Puna / Greva
Greva

Si rregullohet e drejta e grevës së punëmarrësve nga ligji?

Vetëm sindikatat kanë të drejtë të organizojnë grevën dhe ta shpallin atë. Kjo e drejtë garantohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Qëllimi i grevës është zgjidhja e kërkesave ekonomike dhe shoqërore të punëmarrësve me mirëkuptim dhe nënshkrimin e marrëveshjes përkatëse. Pjesëmarrja në grevë është vullnetare. Një grevë e ligjshme nuk mund të ndërpritet me anë të përdorimit të forcës.

Punëdhënësi ndalohet që gjatë zhvillimit të grevës të zëvendësojë në punë grevistët me persona të tjerë, të cilët në kohën e shpalljes së grevës nuk kanë qenë punonjës të tij. Gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet dhe të drejtat, që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën e pagës dhe detyrimin e bindjes në punë. Kur greva nuk është e ligjshme sipas një vendimi gjykate, punëdhënësi mund të ndërpresë marrëdhëniet e punës me grevistët.

Greva nuk mund të zhvillohet në shërbimet e rëndësisë jetike, siç janë ato: mjekësore, të mbrojtjes kundër zjarrit, të furnizimit me ujë apo energji elektrike, etj. Kjo për arsye se ndërprerja e punës në këto sektorë rrezikon jetën, sigurinë personale dhe shëndetin e një pjese ose të tërë popullsisë.

Greva përfundon kur palët arrijnë një marrëveshje ose kur sindikata, që e ka shpallur atë, vendos ndërprerjen e saj.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: