Procesi gjyqesor civil / Ekzekutimi i detyrueshëm
Ekzekutimi i detyrueshëm

Çfarë është një titull ekzekutiv?

Ekzekutimi i detyrueshëm mund të kryhet vetëm ndaj një titulli ekzekutiv, nëpërmjet marrjes së një urdhri ekzekutimi nga gjykata përkatëse.

Format më të zakonshme të titujve ekzekutivë janë:

  • vendimet civile të formës së prerë të gjykatës, që përmbajnë një detyrim;
  • vendimet penale të formës së prerë në pjesën që bëjnë fjalë për të drejta pasurore;
  • vendimet e gjykatave dhe të arbitrazheve të shteteve të huaja që u është dhënë fuqi në Shqipëri;
  • vendimet e një gjykate arbitrazhi në Republikën e Shqipërisë;
  • aktet noteriale që përmbajnë detyrim në të holla, si dhe aktet për dhënien e kredive bankare ose aktet për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare;
  • çeqet;
  • aktet e tjera që quhen tituj ekzekutivë dhe ngarkohet zyra e përmbarimit për ekzekutimin e tyre.

Kundër vendimit me të cilin refuzohet dhënia e urdhrit të ekzekutimit, mund të bëhet ankim.

Si ekzekutohet urdhri i ekzekutimit?

Urdhri i ekzekutimit vihet në ekzekutim nga shërbimi përmbarimor gjyqësor, shtetëror ose privat, me anë të përmbaruesit gjyqësor, në bazë të kërkesës të të interesuarit.

Cilit përmbarues gjyqësor duhet t’i drejtohet kërkesa për zbatimin e urdhrave të ekzekutimit?

Në rastin kur titulli ekzekutiv vihet në ekzekutim nëpërmjet përmbarimit shtetëror, kërkesa për zbatimin e urdhrave të ekzekutimit i drejtohet përmbaruesit gjyqësor të vendit ku ndodhen:

  • sendet e luajtshme ose të paluajtshme ose paratë, ndaj të cilave drejtohet ekzekutimi;
  • banimi i personit që ka një detyrim ndaj debitorit;
  • vendi i ekzekutimit të detyrimit për kryerjen ose moskryerjen e një veprimi të caktuar.

Ndërkohë që përmbaruesi gjyqësor privat ose shoqëritë përmbaruese private ushtrojnë funksionet e tyre procedurale përmbarimore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Kështu, ata mund të ekzekutojnë një titull ekzekutiv në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe nuk janë të kufizuara në kompetencën e tyre territoriale, si përmbaruesit shtetëror.

Në cilat fusha ekzekutimi i detyrimeve ka një rregullim të posaçëm ligjor?

Ekzekutimi i detyrimeve ka një rregullim të posaçëm ligjor në këto fusha:

  • Ekzekutimi i detyrimeve në të holla kundrejt personave fizikë e juridikë;
  • Ekzekutimi mbi sendet e luajtshme;
  • Ekzekutimi mbi sendet e paluajtshme, mbi mjetet e lundrimit e të fluturimit;
  • Ekzekutimi mbi sendet apo shumat që persona të tjerë i detyrohen debitorit;
  • Ekzekutimi i detyrimeve në të holla ndaj institucioneve buxhetore;
  • Ekzekutimi mbi shumat e llogarive në banka;
  • Ekzekutimi i detyrimit për dorëzimin e një sendi të caktuar;
  • kzekutimi i detyrimit për kryerjen e një veprimi të caktuar.

Si mund të kundërshtohen veprimet e përmbaruesit gjyqësor?

Kundër veprimeve të përmbaruesit gjyqësor dhe kundër refuzimit të tij për të kryer një veprim, palët mund të bëjnë ankim në gjykatën që ekzekuton vendimin brenda 5 ditëve. Ky afat fillon nga dita e kryerjes së veprimit apo refuzimit, kur palët kanë qenë të pranishme në kryerjen e veprimit ose kanë qenë thirrur, dhe në raste të tjera nga dita që i është njoftuar ose kanë marrë dijeni për veprimin ose refuzimin.

Ankimi kundër veprimeve ose refuzimit të përmbaruesit gjyqësor nuk pezullon ekzekutimin, përveçse kur gjykata vendos ndryshe.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: