Ankimi

Cilat janë mjetet dhe afatet për t’u ankuar ndaj vendimeve të gjykatave?

Mjetet për t’u ankuar ndaj vendimeve të gjykatave janë:

  • Ankimi në gjykatën e apelit, kundër vendimeve përfundimtare të gjykatës së shkallës së parë, brenda 15 ditëve.
  • Rekursi në Gjykatën e Lartë, kundër vendimeve të gjykatës së apelit ose të gjykatës së shkallës së parë, brenda 30 ditëve.
  • Rishikimi në Gjykatën e Lartë, kundër një vendimi të formës së prerë, brenda 30 ditëve.

Afati i ankimit në gjykatën e apelit dhe rekursit në gjykatën e lartë fillojnë nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit përfundimtar apo nga dita e njoftimit të vendimit palës që ka qenë në mungesë. Afati për të ushtruar kërkesën për rishikim fillon nga dita kur janë zbuluar rrethanat përkatëse.

Ankimi në gjykatën e apelit dhe rekursi në Gjykatën e Lartë nuk mund të bëhen kur ka kaluar një vit nga shpallja e vendimit, me përjashtim të rastit kur pala që ka qenë në mungesë, vërteton se nuk ka qenë në dijeni të procesit gjyqësor për shkak të pavlefshmërisë së njoftimeve.

Ku paraqitet ankimi ndaj vendimeve të gjykatave?

Ankimi paraqitet në gjykatën që ka dhënë vendimin, ndaj të cilit bëhet ankimi.

Kur merr formë të prerë një vendim gjykate?

Vendimi i gjykatës merr formë të prerë kur:

  • nuk mund të bëhet ankim kundër tij;
  • nuk është bërë ankim kundër tij brenda afateve të caktuara nga ligji ose kur ankesa është tërhequr;
  • ankesa e paraqitur nuk është pranuar;
  • në shkallë të dytë vendimi i gjykatës është lënë në fuqi, është ndryshuar ose është pushuar gjykimi.

Çfarë efekti ka një vendim i formës së prerë?

Vendimi që ka marrë formë të prerë është i detyrueshëm për palët, për trashëgimtarët e tyre, për gjykatën që ka dhënë vendimin dhe për të gjitha gjykatat dhe institucionet e tjera.

Një konflikt që është zgjidhur me vendim të formës së prerë, si rregull, nuk mund të gjykohet përsëri.

Cila është përmbajtja e ankimit në gjykatën e apelit?

Në ankim duhet të tregohen:

  • palët;
  • vendimi kundër të cilit bëhet ankimi;
  • shkaqet për të cilat bëhet ankimi;
  • çfarë kërkohet me ankimin.

A mund të hiqet dorë nga ankimi në gjykatën e apelit?

Në çdo fazë të gjykimit të çështjes në apel, ankuesi ose përfaqësuesi i tij mund të heqë dorë nga ankimi. Në këtë rast vendoset pushimi i shqyrtimit të çështjes në gjykatën e apelit.

Çfarë mund të vendosë gjykata e apelit?

Gjykata e apelit, pasi shqyrton çështjen, vendos:

  • lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë;
  • ndryshimin e vendimit;
  • prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes; ose
  • prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në gjykatën e shkallës së parë.

Kur pezullohet zbatimi i vendimit të gjykatës?

Zbatimi i vendimit pezullohet atëherë kur gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe e ridërgon aty çështjen për rigjykim.

Gjykata e apelit me kërkesën e palës mund të vendosë pezullimin e zbatimit të vendimit kur kundër vendimit të saj për lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë dhe nga zbatimi i menjëhershëm i vendimit të lënë në fuqi mund të vijnë pasoja të rënda ose të pariparueshme, si dhe kur pala që ka bërë rekursin jep garanci që siguron mundësinë e zbatimit të këtij vendimi më vonë.

Në cilat raste mund të bëhet ankim me anë të rekursit në Gjykatën e Lartë?

Në Gjykatën e Lartë mund të bëhet ankim me anë të rekursit ndaj vendimeve të shpallura nga gjykata e apelit ose nga gjykata e shkallës së parë, vetëm kur:

  • nuk është respektuar ose është zbatuar keq ligji;
  • ka shkelje të rënda të procedurës.

Kundërshtimi i vendimit në Gjykatën e Lartë bëhet brenda 30 ditëve nga data e dhënies së vendimit që kundërshtohet. Kur palët janë në mungesë, ky afat fillon nga data e njoftimit.

Çfarë mund të vendosë Gjykata e Lartë?

Gjykata e Lartë mund të vendosë:

  • lënien në fuqi të vendimit ndaj të cilit është bërë ankim;
  • prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë;
  • prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në gjykatën e apelit, me tjetër trup gjykues;
  • prishjen e vendimit të gjykatës së apelit dhe vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në gjykatën e shkallës së parë me tjetër trup gjykues;
  • ndryshimin e vendimit të shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit;
  • prishjen e vendimeve dhe pushimin e gjykimit të çështjes.

Udhëzimet dhe përfundimet e Gjykatës së Lartë janë të detyrueshme për gjykatën që do të rishqyrtojë çështjen.

Kur vendimi i ri, që jepet pas prishjes, është i ndryshëm nga vendimi i parë, i cili është zbatuar, tërësisht ose pjesërisht, personi që ka përfituar detyrohet t’i kthejë të gjitha përfitimet e marra nga zbatimi i vendimit.

A mund të hiqet dorë nga rekursi në Gjykatën e Lartë?

Pala mund të heqë dorë nga rekursi derisa nuk është filluar prezantimi në seancë gjyqësore. Heqja dorë bëhet me shkrim, e nënshkruar nga vetë pala apo avokati i saj.

Kur mund të kërkohet rishikimi i një vendimi të formës së prerë?

Rishikimi shërben për të rihapur gjykimin e një çështjeje që ka marrë formë të prerë në shkallë të parë ose në apel. Pala e interesuar mund të kërkojë rishikimin e një vendimi që ka marrë formë të prerë, kur:

  • zbulohen rrethana të reja apo prova të reja me shkresë që kanë rëndësi për çështjen, të cilat nuk mund të diheshin nga pala gjatë shqyrtimit të saj;
  • vërtetohet se thëniet e dëshmitarëve apo mendimet e ekspertëve, mbi të cilat është bazuar vendimi, kanë qenë të rreme;
  • palët ose përfaqësuesit e tyre apo ndonjë anëtar i trupit gjykues, që ka marrë pjesë në gjykimin e çështjes, kanë kryer vepra të dënueshme penalisht, të cilat kanë ndikuar në dhënien e vendimit;
  • vërtetohet se vendimi i dhënë është bazuar në dokumente të falsifikuara;
  • vendimi është bazuar në një vendim të gjykatës ose të një institucioni tjetër që më pas është prishur;
  • vendimi është në kundërshtim të hapur me një vendim tjetër të formës së prerë të dhënë midis po atyre palëve, për të njëjtin objekt dhe për të njëjtin shkak;
  • Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut gjen shkelje të konventës evropiane “Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore” në çështjen konkrete.

Cili është afati brenda të cilit duhet të paraqitet kërkesa për rishikim?

Kërkesa për rishikim mund të paraqitet brenda 30 ditëve nga dita që pala ka marrë dijeni për shkakun e rishikimit, por në çdo rast jo më vonë se një vit nga dita që ka lindur shkaku i rishikimit.

Ku duhet të paraqitet kërkesa për rishikim?

Kërkesa për rishikim duhet të paraqitet përpara Gjykatës së Lartë.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: