Padia

Çfarë është padia?

Padia është e drejta e personit (i cili në gjykatë quhet “paditësi”) t’i paraqesë gjykatës pretendimet e tij për zgjidhjen e një çështjeje të caktuar. Pala kundërshtare (e cila quhet “i padituri”), ka të drejtë ta kundërshtojë këtë pretendim dhe bazueshmërinë e tij në ligj. Padia paraqitet me shkrim në formën e një kërkese, ndryshe quajtuar kërkesëpadi, ku paditësi cilëson pretendimet e tij.

Për çfarë mund të ngrihet padia?

Padia mund të ngrihet:

  • për të kërkuar rivendosjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm që është shkelur;
  • për vërtetimin e qenies ose mosqenies së një marrëdhënieje juridike ose një të drejte;
  • për njohjen e vërtetësisë ose pavërtetësisë së një dokumenti me pasoja juridike për paditësin.

Tek cila gjykatë duhet të ngrihet padia?

Si rregull, padia ngrihet në gjykatën ku i padituri ka vendbanimin ose vendqëndrimin e tij dhe kur këto nuk dihen, në gjykatën e vendit ku ai ka banesën e përkohshme. Kur i padituri nuk ka as vendbanim, as vendqëndrim dhe as banesë të përkohshme në Republikën e Shqipërisë, padia ngrihet në gjykatën ku banon paditësi.

Kur i padituri është person juridik, padia ngrihet në gjykatën e vendit ku personi juridik ka qendrën e tij.

Padia që lidhet me të drejta mbi sende të paluajtshme, me pjesëtimin e sendeve të përbashkëta dhe me zotërimin e tyre, ngrihet në gjykatën e vendit ku ndodhen sendet ose pjesa më e madhe e tyre.

Padia që lidhet me trashëgiminë apo me pavlefshmërinë e testamentit, ngrihet në gjykatën e vendit ku trashëgimlënësi ka pasur banimin e tij të fundit dhe, kur ky nuk dihet, në gjykatën e vendit ku ndodhet e gjithë pasuria ose pjesa më e madhe e saj.

Padia që lidhet me shkaktimin e një dëmi mund të ngrihet si në gjykatën e vendit ku ka banimin i padituri, ashtu dhe në gjykatën e vendit ku është shkaktuar dëmi.

Çfarë duhet të përmbajë kërkesëpadia?

Kërkesëpadia duhet të përmbajë:

  • gjykatën përpara së cilës paraqitet kërkesa;
  • emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e paditësit e të paditurit dhe të personave që përkatësisht i përfaqësojnë ata, kur ka të tillë;
  • të dhënat elektronike të paditësit ose të përfaqësuesit, nëse ka një të tillë, të cilin gjykata mund ta njoftojë, nëse ai ka pranuar të njoftohet me mjete të komunikimit elektronik;
  • përcaktimin e objektit të kërkesëpadisë, pra e asaj që kërkohet;
  • tregimin e fakteve, rrethanave, dokumenteve, mjeteve të tjera provuese dhe të së drejtës mbi të cilat mbështetet kërkesëpadia;
  • pretendimet e paditësit;
  • vlerën e padisë, në rast se objekti i saj është i vlerësueshëm;
  • listën e personave, që paditësi kërkon të thirren në gjykim, duke saktësuar emrin, atësinë, mbiemrin dhe adresën e plotë të tyre.

Si paraqitet kërkesëpadia në gjykatë?

Kërkesëpadia paraqitet në gjykatë nga paditësi ose nga përfaqësuesi i tij i pajisur me prokurë, siç mund të jetë avokati. Ajo mund të paraqitet në gjykatë edhe nëpërmjet postës. Me anë të shortit, zgjidhet gjyqtari që do të shqyrtojë padinë.

Nëse kërkesëpadia ka të meta, gjyqtari i cakton paditësit një afat për plotësimin e tyre. Nëse paditësi i plotëson të metat brenda afatit, padia quhet e regjistruar që nga data kur ajo është paraqitur. Në të kundërt, kërkesëpadia quhet se nuk është paraqitur asnjëherë dhe i kthehet paditësit së bashku me aktet e tjera.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: