Gjykata

Kush mund ta vërë në lëvizje gjykatën?

Gjykatës mund t’i drejtohet çdo individ që pretendon që i është shkelur një e drejtë. Gjykata vihet në lëvizje nëpërmjet kërkesëpadisë (e cila duhet të hartohet me shkrim). Objekti i mosmarrëveshjes dhe pretendimet e kësaj pale parashtrohen në padi. Ajo, si rregull, është e lirë të heqë dorë në çdo kohë nga padia.

Çfarë detyrimesh ka gjykata?

Gjykata ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin. Gjithmonë, gjykata duhet t’i japë zgjidhje mosmarrëveshjeve në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Asnjë palë nuk mund të gjykohet pa u dëgjuar ose pa u thirrur në gjykim.

Seancat gjyqësore janë të hapura për publikun, me përjashtim të rasteve kur gjykata çmon se kjo mund ta dëmtojë procesin. Por, në çdo rast, vendimi përfundimtar i gjykatës shpallet publikisht.

Gjykata duhet të shprehet për të gjitha kërkesat që parashtrohen në padi, pa i kaluar kufijtë e saj, duke realizuar një gjykim të drejtë, të pavarur dhe të paanshëm, brenda një afati të arsyeshëm.

Si mund të mbrohen palët në gjykatë?

Palët mund të mbrohen vetë ose nëpërmjet një përfaqësuesi ligjor, me përjashtim të rasteve kur përfaqësimi me avokat është i detyrueshëm (si p.sh. në Gjykatën e Lartë).

Cilat janë rastet kur gjyqtari është i detyruar të heqë dorë nga gjykimi i një çështjeje?

Gjyqtari është i detyruar të heqë dorë nga gjykimi i një çështjeje konkrete kur:

  • ka interes në atë çështje ose në një mosmarrëveshje tjetër që ka lidhje me atë në gjykim;
  • ai vetë ose bashkëshortja e tij është i afërt apo krushqi ose është i lidhur me detyrime birësimi apo bashkëjeton në mënyrë të përhershme me njërën nga palët ose nga përfaqësuesit;
  • ai vetë ose bashkëshortja e tij janë në konflikt gjyqësor ose në armiqësi apo në marrëdhënie kredie apo huaje me njërën prej palëve, ose njërin prej përfaqësuesve;
  • ka dhënë këshilla ose ka shfaqur mendim për çështjen në gjykim apo ka marrë pjesë në gjykimin e çështjes në një shkallë tjetër të procesit, është pyetur si dëshmitar, si ekspert ose si përfaqësues i njërës apo tjetrës palë;
  • është kujdestar, punëdhënës i njërës prej palëve, administrator ose ka një detyrë tjetër në një shoqatë, shoqëri ose institucion tjetër që ka interesa për çështjen në gjykim;
  • në çdo rast tjetër kur vërtetohen, sipas rrethanave konkrete, arsye serioze njëanshmërie.

Si mund të kërkohet përjashtimi i gjyqtarit?

Në rastet kur është e detyrueshme heqja dorë e gjyqtarit, secila nga palët mund të kërkojë përjashtimin e tij.

Kërkesa e nënshkruar nga pala përkatëse ose nga përfaqësuesi i saj, duhet të depozitohet në sekretarinë e gjykatës kur është bërë i ditur emri i gjyqtarit apo gjyqtarëve që shqyrtojnë çështjen apo menjëherë pas shpalljes së gjyqtarit apo gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen.

Paraqitja e mëvonshme e kërkesës lejohet vetëm kur pala ka marrë dijeni më vonë për shkakun e përjashtimit ose kur gjatë ushtrimit të funksioneve, gjyqtari ka shfaqur mendim të njëanshëm e në mënyrë të papërshtatshme mbi faktet dhe rrethanat objekt gjykimi, por sidoqoftë jo më vonë se tri ditë nga marrja dijeni.

Kërkesa duhet të përmbajë shkaqet e përjashtimit, dokumentet e provat e tjera që disponohen.

Çfarë janë vendimet përfundimtare dhe jo përfundimtare të gjykatës?

Vendimi përfundimtar jepet nga gjykata në përfundim të gjykimit i cili zgjidh çështjen në themel. Ai duhet të përmbajë bazën ligjore mbi të cilën bazohet zgjidhja e mosmarrëveshjes, analizën e provave dhe mënyrën e zgjidhjes së saj.

Vendimet jopërfundimtare janë vendimet e pushimit të çështjes, me të cilët gjykata ose gjyqtari i japin fund procesit gjyqësor civil pa e zgjidhur çështjen në themel, si edhe çdo vendim tjetër që pa e zgjidhur çështjen në themel i jep fund procedimit gjyqësor të filluar.

Kujt i ngarkohen shpenzimet e një procesi gjyqësor?

Për ngritjen e një padie paguhet taksa mbi aktet. Fillimisht, taksat mbi aktet, shpenzimet e tjera gjyqësore dhe shpërblimi për një avokat parapaguhen nga paditësi. Në përfundim të gjykimit, në rast se gjykata e pranon padinë këto shpenzime i ngarkohen të paditurit, ndërkohë që në rast se gjykata e rrëzon padinë, paditësit mund t’i ngarkohen të gjitha shpenzimet gjyqësore që ka bërë i padituri.

Cilat janë gjykimet që kanë një rregullim të posaçëm ligjor?

Gjykimet që kanë një rregullim të posaçëm ligjor janë:

  • Gjykimi i mosmarrëveshjeve tregtare;
  • Gjykimi i mosmarrëveshjeve administrative
  • Gjykimi i mosmarrëveshjeve që lidhen me familjen;
  • Pjesëtimi gjyqësor;
  • Shpallja e zhdukjes ose e vdekjes së personit;
  • Heqja ose kufizimi i zotësisë për të vepruar;
  • Vërtetimi gjyqësor i fakteve;
  • Njohja e vendimeve të shteteve të huaja.
Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: