Puna / Gratë dhe të miturit në punë
Gratë dhe të miturit në punë

Cila është mbrojtja që ligji i siguron të miturit për sa i përket marrëdhënieve të punës?

Ndalohet marrja në punë e të miturve nën moshën 16 vjeç. Bëjnë përjashtim rastet kur të miturit nga mosha 15 deri në 16 vjeç punësohen gjatë pushimeve shkollore vetëm në punë të lehta, që nuk cenojnë sigurinë, shëndetin, zhvillimin dhe shkollimin e tyre.

Të miturit nën moshën 18 vjeç duhet të punësohen vetëm kur njihen si të aftë për punë pas kontrollit mjekësor të plotë. Vetëm personat madhorë mbi 18 vjeç mund të punësohen në punë të vështira ose që paraqesin rrezik për shëndetin ose personalitetin e tyre. Ndalohet të punojnë në punën e natës punëmarrësit nën moshën 18 vjeç dhe ata të deklaruar invalidë mbi bazën e raportit mjekësor sipas ligjit për sigurimet shoqërore.

Cila është mbrojtja që ligji i siguron grave për sa i përket marrëdhënieve të punës?

Gratë shtatzëna ose me fëmijë në gji nuk mund të punësohen në punë të rënda ose të rrezikshme që dëmtojnë shëndetin e nënës dhe të fëmijës. Gjithashtu ndalohet puna e natës për gratë shtatzëna.

Ndalohen testet e shtatzënisë para punësimit, kur kërkohen nga punëdhënësi, përveç rasteve kur vendi i punës kërkon të punohet në kushte që mund të ndikojnë negativisht në shtatzëninë ose që mund të dëmtojnë jetën apo shëndetin e nënës ose të fëmijës.

Punëdhënësi nuk mund të urdhërojë kryerjen e punës natën për gratë shtatzëna dhe deri sa fëmija të mbushë moshën 1 vjeç, në qoftë se është e dëmshme për sigurinë dhe shëndetin e gruas dhe/ose të fëmijës, vërtetuar kjo me raport mjekësor.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: