Puna / Kohëzgjatja e punës
Kohëzgjatja e punës

Cila është kohëzgjatja e punës?

Me kohëzgjatje të punës kuptohet koha gjatë së cilës punëmarrësi është në dispozicion të punëdhënësit, përfshirë edhe kohën gjatë së cilës kryen formimin ose riformimin profesional, por pa përfshirë kohën e pushimit.

Më poshtë, në varësi të llojit të kontratës së punës që ka punëmarrësi me punëdhënësin, paraqiten rregullat mbi kohëzgjatjen ditore të punës, kohëzgjatjen javore të punës dhe orët shtesë.

Kohëzgjatja ditore e punës

Kohëzgjatja ditore normale e punës është jo më shumë se 8 orë. Ajo përcaktohet në kontratën individuale të punës ose në atë kolektive, brenda limiteve të kohës javore të punës. Për punëmarrësit nën 18 vjeç kohëzgjatja ditore e punës është jo më shumë se 6 orë në ditë.

Kohëzgjatja ditore e punës përllogaritet brenda 24 orëve (nga ora 0:00 deri në orën 24:00) të së njëjtës ditë, pa përfshirë pushimet. Nuk përfshihet në kohëzgjatjen ditore të punës koha që i duhet punëmarrësit për të ardhur në vendin individual të punës ose për t’u larguar prej saj.

Pushimi ditor është të paktën 11 orë pa ndërprerje brenda ditës ose në rast nevoje për dy ditë rresht. Momenti dhe kohëzgjatja e pushimeve të përditshme caktohen në kontratën kolektive të punës ose në kontratën individuale.

Në rast se punëmarrësi punon të paktën 3 orë gjatë natës, si rrjedhë normale e kohës së tij të përditshme në punë, ose që ka të ngjarë të kryejë një pjesë të caktuar të kohës vjetore të punës gjatë natës, e cila llogaritet nga ora 22:00 deri në orën 6:00 të mëngjesit, ai konsiderohet se kryen punë nate. Kohëzgjatja e punës së natës dhe e punës së kryer një ditë para ose pas saj nuk duhet të jetë më shumë se tetë orë pa ndërprerje. Ato duhet të paraprihen ose pasohen me pushim ditor të menjëhershëm.

Çdo orë pune, pjesë e kohëzgjatjes normale ditore te punës (pra 8 orëshit), e kryer nga ora 19:00 deri në 22:00 jep të drejtën e një shtese mbi pagë jo më pak se 20%. Çdo orë pune e kryer midis intervalit 22:00 dhe 6:00 jep të drejtën e një shtese mbi pagë jo më pak se 50%.

Kohëzgjatja javore e punës

Me kohëzgjatje javore të punës kuptohet koha e punës e kryer nga e hëna në mëngjes ora 0:00 deri në të dielën e ardhshme ora 24:00, brenda 7 ditëve të një jave. Pra, shumatorja e të gjitha orëve të punës të kryera brenda një jave kalendarike.

Kohëzgjatja normale e javës së punës është jo më shumë se 40 orë. Për punët që paraqesin vështirësi ose që janë të dëmshme për shëndetin, Këshilli i Ministrave përcakton kohëzgjatje javore të reduktuar. Periudhat e paaftësisë së përkohshme në punë konsiderohen si kohë pune. Paaftësia e përkohshme në punë mund të shkaktohet nga sëmundjet, aksidentet në punë apo sëmundjet profesionale.

Puna përtej orarit (orët shtesë)

Me orë shtesë kuptohet çdo orë pune e kryer mbi kohëzgjatjen ditore normale ose javore maksimale të punës. Në rastin e punëmarrësve që punojnë me kohë të pjesshme, orë shtesë quhet edhe çdo orë pune e kryer mbi orarin që është caktuar për të punuar.

Punëdhënësi mund të kërkojë kryerjen e orëve shtesë vetëm nëse është e justifikuar nga rrethanat dhe vetëm për aq sa është e mundur dhe e nevojshme. Në çdo rast, punëdhënësi duhet të mbajë parasysh kushtet vetjake dhe familjare të punëmarrësit. Numri maksimal i orëve shtesë përcaktohet në kontratën kolektive ose kontratën individuale të punës, por nuk mund të jenë më shumë se 200 orë në vit.

Maksimumi i orëve të punës në jave është 48 orë. Nuk mund të kërkohet kryerja e orëve shtesë javore kur punëmarrësi ka kryer tashmë 48 orë pune në javë. Megjithatë, në raste të veçanta, për një periudhë deri në 4 muaj, mund të punohet më shumë se 48 orë në javë, por koha mesatare javore e punës, për këtë periudhë, nuk duhet të jetë më shumë se 48 orë.

Ndalohet kryerja e orëve shtesë të punës nga gratë gjatë shtatzënisë dhe derisa fëmija të mbushë moshën 1 vjeç, si dhe nga personat me aftësi të kufizuar, për shkaqe objektivisht të justifikuara, që lidhen me shkallën e aftësisë së tyre të kufizuar dhe natyrën e punës për të cilën kërkohen orët shtesë.

Punëdhënësi, orët shtesë të punës, duhet t’ia kompensojë punëmarrësit me pushim. Kur ato nuk janë kompensuar me pushim, punëdhënësi duhet t’i paguajë punëmarrësit pagën normale dhe një shtesë jo më pak se 25% të saj, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në kontratën kolektive. Punëdhënësi në marrëveshje me punëmarrësin, mund të kompensojë orët shtesë të punës me një pushim të paktën 25% më të madh, që i korrespondon kohëzgjatjes së orëve shtesë dhe që jepet brenda 2 muajve nga dita e kryerjes së punës, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në kontratën kolektive të punës.

Orët shtesë të punës të kryera gjatë pushimit javor ose në ditët e festave zyrtare kompensohen me pushim ose pagë të paktën 50% më të madhe se orët shtesë të bëra ose paga normale, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe në kontratën kolektive.

Kujdes!
Informacioni i paraqitur në këtë faqe përshkruan situatën sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Ky legjislacion mund të jetë objekt ndryshimi apo shfuqizimi. Informacioni ka vetëm qëllim informimi dhe nuk duhet të konsiderohet si këshillim apo opinion ligjor. Për zgjidhjen e një rasti specifik kërkoni ndihmë profesionale.

Jeni të kënaqur me përvojën në këtë faqe? Na bëni të ditur me plotësimin e një pyetësori të shkurtër: