit të funksioneve, gjyqtari ka shfaqur mendim të njëanshëm e në mënyrë të papërshtatshme mbi faktet dhe rrethanat objekt gjykimi, por sidoqoftë jo më vonë se tri ditë nga marrja dijeni.

Kërkesa duhet të përmbajë shkaqet e përjashtimit, dokumentet e provat e tjera që disponohen.

Pajtimi

Gjykata, pasi njihet me padinë, kontrollon legjitimitetin e palëve. Të kontrollosh legjitimitetin e palëve do të thotë që të verifikosh nëse padia është ngritur nga personi të cilit i përket e drejta dhe nëse ështe ngritur ndaj atij që ka cënuar apo shkelur të drejtën.

Pas kalimit të kësaj faze, gjyqtari bën përpjekje për zgjidhjen e çështjes me pajtim. Kjo do të thotë që ai i fton palët të bisedojnë për të arritur një marrëveshje e cila do të zgjidhte çështjen, duke kënaqur të dyja palët dhe duke shmangur proçedurat e mëtejshme gjyqësore. Në rast se kjo gjë arrihet, marrëveshja e pajtimit pasqyrohet në proçesverbalin e seancës, i cili nënshkruhet nga palët dhe nga gjyqtari. Mbas kësaj gjyqtari jep vendim për miratimin e pajtimit. Në rast se çështja nuk arrihet të zgjidhet me pajtim, atëherë gjykata i fton palët të paraqesin pretendimet e tyre rreth çështjes në gjykim.

Çfarë janë vendimet përfundimtare dhe jo përfundimtare të gjykatës?

Vendimi përfundimtar jepet nga gjykata në përfundim të gjykimit i cili zgjidh çështjen në themel. Ai duhet të përmbajë bazën ligjore mbi të cilën bazohet zgjidhja e mosmarrëveshjes, analizën e provave dhe mënyrën e zgjidhjes së saj.

Vendimet jopërfundimtare janë vendimet e pushimit të çështjes, me të cilët gjykata ose gjyqtari i japin fund procesit gjyqësor civil pa e zgjidhur çështjen në themel, si edhe çdo vendim tjetër që pa e zgjidhur çështjen në themel i jep fund procedimit gjyqësor të filluar.

Vendimet e ndermjetme

Keto vendime jepet nga gjykata ne séance gjyqesore ,me qellim qe t`u pergjigjen kerkesave te procesit gjyqesor .Vendime te tilla jane vendimet per marrjen e provave ,per thirrjen e deshmitarve ,pezullimin e gjykimit.Vendimet e ndermjetme mund te ndryshohen ose te revokohen nga gjykata qe I ka dhene si dhe mund te ankimohen me vendimet perfundimtare.

Cilat janë gjykimet që kanë një rregullim të posaçëm ligjor?

Në lidhje me gjykimet e posaçme, në përbërje të gjykatave krijohen seksione të veçanta, në mënyre që këto lloj gjykimesh të bëhen nga gjyqtare të specializuar në fushën përkatëse.

Gjykimet që kanë një rregullim të posaçëm ligjor janë:

  • Gjykimi i padive për shuma të vogla (Vlera objektit të padisë deri në 150.000 lekë qe rrjedhin nga marrëdhënie kontraktore);
  • Gjykimi i mosmarrëveshjeve tregtare;
  • Gjykimi i mosmarrëveshjeve administrative (Gjykata, në gjykimin administrativ, siguron nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme, mbrojtjen juridike të të drejtave, lirive dhe interesave kushtetues dhe ligjorë të subjekteve, që mund të cenohen si pasojë e ushtrimit ose jo të funksioneve publike nga ana e organeve të administratës publike.)
  • Gjykimi i mosmarrëveshjeve që lidhen me familjen;
  • Pjesëtimi gjyqësor; (Do te thote se kemi te bejme me bashkepronesi. Bashkepronesia mund te linde per shkak te lidhjes se marteses, per shkak blerjes se nje sendi te perbashket. Ky gjykim zhvillohet ne dy faza)
  • Shpallja e zhdukjes ose e vdekjes së personit;
  • Heqja ose kufizimi i zotësisë për të vepruar;
  • Vërtetimi gjyqësor i fakteve;
  • Gjykimi i kërkesëpadisë për shperblim demi
  • Njohja e vendimeve të shteteve të huaja (Ne kete gjykim si shkalle e pare gjyqesore do te jete gjykata e apelit)
  • Njohja e vendimeve te arbitrazhit nderkombetar
Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: