Çfarë është padia?
Padia është e drejta e personit (i cili në procesin gjyqesor civil quhet “paditësi”) t’i paraqesë gjykatës pretendimet e tij për zgjidhjen e një çështjeje të caktuar. Pala kundërshtare (e cila quhet “i padituri”), ka të drejtë ta kundërshtojë këtë pretendim dhe bazueshmërinë e tij në ligj. Mjeti ligjor (procedurial) me anë të cilit realizohet kjo e drejtë është kërkesëpadia ose kërkesa. Nëpërmjet kërkesëpadisë fillon një proces gjyqësor me palë kundërshtare, ndërsa nëpërmjet kërkesës fillon një proces gjyqësor pa palë kundërshtare.
Kërkesëpadia si akt procedurial hartohet në formë të shkruar dhe në gjuhën shqipe. Kërkesëpadia duhet të përmbajë datën e hartimit dhe duhet të nënshkuhet nga pala që e paraqet ose nga përfaqësuesi.
Për çfarë mund të ngrihet padia?
Padia mund të ngrihet:
- për të kërkuar rivendosjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm që është shkelur;
- për vërtetimin e qenies ose mosqenies së një marrëdhënieje juridike ose një të drejte;
- për njohjen e vërtetësisë ose pavërtetësisë së një dokumenti me pasoja juridike për paditësin.
Tek cila gjykatë duhet të ngrihet padia?
-
Si rregull, padia ngrihet në gjykatën ku i padituri ka vendbanimin ose vendqëndrimin e tij dhe kur këto nuk dihen, në gjykatën e vendit ku ai ka banesën e përkohshme. Kur i padituri nuk ka as vendbanim, as vendqëndrim dhe as banesë të përkohshme në Republikën e Shqipërisë, padia ngrihet në gjykatën ku banon paditësi.
-
Kur i padituri është person juridik, padia ngrihet në gjykatën e vendit ku personi juridik ka qendrën e tij.
-
Padia që lidhet me të drejta mbi sende të paluajtshme, me pjesëtimin e sendeve të përbashkëta dhe me zotërimin e tyre, ngrihet në gjykatën e vendit ku ndodhen sendet ose pjesa më e madhe e tyre.
-
Padia që lidhet me trashëgiminë apo me pavlefshmërinë e testamentit, ngrihet në gjykatën e vendit ku trashëgimlënësi ka pasur banimin e tij të fundit dhe, kur ky nuk dihet, në gjykatën e vendit ku ndodhet e gjithë pasuria ose pjesa më e madhe e saj.
-
Padia që lidhet me shkaktimin e një dëmi mund të ngrihet si në gjykatën e vendit ku ka banimin i padituri, ashtu dhe në gjykatën e vendit ku është shkaktuar dëmi.
Çfarë duhet të përmbajë kërkesëpadia?
Kërkesëpadia duhet të përmbajë:
- gjykatën përpara së cilës paraqitet kërkesa;
- emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e paditësit e të paditurit dhe të personave që përkatësisht i përfaqësojnë ata (kur ka të tillë); Nese paditesi ose i padituri është person juridik, emertimin e tij ashtu siç figuron në regjistrat publike, duke treguar edhe selinë ose zyrën qëndrore, ku do kryhet njoftimi.
- të dhënat elektronike të paditësit ose të përfaqësuesit, nëse ka një të tillë, të cilin gjykata mund ta njoftojë, nëse ai ka pranuar të njoftohet me mjete të komunikimit elektronik;
- përcaktimin e objektit të kërkesëpadisë, pra e asaj që kërkohet;
- tregimin e fakteve, rrethanave, dokumenteve, mjeteve të tjera provuese dhe të së drejtës mbi të cilat mbështetet kërkesëpadia;
- pretendimet e paditësit; (objekti padise)
- vlerën e padisë, në rast se objekti i saj është i vlerësueshëm;
- listën e personave, që paditësi kërkon të thirren në gjykim, duke saktësuar emrin, atësinë, mbiemrin dhe adresën e plotë të tyre.
- Aktin provues te pagimit te tarifes se padise sipas ligjit.
- Llojin e ekspertimit qe kerkohet te kryhet gjate gjykimit
- Provat qe kerkohen te merren nga i padituri dhe të tretët, duke përcaktuar arsyet dhe vendndodhjen e këtyre provave
- Te dhënat elektronike të kontaktit të tij ose të përfaqesuarit nëse ka një të tillë ku gjykata mund të njoftojë.
Si paraqitet kërkesëpadia në gjykatë?
Kërkesëpadia paraqitet në gjykatë nga paditësi ose nga përfaqësuesi i tij i pajisur me prokurë, siç mund të jetë avokati. Ajo mund të paraqitet në gjykatë edhe nëpërmjet postës. Me anë të shortit, zgjidhet gjyqtari që do të shqyrtojë padinë.
Nëse kërkesëpadia ka të meta, gjyqtari i cakton paditësit një afat për plotësimin e tyre. Nëse paditësi i plotëson të metat brenda afatit, padia quhet e regjistruar që nga data kur ajo është paraqitur. Në të kundërt, kërkesëpadia quhet se nuk është paraqitur asnjëherë dhe i kthehet paditësit së bashku me aktet e tjera. Në këtë mënyre veprohet kur të metat e kërkesëpadisë konstatohen gjatë gjykimit të cështjes.
Deklarata e mbrojtjes
Deklarata e mbrojtjes eshte nje akt procedurial qe perpilohet nga i padituri, i parashikuar për herë të parë në Kodin e Procedurës Civile me ndryshimet e 2017.
Gjykata, pasi e vlerëson padinë pa të meta i kërkon të paditurit të lëshojë deklaratën e mbrojtjes, jo më vonë se 30 ditë nga njoftimi i kërkesëpadisë.
Deklarata e mbrojtjes hartohet në gjuhën shqipe dhe duhet të përmbajë:
a) gjykatën përpara së cilës paraqitet deklarata e mbrojtjes; b) emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e paditësit e të paditurit dhe të personave që përkatësisht i përfaqësojnë ata, nëse ka. Nëse paditësi ose i padituri është person juridik, emërtimin e tij ashtu siç figuron në regjistrat publikë, duke treguar edhe selinë ose zyrën qendrore, ku do kryhet njoftimi; c) tregimin konkret të fakteve, rrethanave, dokumenteve dhe provave të tjera, si dhe prapësimet dhe argumentet për kundërshtimin e padisë, nëse ka;
Përveç këtyre kërkesave, i padituri deklaron qartë në/ose bashkëngjitur deklaratës së mbrojtjes: a) të dhënat e kontaktit të tij elektronik ose të përfaqësuesve të tij, nëse ka, të cilat gjykata mund t’i përdorë për ta njoftuar; b) listën e personave që kërkon të thirren në gjykim me cilësinë e dëshmitarit, duke specifikuar saktë emrat e tyre, atësinë, mbiemrin, dhe adresën e tyre të plotë, si dhe faktet që kërkohet të provohen me to; c) provat që kërkohen të merren tek të tretët ose te paditësi, duke përcaktuar arsyet dhe vendndodhjen e provave; ç) llojin e ekspertimit që kërkohet të kryhet gjatë gjykimit; d) emrin, atësinë, mbiemrin ose emërtimin e personit juridik dhe adresën e plotë të personave të tretë që kërkon të thirren në gjykim me këtë cilësi; dh) kundërpadinë, kur kërkohet prej tij ushtrimi i kësaj të drejte, sipas nenit 160 të këtij Kodi. I padituri duhet të informojë gjykatën për çdo ndryshim të mëvonshëm të adresës dhe të të dhënave të kontaktit elektronik për vete ose përfaqësuesin e tij. Shkelja e këtij detyrimi i bën të papranueshme pretendimet për pavlefshmërinë e njoftimit. Deklarata e mbrojtjes bashkë me provat dhe aktet e tjera bashkëngjitur i komunikohet palës paditëse nga gjykata.
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.